27 Shtator 2022

Nga Ora News

Shtëpi, shkolla, rrugë, ura dhe ujësjellës janë dëmtuar nga rrëshqitjet e dherave e gurëve në veri të vendit pas reshjeve intensive të shiut.

Reshjet intensive të shiut që përfshinë vendin prej të hënës kanë shkaktuar probleme në veri të vendit.

Një banesë në Dardhë të Fushë Arrëzit dhe çatia e një shkollë në Gjegjan të Pukës janë dëmtuar si pasojë e motit të keq.

Përrejtë në disa fshatra atje kanë dalë nga shtrati duke dëmtuar, rrugë, ura dhe ujësjellësa sipas të dhënave nga Bashkia e Pukës.

Aksi rrugor Qelëz – Ukth Maja Mrigës është dëmtuar plotësisht, ndërsa rrëshqitje dherash pati në rrugët e Kabashit, Memaj-Buhot dhe Bicaj – Blinisht Krovë.

Rrëshqitje ka pasur edhe në një rezervuar që po mbahet nën monitorim.

Në Shkodër sipas emergjencave civile rrëshqitje dherash e gurësh ka në rrugën e Dukagjinit dhe akse të tjera rurale.

Problematika po ashtu sipas ARRSH pati në akset Tamarë-Vermosh, Hani Hotit-Tamarë, në Valbonë nga km 3 deri në km 10.

Në Theth, pasditen e së hënës Lumi i Shalës pati prurje të shumta, ndërsa në rrugën drejt Bogës që tashmë është e kalueshme kishte vështirësi nga gurët e inertet.

Fshati Ndërlysaj ka vështirësi në qarkullim për shkak të një urë të dëmtuar nga firma që po punon për ndërtimin e rrugës së re.

Këto pamje ndërkojë tregojnë pasojat e reshjeve në në Bukmirë të Mirditës.

Rruga që lidh zonën me Rrëshenin u bllokua për shkak të rrëshqitjeve të gurëve dhe dherave, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e banorëve.

Në shumë zona të vendit ka probleme me furnizimin me energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit të amortizuar të shpërdarjes, për të cilat po punohet për tu riparuar.