27 Shtator 2022

Nga Gazeta Dita

Gjatë muajit qershor 2022, 984 qytetarë shqiptarë kërkuan azil në shtetet e Bashkimit Europian, duke u rritur me 2.4% nga muaji maj kur kishin aplikuar 960 shqiptarë. Në total, për të gjithë 6 mujorin, 5.794 shqiptarë i janë drejtuar vendeve të BE-së, për azil.

Refugjatët shqiptarë që kërkuan azil në Europë gjatë qershorit, rezultojnë të jenë pak më shumë se ata nga Ukraina, ku po zhvillohet një luftë që nga muaji shkurt. 975 ukrainas aplikuan për azil në qershor 2022. Vendi ynë vazhdon të jetë midis vendeve afrikane, që këtë herë i është bashkuar edhe Rusia.

Vendi me numrin më të lartë të azilkërkueseve për të njëjtin muaj ishte Siria, me 8.600 aplikanët për herë të parë, ndjekur nga Afganistani  me 7.705. Rritje të madhe në raport mujor kishin azilkërkuesit nga Tunizia dhe Turqia.

Në total, për qershorin 2022 kanë aplikuar 65.645 azilantë, rritje me 65% nga qershori 2021 dhe e 4% nga maji 2022. Gjermania mbetet vendi I preferuar, ku kanë kërkuar azil 19% e refugjatëve, ndjekur nga Franca me 17% dhe Spanja me 16%.

2.905 azilkërkues ishin minorenë të pashoqëruar, që më së shumti vinin nga Afganistani, Siria, Somalia dhe Pakistani.

Shifrat e Eurostat përfshijnë vetëm vendet brenda BE-së dhe kandidatët për të hyrë në të, që do të thotë se nuk llogariten azilkërkuesit shqiptarë drejt Britanisë. Sipas “The Guardian”, më shumë se 2.000 shqiptarë kanë mbërritur në Angli, në total pothuajse njësoj sa afganët, që ndodhen po ashtu në një situatë të pasigurtë dhe konflikte të armatosura./GazetaSi