14 Prill 2026

Një seri mediesh të njohura amerikane si revista ‘People’, portali ‘Yahoo’, gazeta Cleveland apo edhe media të specializuar si ‘Travel + Leisure’ dhe ‘Parade’ i kanë bërë jehonë paralajmërimeve amerikane se Shqipëria është nën shënjestrën e grupeve të lidhura me Iranin.

Revista ‘People’ thekson se Departamenti i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim të ri, ndërsa më herët ishte ambasada amerikane në Tiranë që njoftoi qytetarët të kenë kujdes.

“Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim të ri për amerikanët që vizitojnë një destinacion udhëtimi evropian që po vazhdon të rritet në popullaritet midis turistëve të huaj.

Më herët këtë muaj, Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri, i inkurajoi qytetarët amerikanë të “ushtrojnë vigjilencë të shtuar” gjatë vizitës në kryeqytetin evropian.

Alarmi i sigurisë i 1 prillit përmendi posaçërisht se “grupet e lidhura me Iranin mund të kërkojnë të godasin subjekte të lidhura me SHBA-në ose elementët e opozitës iraniane në Shqipëri”.

Alarmi paralajmëron më tej se këto grupe “mund të synojnë gjithashtu vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”,” shkruan revista ‘People’.

“Departamenti i Shtetit u rekomandon amerikanëve të qëndrojnë vigjilentë, të jenë të vetëdijshëm për mjedisin përreth, të monitorojnë median lokale dhe t’i mbajnë telefonat e tyre celularë të karikuar në rast emergjence.

Aktualisht, Shqipëria kategorizohet vetëm me një këshillë udhëtimi të Nivelit 2 nga Departamenti i Shtetit. Ky përcaktim u rekomandon udhëtarëve “të ushtrojnë kujdes të shtuar”. Këshilla, e përditësuar për herë të fundit më 31 dhjetor 2024, përmend krimin si arsyen kryesore për shqetësim.

Pavarësisht paralajmërimeve, autoritetet shqiptare theksojnë se “nuk ka informacion konkret në lidhje me një kërcënim real për sigurinë”, sipas një njoftimi për shtyp të përkthyer nga Ministria e Punëve të Brendshme e vendit,” thekson më tej media amerikane.