11 Tetor 2025

Nga Julia Vrapi

“… Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj, në ekspozita të hapura si brenda dhe jashtë vendit.”

Industria e suvenireve kulturore dhe ringjallja e mjeshtërisë tradicionale shqiptare është pohuar herë pas here nga artizanë e prodhues vendas. Herë pas here pjesë e diskutimeve ka qenë prodhimi, ekspozimi dhe promovimi i produkteve shqiptare. Me vendim të Këshillit të Ministrave, ka nisur puna për krijimin e fondacionit “CulturAlb”. Ministri Blendi Gonxhja shprehet se “CulturAlb” do të zhvillojë industrinë e suvenireve kulturore dhe do të ringjallë mjeshtërinë tradicionale shqiptar. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ndërsa shprehet për funksionin e “CulturAlb” thotë se ministria, që ai drejton po vijon dhe procesin e  miratimit të regjistrimit pranë gjykatës të fondacionit.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave, ka nisur puna për krijimin e fondacionit “CulturAlb”, nismë kombëtare që do të zhvillojë industrinë e suvenireve kulturore dhe do të ringjallë mjeshtërinë tradicionale shqiptare. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si themeluese, po vijon procesin e miratimit dhe regjistrimit në gjykatë, që fondacioni të nisë së shpejti veprimtarinë e tij”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale. Në mbledhjen e datës 8 tetor, qeveria vendosi autorizimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si themeluese e fondacionit “CulturAlb”, me objekt ruajtjen, prodhimin, ekspozimin, promovimin, marketimin, shitjen e suvenireve e të produkteve të tjera artistike, promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe çdo veprimtari tjetër të parashikuar në statut dhe në aktin e themelimit. “Akti i krijimit dhe statuti i fondacionit  miratohen në gjykatë sipas legjislacionit në fuqi për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut”, thuhet në vendim.

 Ekspozim dhe promovim brenda dhe jashtë vendit

“CulturAlb” vendos në qendër artizanët, krijuesit, dizajnerët dhe prodhuesit vendas, duke u hapur rrugë për prodhim, ekspozim, promovim dhe tregtim brenda dhe jashtë vendit. Ministri Blendi Gonxhja shprehet më tej se produktet me motive autentike shqiptare do të marrin formë të re në pazaret historike, destinacionet turistike, ekspozita dhe dyqanet e suvenireve. “Duke bashkuar traditën me dizajnin bashkëkohor, fondacioni synon të krijojë një markë të dallueshme shqiptare dhe të rrisë praninë tonë kulturore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, shprehet ministri Gonxhja. Ndërsa sa i takon artizanati shqiptar, vendi ynë është i njohur për një traditë tepër të pasur të artizanatit, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrat popullorë, në çdo krahinë të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme gjeografike, duke u spikatur me shumllojshmërinë e saj. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj, në ekspozita të hapura si brenda dhe jashtë vendit.