11 Tetor 2025

Bizneset e familjarëve të ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, siç edhe pasuria e saj, lulëzuan falë bashkëpunimit me kryeministrin Edi Rama në postet kyçe të sektorit të Bujqësisë. Frida Krifca la sektorin privat për t’u bashkuar me qeverinë Rama në vitin 2017, kur u emërua në krye të AZHBR. Ishte emisioni investigativ “Plug” që tregoi një pasqyrë të plotë të pasurisë së ish-ministres së Bujqësisë. Apartamente, llogari bankare, hua të marra por të padeklaruara dhe para cash, ishin disa nga pasuritë e Frida Krifcës kur u bë drejtuese e AZHBR. Por, pasi mori drejtimin e këtij institucioni dhe deri në emërimin si ministre, Frida Krifca dhe bashkëshorti i saj shtuan jo vetëm pasuritë e paluajtshme në mijëra metra katrorë tokë të blera me çmim qesharak, por hapën edhe biznese që kanë përfituar edhe para publike.

Detajet

Frida Krifca iu bashkua qeverisë Rama në vitin 2017. Deri në këtë vit, Krifca punonte për Financial Services Volunteer Corps, një partneritet publik-privat jo-fitimprurës. Më herët ajo deklaron se ka punuar në sektorin bankar dhe biznese private në pozicione të ndryshme, kryesisht drejtuese departamentesh, çka të bën të besosh se edhe pagesat e znj. Krifca kanë qenë shumë të mira. Frida Krifca do të emërohej në krye të AZHBR, dy vjet pasi qeveria shqiptare miratoi ligjin për grantet IPARD nga Bashkimi Europian. Në deklarimin e pasurisë, përpara nisjes së detyrës, Frida Krifca deklaron se ishte pronare e një dyqani me sipërfaqe 36 m², i blerë në vitin 2003 për vlerën e 160 mijë dollarëve. Për këtë pronë, që nga sipërfaqja, koha e blerjes dhe shuma e paguar ngrihen jo pak dyshime, Frida Krifca deklaron se kishte të ardhura nga kursimet e saj dhe familjes. Gjithashtu, Krifca deklaron se është pronare e një apartamenti në Dhërmi, me sipërfaqe 68.4 m², i blerë në vitin 2012 për vlerën e 71,955 eurove. Për blerjen e kësaj prone, Krifca deklaron se ka pasur kursime dhe ka marrë hua nga miqtë. Në vitin 2016, pra një vit para se të shkelte në AZHBR, Frida Krifca deklaron se ka blerë një apartament me sipërfaqe 149 m² në Tiranë, vlera e të cilit është 223,500 euro. Të ardhura për blerjen e kësaj prone, Krifca deklaron se i ka krijuar nga shitja e një shtëpie të vjetër dhe një pjesë nga një kredi bankare. Gjithashtu ajo deklaron edhe 800 mijë lekë, 17,247 dollarë dhe 408 euro para cash. Krifca deklaron se ka të ardhura edhe nga qeraja e dyqanit në vlerën e 32 mijë lekëve në muaj. Në vitin 2016, ajo ka marrë një kredi në vlerën e 130 mijë eurove me afat shlyerje një periudhë prej 10 vjetësh. Vetëm nga deklarata fillestare e pasurisë ngrihen dyshime të arsyeshme se nuk justifikon të ardhurat për pasuritë e vëna.

Fshehja e të ardhurave

Në deklarimet pranë ILDKPI, Krifca nuk ka treguar se ku ka marrë hua për blerjen e apartamentit në Dhërmi në vitin 2012. Gjithashtu ajo nuk deklaron as burimin e kursimeve apo shumën e tyre për blerjen e disa pronave ndër vite. Këto dyshime i shton edhe më shumë fakti se bashkëshorti i saj deri në vitin 2017 deklaron se është pronar i një automjeti me vlerë 4 mijë euro dhe ka para cash 450 mijë lekë. Erti Lutaj, bashkëshorti i Frida Krifcës, nuk deklaron të ardhura nga ndonjë punë deri në vitin 2017. Në vitin 2017, pas nisjes së detyrës, gjithçka nis e ndryshon për Frida Krifcën dhe bashkëshortin e saj. Në vitet 2017 dhe 2018, situata në pamje të parë dukej normale, deri sa nisin të shtohen pronat, llogaritë bankare, dhe kompanitë që dalin nga hiçi e përfitojnë fonde shtetërore. Në vitin 2018, Krifca deklaron pagën si drejtoreshë e AZHBR në vlerën e 726 mijë lekëve dhe të ardhura nga qeraja e dyqanit befas rriten menjëherë. Ndërsa bashkëshorti i saj, Erti Lutaj, deklaron se kishte një llogari bankare me 233 mijë lekë kursime, të cilën e kishte harruar ta deklaronte në deklaratën fillestare të bashkëshortes së tij, si dhe dy llogari të tjera me vlerë rreth 500 mijë lekë. Për herë të parë ai deklaron edhe pagën si drejtues i marketingut lokal pranë organizatës World Vision Albania për periudhën gusht-dhjetor 2017, në vlerë prej 1,000,000 lekësh të rinj. Në vitin 2018 Frida Krifca deklaron rreth 15 milion lekë të ardhura nga paga dhe dieta si drejtuese e AZHBR dhe rreth 8 mijë euro të ardhura nga qeraja e dyqanit. Shihet qartë se me rritjen në detyrë të Fridës, dyfishohet edhe qeraja e dyqanit. Në vitin 2018, dy vjet pasi mori një kredi prej 130 mijë eurosh për blerje apartamenti, Frida Krifca i drejtohet përsëri bankës, këtë herë për të rifinancuar kredinë e marrë në 2016. Në përfundim ajo deklaron një kredi të re me vlerë 107 mijë eurosh, me këst mujor prej 765 euro. Bashkëshorti i Frida Krifcës, Erti Lutaj, për vitin 2018 deklaron se ka dhuruar mjetin që kishte në pronësi me vlerë 4 mijë euro, ndërsa deklaron pagën te World Vision në vlerën e 24 milion lekëve. Pas dy viteve në detyrë nis edhe shtimi i pasurisë së deklaruar, për të dhe për bashkëshortin, që deri pak kohë më parë tërhiqte edhe overdraft për të mbuluar shpenzimet. Në vitin 2019, Frida Krifca deklaron tre llogari bankare në shumën totale të rreth 8 milion lekëve. Të ardhurat e saj janë: 16 milion lekë nga paga, 11 mijë euro nga qeraja e dyqanit, 17 mijë lekë nga bono thesari. Në vitin 2019, ajo deklaron se po shlyen kredinë e marrë në vitin 2018 me vlerë 107 mijë euro. Bashkëshorti i Frida Krifcës, Erti Lutaj, në vitin 2019 deklaron të ardhura në llogari bankare si person fizik në shumën totale të rreth 40 milion lekëve, ndërsa të ardhurat totale si person fizik me NIPT-in e regjistruar në korrik të vitit 2019, Erti Lutaj i deklaron në shumën e 61 milion lekëve. Sipas të dhënave, ai ka regjistruar NIPT si person fizik për aktivitetet marrje-dhënie me qira dhe shërbime marketingu.

Tokë me çmim qesharak

Në vitin 2020, Frida Krifca deklaron tre llogari bankare në shumën e rreth 7 milion lekëve. Gjithashtu ajo deklaron të ardhurat nga paga si drejtoreshë e AZHBR në vlerën e 13 milion lekëve, të ardhura nga qeraja e dyqanit në vlerën e 8,800 eurove dhe të ardhura nga honoraret në rreth 2 milion lekëve. Ajo deklaron shlyerjen e kredisë me vlerë 107 mijë euro. Bashkëshorti i saj, Erti Lutaj, deklaron një llogari bankare me vlerë 35 milion lekë, ndërsa në vitin 2020 ai deklaron se ka blerë një tokë arë me sipërfaqe 11 mijë metra katrorë, me sipërfaqe takuese 3,000 m², ndërsa vlera e blerjes së kësaj prone deklarohet me çmim qesharak prej 30 mijë eurosh, apo thënë ndryshe, vetëm 10 euro për m². Viti 2021, që është dhe viti i fundit, që së paku publikisht gjenden deklarime pasurore, Frida Krifca emërohet Ministre e Bujqësisë. Në këtë vit, ajo rideklaron të gjithë pasurinë e saj. Nga të dhënat zyrtare të ILDKPI, Krifca vijon të deklarojë dyqanin me sipërfaqe 36 m² në vlerën e 160 mijë dollarëve, apartamentin prej 125 m² në vlerën e 224 mijë eurove, apartamentin 78 m² në vlerën e 71 mijë eurove, si dhe mijëra euro të ardhura para cash dhe llogari bankare. Bashkëshorti i saj Erti Lutaj deklaron se ka blerë një garazh për vlerën e 22 milion lekëve në vitin 2021, si dhe pronësinë mbi 3 mijë metra tokë arë, të blerë për 10 euro metër katror në zonën e Farkës. Në këtë vit, Erti Lutaj deklaron për herë të parë, pesë vjet pasi ishte subjekt i ligjit, pronësinë mbi një biznes të quajtur Big Pencil. Ai deklaron se është pronar i 100% të aksioneve të këtij biznesi, ndërkohë që në deklaratat e mëparshme nuk deklaronte asnjë të dhënë për të. Në vitin 2021 deklaron edhe se ka themeluar një tjetër biznes Lucom Projects shpk mbi të cilin ka 100% të aksioneve. Deri në vitin 2021, Erti Lutaj deklaron pronar në tre biznese, ndërsa një vit më vonë themelon edhe shoqërinë LUSAKU shpk. Ai deklaron se të ardhurat e tij në llogari bankare, gjendje cash dhe të ardhura nga bizneset kapin vlerën e rreth 50 milion lekëve. Me biznesin që ka themeluar pikërisht në vitin 2020, Erti Lutaj ka përfituar fonde edhe nga paratë e buxhetit të shtetit. Nëpërmjet kompanisë Lucom Project, Erti Lutaj ka përfituar dy pagesa nga Bashkia e Tiranës në vlerën totale të 11 milion lekëve, apo rreth 110 mijë eurove. Pagesat nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj për kompaninë e Erti Lutajt janë kryer në tetor dhe nëntor të vitit 2023, vit kur Frida Krifca ishte një nga drejtueset kryesore të fushatës së Erion Veliajt për bashkinë e Tiranës.

Nga: Gazeta Sot