“Çopjat pasuri 8 mld euro, pothuajse sa buxheti i shtetit!”- Deputeti i PD prezanton projektligjin e administrimit të pasurive të konfiskuara: Apartamentet e krimit për familjet e policëve të vrarë dhe…

14 Mars 2026
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, foli për projektligjin e ri që synon administrimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga aktivitetet kriminale, për qëllime sociale.
Në emisionin “Kjo javë” në “News 24” mbrëmjen e sotme, në cilësinë e propozuesit dhe nënkryetarit të Komisionit për Rendin dhe Sigurinë, ai dha detaje rreth shpërndarjes së pasurive të konfiskuara të krimit për familjet në nevojë, për familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës, për çiftet e reja dhe investimet.
Sipas tij, nisma parashikon që këto pasuri të përdoren edhe për të mbështetur familjet e qytetarëve që kanë humbur jetën nga përplasjet mes bandave kriminale, si dhe çiftet e reja që përballen me vështirësi për të siguruar strehim në Shqipëri.
Balliu theksoi se në shumë raporte ndërkombëtare “Shqipëria konsiderohet një vend kyç për pastrimin e parave”, duke pretenduar se një pjesë e madhe e tyre investohen në sektorin e ndërtimit përmes blerjes së apartamenteve.
“Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria është vend kyç për pastrimin e parave. Kartelet shqiptare janë të vetmet që pastrojnë paratë në vendin amë. 90 për qind e tyre pastrohen në fushën e ndërtimit me blerjen e apartamenteve, Vetëm karteli i Çopjave u evidentua që kishte 8 mld euro, kur 9 mld është buxheti i Shqipërisë. Unë e kam propozuar si projektligj, por ka pasur debat nga mazhoranca kur panë emrin tim dhe u thashë se jam gati të hiqet emri im vetëm të kalojë ky projektligj nëse ishte ky problemi”, u shpreh Balliu.
Dhe më tej shtoi se mazhoranca nuk e pranoi vetëm pse ishte propozim i tij.
“Qëllim është votimi i këtij projektligji dhe jam gati ta hap edhe debatin, të bëhen edhe ligje më të forta. Por nuk e shohin mirë sepse është propozuar nga ne. Ndodhi edhe me projektligjin që propozoi më parë zonja Zhupa dhe ata ia hoqën emrin dhe vunë tjetër dhe e sollën përsëri. Por e rrëzuan edhe këtë. Në Komisionin e Jashtëm thanë s’je konsultuar me grupet e interesit, ndërkohë që grupet e interesit në këtë rast është po krimi i organizuar”, tha ai mes të tjerash.
Sipas tij, projektligji synon që pasuritë e krijuara nga krimi të rikthehen në shërbim të shoqërisë dhe të përdoren për të ndihmuar familjet në nevojë dhe për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi.
“Nga ana tjetër kemi një shoqëri që po vuan shpopullimin sidomos në moshat e reja. Projektligji sjell një mënyrë për ndarjen e pasurive të sekuestruara në bazë të 3 kritereve. Ligji ka qëllim që pasuritë të shkojnë për familjet e policëve të rënë në detyrë, të atyre qytetarëve që kanë mbetur të vrarë nga përplasjet mes bandave dhe ka qëllim të mbështesë çiftet e reja për t’u dhënë mundësinë të rrinë në Shqipëri me për shembull apartamente që vijnë nga të ardhurat e botës së krimit. Ka kritere për t’i përfituar ato dhe kjo do parandalojë që të përfitohen nga persona të lidhur me politikën dhe krimin”, tha Balliu.
Gazeta Panorama
