21 Nentor 2025

Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar në SPAK, prokurori Adnan Xholi, ka pritur sot një një delegacion të nivelit të lartë nga Gjermania, që kryesohej nga Sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Annette Kramme.

Në takim ishin të pranishëm dhe ambasadori gjerman, Karl Bergner, si dhe prokurorët e posaçëm Alfred Shehu, Bledar Maksuti, Ened Nakuçi dhe Ols Dado. Sekretarja Kramme vlerësoi punën e shkëlqyer të SPAK dhe besimin e lartë që institucioni gëzon tek publiku.

Në fokus të diskutimeve në takim ishte bashkëpunimi i suksesshëm ndër vite përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe hetimeve paralele në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mashtrimit kompjuterik. Gjithashtu u diskutua mbi mundësinë e forcimit dhe zgjerimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme, z. Adnan Xholi, mirëpriti një delegacion të nivelit të lartë nga Gjermania, të kryesuar nga Sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, njëherësh edhe Kryetare e Fondacionit për Bashkëpunim Juridik (IRZ), znj. Annette Kramme.  

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Bergner, si dhe prokurorët e posaçëm z. Alfred Shehu, z. Bledar Maksuti, z. Ened Nakuçi dhe z. Ols Dado.

Znj. Annette Kramme vlerësoi punën e shkëlqyer të SPAK dhe besimin e lartë që ky institucion gëzon tek publiku, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre gjermane, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe hetimeve paralele në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mashtrimit kompjuterik, si edhe mbi mundësitë për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Delegacioni gjerman, i kryesuar nga znj. Kramme, garantoi mbështetjen e vazhdueshme për punën dhe misionin e SPAK, duke nënvizuar angazhimin e përbashkët për rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.