
Çfarë përmban faza e parë e marrëveshjes Izrael-Hamas dhe si pritet të zhvillohen ditët në vijim
9 Tetor 2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën në mbrëmje se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të një marrëveshjeje paqeje për Gazën, një zhvillim i rëndësishëm që pritet të sjellë ndryshim të madh në terren, raporton BBC.
Sipas Trump, faza e parë përfshin:
Lirimin e të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza;
Tërheqjen e trupave izraelite nga pjesë të caktuara të territorit, sipas një vije të dakorduar paraprakisht;
Lirimin e disa të burgosurve palestinezë nga burgu izraelit, siç ka konfirmuar Ministria e Jashtme e Katarit;
Lejimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, për të përballuar krizën humanitare.
Ja si pritet të zhvillohen ngjarjet në ditët e ardhshme:
E enjte (sot)
Qeveria izraelite do të mblidhet në orën 14:00 me orën e Jerusalemit për të votuar marrëveshjen. Nëse miratohet zyrtarisht, armëpushimi hyn menjëherë në fuqi dhe trupat izraelite nisin tërheqjen drejt vijës së dakorduar.
Sipas një zyrtari të lartë palestinez, gjatë pesë ditëve të para, Izraeli do të lejojë hyrjen e 400 kamionëve me ndihma humanitare në Gaza çdo ditë.
E premte
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka thënë për CBS News se tërheqja e trupave izraelite pritet të përfundojë brenda më pak se 24 orësh.
Menjëherë pas kësaj, fillon një afat 72-orësh për lirimin e pengjeve nga ana e Hamasit.
E hënë
Sipas pritshmërive të Shteteve të Bashkuara, lirimi i pengjeve do të nisë të hënën. Megjithatë, burime pranë Shtëpisë së Bardhë thonë se Hamasi mund të tentojë ta përshpejtojë këtë proces dhe të nisë më herët lirimet.