Brenda bibliotekës së Abacisë së Shën Galenit, një nga thesaret më të vjetra të dijes në Evropë

6 Shkurt 2026
Biblioteka e Abacisë së Shën Galenit, një nga bibliotekat monastike më të vjetra dhe më të ruajtura në botë, vazhdon të mahnisë studiuesit dhe vizitorët me koleksionin e saj të jashtëzakonshëm, që daton prej më shumë se 1 mijë e 300 vitesh.

E ndërtuar në stilin barok në vitin 1767, biblioteka është pjesë e një trashëgimie që nis në fillim të shekullit VII, kur misionari irlandez Shën Gali themeloi këtu një eremitazh, i cili më vonë u shndërrua në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe fetare të Evropës. Sot, ajo konsiderohet një thesar i paçmuar intelektual dhe është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Biblioteka ruan rreth 160 mijë dorëshkrime dhe botime të hershme, përfshirë mbi 2 mijë e 100 kodekse mesjetare, nga të cilat rreth 400 janë shkruar para vitit 1000. Ndër koleksionet më të rëndësishme janë dorëshkrimet irlandeze më të shumtat në Evropën kontinentalem si dhe tekstet më të hershme të gjermanishtes së vjetër, që përbëjnë një burim të çmuar për studiuesit e gjuhës dhe historisë.
Përveç vlerës dokumentare, biblioteka shquhet edhe për arkitekturën e saj baroke, me punime të hollësishme druri, afreske tavanore, globë tokësorë e qiellorë dhe kabinete kuriozitetesh me objekte nga vende të ndryshme të botës. Hapësira është projektuar si një “vend shërimi për shpirtin”, sipas mbishkrimit grek Psyches Iatreion, i gdhendur mbi hyrje.

Pavarësisht trazirave fetare dhe politike që kanë shënuar historinë e Evropës, përfshirë Reformacionin dhe sekuestrimet e pronave kishtare, koleksioni i Bibliotekës së Shën Galenit ka mbijetuar pothuajse i paprekur, falë mbrojtjes dhe kujdesit të vazhdueshëm të komunitetit monastik dhe autoriteteve lokale.
Sot, biblioteka vizitohet nga rreth 190 mijë persona në vit, duke u shndërruar në një nga atraksionet kulturore më të rëndësishme të Zvicrës lindore. Për të ruajtur dyshemenë historike prej druri, vizitorët lejohen të hyjnë vetëm me pantofla të posaçme prej shajaku, ndërsa numri i vizitorëve njëkohësisht është i kufizuar.

Në një kohë kur informacioni qarkullon kryesisht në formë digjitale, Biblioteka e Abacisë së Shën Galenit mbetet një dëshmi e gjallë e fuqisë së fjalës së shkruar dhe e rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
