BKH në banesën e biznesmenit të farmaceutikës, dyshime për korrupsion me familjarin e Ogerta Manastirliut

24 Korrik 2026
Një biznesmen që kontrollon një prej depove farmaceutike më të njohura në Shqipëri është vënë nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime të VOX News pranë SPAK bëjnë me dije se agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e biznesmenit rreth tri javë më parë. Operacioni është zhvilluar në mënyrë diskrete dhe deri më tani nuk është bërë publik nga institucionet ligjzbatuese.
Gjatë kontrollit, agjentët dyshohet se kanë sekuestruar dokumente, materiale dhe prova të ndryshme, të cilat po analizohen në kuadër të një hetimit.
Sipas burimeve që informojnë VOX News, një pjesë e dokumentacionit mund të hedhë dritë mbi marrëdhëniet e biznesmenit me persona të lidhur me ish-ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Hetimi i SPAK-ut mësohet se është shtrirë edhe ndaj një familjari të afërt të ish-ministres, i cili dyshohet se ka zhvilluar aktivitet financiar dhe transaksione me biznesmenin që zotëron depon farmaceutike.
“Hetuesit po verifikojnë nëse këto marrëdhënie financiare kanë qenë të ligjshme apo nëse janë realizuar në këmbim të favorizimeve të mundshme të kompanisë farmaceutike nga institucionet shtetërore.”- shtojnë burimet pranë SPAK, për VOX News.
Dyshimet e hetuesve lidhen me disa drejtime, duke nisur nga përfshirja ose shtimi i barnave të tregtuara nga kjo depo në listën e barnave të rimbursueshme dhe deri te procedurat tenderuese të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë.
Në fokus të hetimit dyshohet se janë vendosur edhe disa tenderë të zhvilluar me procedura të kufizuara ose pa transparencë të plotë publike, për të cilët po verifikohet nëse kompania farmaceutike ka përfituar trajtim preferencial.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, SPAK nuk ka bërë një njoftim zyrtar lidhur me kontrollin, personat nën hetim apo veprat penale që mund të jenë regjistruar.
