14 Korrik 2026

Bashkitë që rrezikojnë shkrirjen

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive në raportin e Partisë Socialiste nxjerr si raste më problematike bashkinë e vogël të Pustecit me tipar minoritar si dhe atë të Rrogozhinës, të cilat veçohen si bashkitë me performancën më të dobët në rang kombëtar.

Në grupin me funksionalitet të ulët renditen gjithashtu Konispoli, Këlcyra, Poliçani, Roskoveci, Hasi, Delvina, Kuçova, Maliqi dhe Fushë Arrëzi.

“Rreth 40% e bashkive të vogla dhe të mesme nuk arrijnë të financojnë plotësisht rreth gjysmën e programeve buxhetore që lidhen me funksionet e tyre ligjore,” thuhet në raport.

Këto bashki nuk ushtrojnë plotësisht disa prej funksioneve që iu transferuan gjatë reformës së vitit 2014, të tilla si administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, arsimi parashkollor dhe mbrojtja nga zjarri.

Analiza e performancës ekonomike rendit në fund të Indeksit 13 bashki, mes tyre Konispoli, Fushë Arrëzi, Delvina, Maliqi, Kuçova, Devolli, Hasi, Roskoveci, Poliçani, Këlcyra, Pusteci dhe Përrenjasi, për shkak të numrit të ulët të bizneseve, punësimit formal të kufizuar, produktivitetit të dobët dhe mungesës së diversifikimit ekonomik.

Një tjetër problem strukturor lidhet me madhësinë demografike. Bashki si Pusteci, Këlcyra, Konispoli, Delvina, Fushë Arrëzi, Hasi, Poliçani, Rrogozhina, Kolonja dhe Libohova kanë popullsi të vogël dhe nuk arrijnë të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës, duke e bërë më të kushtueshëm ofrimin e shërbimeve publike dhe që kufizojnë kapacitetin e tyre administrativ dhe financiar.

Raporti evidenton gjithashtu se një numër bashkish shpenzojnë pothuajse të gjithë buxhetin për paga dhe shpenzime operative. Kavaja, Rrogozhina, Fushë Arrëzi, Kolonja dhe Tepelena kanë nivelin më të lartë të ‘ngurtësisë buxhetore’, mbi 90 për qind, çka i bën buxhetet e tyre “funksionalisht lista pagash”, me shumë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

Këto të dhëna sugjerohen në raport si një bazë teknike mbi të cilën do të vlerësohet nëse një bashki duhet të bashkohet me një tjetër, të forcojë bashkëpunimin ndërvendor apo të trajtohet me masa të tjera institucionale.

Për vendimmarrjen mbi reformën, të dhënat mbështesin një qasje të diferencuar, jo horizontale. “Për segmentin e poshtëm të renditjes, veçanërisht për njësitë nën masën kritike demografike që shfaqin dobësi në të pesë dimensionet, opsionet reale janë dy: rikonfigurim territorial përmes bashkimit me njësi fqinje më funksionale, ose ushtrim i përbashkët dhe i detyrueshëm i funksioneve përmes mekanizmave të bashkëpunimit ndërvendor, siç lejon ligji nr. 139/2015”- sugjerohet në raport.

“Ruajtja e status quo-së për raste si Pusteci apo Rrogozhina nënkupton pranimin e një standardi më të ulët shërbimesh për qytetarët e këtyre territoreve,” theksohet në raport.

Pamja e përgjithshme e bazuar në indikatorët e analizuar prodhon atë që raporti e konsideron si “një hartë ekonomike të qartë dhe politikisht të rëndësishme”. Nga 60 bashkitë e normalizuara, vetëm 10 klasifikohen me performancë të lartë ekonomike, 12 me performancë të mesme dhe 38 ose 63% e bashkive me performancë të ulët.

Mesatarja qëndron nën pragun e nivelit të mesëm, çka nënkupton se bashkia tipike shqiptare operon mbi një bazë ekonomike të dobët.

Pavarësisht nivelit të ulët që mund të shfaqen disa bashki të vogla në indikatorët financiarë, ekonomikë dhe demokrafikë të analizës së ekspertëve, ata sugjerojnë që bashkitë me përqendrim të dukshëm të pakicave kombëtare, si Dropulli, Finiqi dhe Pusteci, dhe bashkitë me profil identitar të fortë, si Hasi ose Konispoli, të vlerësohen me kujdes, duke siguruar një balancimin e detyrimit të për të mbrojtur diversitetin, identitetin kulturor dhe të drejtat e pakicave.

Në bazë të kësaj analize, mazhoranca propozon katër skenarë për riorganizimin e pushtetit vendor; ruajtjen e hartës aktuale, por me një decentralizim asimetrik, ku bashkitë me kapacitete më të larta do të merrnin më shumë kompetenca, ndërsa ato më të dobëtat do të kufizoheshin në funksionet bazë ose do t’i ushtronin ato përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.

Skenarët e tjerë përfshijnë bashkimet e gjera territoriale për të krijuar njësi më të mëdha e më funksionale; bashkimin vetëm të bashkive me kapacitete më të kufizuara dhe skenari i fundit propozon një ristrukturim më të thellë të kompetencave, duke i përqendruar bashkitë kryesisht te funksionet bazë.

Paralelisht, sugjerohet krijimi i një niveli funksional rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese, i cili do të administronte funksione që tejkalojnë kufijtë e një bashkie, si transporti ndërqarkor, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga përmbytjet dhe koordinimi i fondeve të Bashkimit Evropian.

Blerina Gjoka – Reporter

Ketu publikohet nje pjese e shkrimit;

Bashkitë që rrezikojnë shkrirjen, huazuar nga Gazeta Dita