9 Shtator 2026

Dosjet për Kadastrën po bëhen “mal” në SPAK. Hetimet përfshijnë edhe drejtoreshën e përgjithshme të ASHK-së, Lorena Goxhobelli, si dhe zyrtarë të lartë në këtë institucion. Dyshohet për skema korruptive të strukturuara, ku zyrtarë të niveleve drejtuese dhe specialistë të kadastrës dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupe kriminale për të mundësuar mbivendosje pronash dhe legalizime në kundërshtim me ligjin.

Nga Tirana në Vlorë, Durrës, Shkodër e deri në Gjirokastër, qytetarët denoncojnë skema të njëjta abuzimi dhe zhvatjeje. Qytetarët gjithashtu sorollaten për muaj të tërë, për të marrë një certifikatë pronësie, përveç nëse paguajnë ryshfet të majmë nga 5 mijë deri në 50 mijë euro.

Hetimet

Sipas raportimeve, prokurorët po hetojnë një rrjet të dyshuar zyrtarësh që përmes vendimmarrjeve administrative dhe manipulimit të dokumentacionit, mund të kenë favorizuar regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin. Mësohet se prona të qytetarëve janë kaluar në emër të personave të tjerë në bashkëpunim me zyrtarë të kadastrës. Pretendohet se materialet e këtyre aferave janë dërkuar edhe pranë SPAK-ut dhe po verifikohet në kuadër të hetimeve. Raportet hetimore nxjerrin në pah se vatrat kryesore të dyshuara të korrupsionit ndodhen në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.

Veçanërisht në Durrës dhe zonën e Gjirit të Lalzit po hetohen raste të dyshuara të legalizimeve të paligjshme dhe tjetërsimit të pronave, ndërsa në Elbasan verifikimet përfshijnë ryshfetin, manipulimin e dosjeve dhe përdorimin e strukturave të Kadastrës për interesa të grupeve kriminale. Sipas burimeve, hetuesit dyshojnë se ndikimi i grupeve kriminale nuk është kufizuar më vetëm në korruptimin e punonjësve të veçantë, por ka depërtuar në nivele drejtuese të institucionit, duke krijuar një mekanizëm që mund të ketë lehtësuar pastrimin e parave përmes pasurive të paluajtshme dhe sektorit të ndërtimit.

Shifrat e SPAK-ut flasin për një fenomen me përmasa të mëdha. Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 11 milionë euro, të cilat dyshohet se ishin regjistruar përmes dokumenteve të falsifikuara me përfshirjen e zyrtarëve të ASHK-së. Mbi 36 mijë dosje legalizimi vijojnë të mbeten pezull, ndërsa mijëra metra katrorë prona, kryesisht në zonat bregdetare, janë vendosur nën sekuestro preventive pasi dyshohet se ishin në proces legalizimi në kundërshtim me ligjin.

Skandali me pronat, Kadastra nuk lejon KLSH-në të auditojë

Ndërkohë që Brukseli zyrtar ka vendosur si kusht thelbësor për integrimin e Shqipërinë në Bashkimi Europian rritjen e transparencës dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit në çështjen e pronave, Kadastra, është shndërruar në një institucion-bunker. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, gjatë një raportimi të zhvilluar disa javë më pare në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, kërkoi ndërhyrjen urgjente të Kuvendit të Shqipërisë që të krijojë aksesin për të kryer kontroll pranë Agjencisë së Kadastrës.

Ai deklaroi se “KLSH nuk ka asnjë lloj aksesi me ASHK dhe nuk mund të shtrohet aspak për diskutim marrëdhëniet ndërinstitucionale”. Duke rikujtuar se “regjistrimi i pronave duhet të ketë transparencë të plotë dhe çdo qytetari duhet t’i vihet në dispozicion çdo informacion i detajuar”, Shehu theksoi se “nuk kemi arritur të marrim akses as minimal në të dhënat e këtij institucioni” Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkoi sërish ndërhyrjen e Parlamentit për të sjellë situatën në shinat e normalitetit, pasi prej gati dy vitesh Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bllokuar çdo lloj komunikimi dhe bashkëpunimi me institucionin më të lartë kushtetues të Auditimit në Shqipëri. “Problematika e pronës në Shqipëri ka një rëndësi thelbësore dhe KLSH-ja ka kryer të gjitha veprimet për procese audituese të plota, por është hasur në këtë lloj pengese prej një kohe të gjatë.

Do të ishte e vlefshme qe të na mbështesni në realizimin e këtyre proceseve”, iu drejtuar Arben Shehu deputetëve të të gjithë kaheve politike në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Sipas tij, institucionet duhet të jenë të ndërgjegjshme, pasi gjithsecili ka detyrimin të bashkëpunojë me institucionet, duke mbajtur në konsideratë që qëllimi i punës është shërbimi ndaj shoqërisë dhe qytetarëve. Kreu i KLSH-së deklaroi në seancën dëgjimore se janë bërë disa kallëzime për çështjet që lidhen me Agjencinë e Kadastrës. Megjithatë, për Shehun, zgjidhja duhet të jetë shumë e gjerë se sa rastet penale.

“E theksoj dhe njëherë rëndësinë thelbësore që ka monitorimi i punës në drejtimin e regjistrimeve, duke filluar nga prona shtetërore, e cila nëse mbetet e paregjistruar është në një nivel risku shumë të lartë. Por edhe prona private të secilit nga qytetarët, konform detyrimeve ligjore duhet të kenë procese të rregullta të regjistrimit, dhe qytetarët të kenë akses dhe informacion se çfarë bëhet me pronat private”, deklaroi kryekontrollori shtetëror, Shehu.