Berisha reagon ndaj Yuri Kim: – Përkthim nga shqipja në anglisht e deklaratave të Ramës, sekretare ideologjike e PS

21 SHKURT 2022

Nga një takim në Durrës me kandidatin për kryetar bashkie, ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur direkt deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim,e cila në rrjetet sociale pyeste kandidatët e Grupit të Rithemelimit se çfarë u ofrojnë votuesve në një kohë kur sponsori i tyre është non grata.

Berisha gjatë fjalës së tij me banorët e Shkozetit në Durrës tha se deklarata e ambasadores është stil i Edi Ramës, ndërsa shtoi se Kim  bën sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste.

“Deklarata sot e gurventaores shprehte këtë tronditje. Nuk i dalin kërkund hesapet. Mund të bëjmë shumë komente, por do ju them vetëm një mesazh që më dërgoi miku im gjuhëtar. Më thotë Sali është përkthim nga shqipja në anglisht. Në shqip është deklaratë e Ramës. Ajo bën sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste”, tha Berisha.

Ai shtoi se një nga qëllimet e Soros është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët, por këtë nuk do e realizojë.

“E gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si gurvenatore i lejon vetes të ndërhyjë në procese të brendshme elektorale. Këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros. Një nga qëllimet e Soros është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët. Këtë nuk do e realizojë. Ne do ecim të vendosur të votojmë të lirë dhe të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë brenda partisë ata që duam. Kush mërzitet nga standardet e lirisë i themi rrugë e mbarë”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri kishte një koment edhe për kandidatin e PD për Durrësin, Luan Hotin, duke i thënë se është monopolist i Edi Ramës.

“Kemi 8 vite që luftojmë monopolin, këtu na del Luani me monopolin e porteve nga Saranda në Shëngjin. Luan, ti nuk ke, je shumë më afër me Vilma Nushin, ndrikull Nushin se sa çdo qytetar tjetër të Durrësit, socialist apo demokrat. Monopoli është i ndaluar me ligj, monopoli është antikonkurrencë. Ka filluar një tronditje e madhe për Durrësin. E kanë kuptuar se e kanë davanë e humbur. Ju them të bëni durim. 6 marsi është fitorja e sigurt dhe fillimi i kthesës së madhe për Durrësin dhe Shqipërinë. Tronditje e madhe në katër anët.”-tha Berisha.

Gazeta Shqip