BE del kundër inceneratorëve:

– Nuk përputhen me ligjet tona për riciklimin e mbetjeve, të shmangen sa më shumë

25 SHKURT 2022

Inceneratorët duhet të jenë zgjidhja e fundit për menaxhimin e mbetjeve. Ky është sugjerimi që vjen nga përfaqësuesi i delegacionit të Parlamentit Europian, Ciaran Cuffe.

Në Komisionin Parlamentar për Stabilizim- Asociimin, mbështetur nga deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, përfaqësuesi i Delegacionit të Parlamentit Europian, Ciaran Cuffe në fjalën e tij mbi çështjet e mjedisit dhe potencialin e tranzicionit në ekonomi të gjelbër theksoi qëndrimin e BE-duke thënë se incenerimi nuk përputhet me ligjet e BE për riciklimin. Ai theksoi, se ndërtimi i inceneratorëve të tjerë duhet që të shmanget. “Incenerimi duhet të mbetet zgjidhja e fundit në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në vendet e Bashkimit Europian dhe sipas acquis të BE, sepse tranzicioni për ekonomi të gjelbër prioritizon një qasje ndaj riciklimit dhe ripërdorimit”, tha ai. Ndër të tjera, ai u shpreh se vendi ynë duhet që të bëjë më shumë sa i përket çështjeve mjedisore.

Cuffe theksoi, se ka shqetësime të shumta sa i përket cilësisë së ajrit. “Shqipëria do të duhet të bëjë më shumë për çështjet e ndotjes mjedisore për shkak të shqetësime rreth cilësisë së ajrit dhe emetimit të CO2 në ajër e cila është në shifra të mëdha. Kam parë debate të mëdha lidhur me incineratorin, por gjithë ky debat është i lidhur me politikën se sa me aspektet mjedisore”, tha ai.

Tabaku flet për inceneratorët

Ndërkohë, edhe për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku Shqipëria duhet të stimulojë parandalimin dhe riciklimin për të reduktuar depozitimin e mbetjeve. Tabaku në fjalën e saj në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim- Asociimin tha se, ka pasur mungesë të transparencës nga ana e qeverisë lidhur me inceneratorët. “Ndërtimi i një inceneratori të ri, përveç dy atyre ekzistues në Elbasan dhe Fier, paraqet shqetësime në rritje për sa i përket përputhshmërisë me Acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivave të riciklimit. Në këtë kontekst, politika e qeverisë bazuar tek inceneratorët, nisur nga përvoja e deritanishme ka pasur mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.

Kjo ka çuar në shndërrimin e një afere të vërtetë korruptive, e cila kërkon zbardhje nga ana e drejtësisë para opinionit publik, por dhe vetë partnerëve tanë evropianë. Inceneratorët nuk kanë zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme problemin e menaxhimit të mbetjeve”, tha ajo. Tabaku, u shpreh se duhet të përshpejtojë zbatimi i legjislacionit për mbetjet e papërpunueshme.

“Qartësisht kjo politikë nuk ka adresuar dhe prioritizuar rekomandimet e vazhdueshme nga Komisioni Evropian mbi nevojën e një strategjie të qëndrueshme që garanton ndarjen e mbetjeve në burim, reduktimin e varësisë së landfilleve, riciklimin dhe ripërdorimin ku mundet. Shqipëria duhet të promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të stimulojë parandalimin, reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve për të reduktuar depozitimin e mbetjeve. Duhet të përshpejtojë zbatimi i legjislacionit për mbetjet e papërpunueshme”, tha Tabaku.

Pergatiti SIDORELA BRAÇJA

Gazeta Sot