Basha ndalet në ‘Lëndinën e lotëve’ e ndez një qiri, surpriza që i bëjnë të rinjtë në Korçë

31 MARS 2021

Në një takim me të rinjtë e Korçës, lideri i PD-së, Lulzim Basha sqaroi pse ndezi një qiri në vendin e njohur si ‘Lëndina e lotëve’.

Ai tha se po të kishin gojë ato gurë në atë vend, do të flisnin për vuajtjet e korçarëve, ndërsa shtoi se këtë lëndinë e gjen kudo ku ikin shqiptarët.

Ndërkohë, të rinjtë korçarë kanë befasuar sot Bashën, pasi e kanë pritur me disa vargje të poezisë së Asdrenit, me të cilin kryedemokrati ka nisur librin e tij ‘Misioni im’ dhe më pas i kanë kënduar këngën: ‘Duam më shumë Shqipërinë’.

“Faleminderit rini korçare për këtë pritje. Zemrën e kam të mbushur me besim. Pak ditë na ndajnë, por tashmë jua them me gojën plotë se ndryshimi ka ardhur. Është në zemrat dhe mendjet tuaja. Është një vullnet i pandalshëm, i rinisë shqiptare.

Para se të vija këtu, u ndala tek ‘Lëndina e lotëve’ një pjesë në zemër e qytetit. Ndryshimi ka ardhur, është në zemrat tuaja, në mendjet tuaja. Dhe unë e ndeza një qiri ashtu siç është traditë, por jo vetëm për të kujtuar shumë breza korçarësh që u larguan nga Korça, disa prej tyre ndërtuan një jetë të re edhe matanë oqeanit, shqiptaro-amerikanë të famshëm, mbështetës të kauzave të mëdha për vendin, por nuk e ndeza këtë qiri vetëm për ta.

Për fat të keq e ndeza, sepse lëndina e lotëve vijon të lëndojë. E ndeza për fat të keq, pasi Lëndina e Lotëve vazhdon të lotojë për bijat dhe bijtë e Korçës, që vazhdojnë që të ikin nga Korça. Në çdo vend të Shqipërisë ka një lëndinë lotësh të shqiptarëve. Ka lëndina lotësh njësoj si ajo që para 100-200 vitesh mbuloheshin nga trishtimi i familjeve. Por ndryshe nga atëherë, sot Korça i ka mundësitë. Korça e qytetarisë, e intelektualëve. Nuk është hera e parë që jam mes jush, ju jeni avangardë, integritet.

Ajo që Korça nuk ka dhe s’ka pasur në këto 8 vite3, ka qenë një qeverisje që t’ju shihte në sy. që të kuptonte problemet e familjeve korçare.

Kryeministri në ikje Korçën e ka përdorur dhe e përdor si resortin e fundjavës. Por nuk është kujtuar që t’i japë universitetit të Korçës fondet e mjaftueshme, t’u japë studentëve që studiojnë këtu veglat për të ndërtuar një jetë me dinjitet.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër s’ka pasur sy e vesh për ju. Kjo është gjëja e parë që ndryshon në 25 prill. Ne vijmë këtu para jush, jo me premtime boshe. Ne vijmë këtu me një plan që e kemi hartuar. 2 vite punë, mbi 500 ekspertë që do të nxjerrë Korçën tonë të dashur nga kriza e thellë ku ndodhet. Në qendër të këtij plani është një zgjim i ri kombëtar dhe ekonomik. Punësimi i rinisë shqiptare është objektiv kryesor i këtij plani, plotësisht të arritshëm”, tha Basha.

Gazeta Shqip