Bardhi nga Berlini: – Qeveria po pengon integrimin europian dhe po mbron korrupsionin

19 Mars 2026
Në një reagim në rrjetet e tij sociale nga takimet e tij në Berlin, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh se situata e integrimit europian të Shqipërisë mbetet peng i qeverisë dhe mungesës së standardeve reale demokratike.
Gjatë një takimi me deputetin e Bundestagut, Knut Abraham, Bardhi theksoi se procesi i integrimit nuk mund të mbështetet në retorikë, por në rezultate konkrete, duke ngritur shqetësimin se në Shqipëri po minohet drejtësia dhe po mbrohet korrupsioni përmes vendimmarrjeve politike.
Sipas tij, kjo situatë po dëmton seriozisht besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare dhe po e mban të bllokuar rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa mesazhi i opozitës nga Berlini është i prerë: Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për zgjedhje të lira dhe për një qeveri që punon në funksion të integrimit, jo kundër tij.
Postimi:
E vërteta është që standardet europiane nuk janë çështje fjalësh, por janë çështje veprash. Dhe këtu kemi problem serioz. Qeveria dhe PS në Shqipëri po pengojnë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje politike me votë korrupsionit.
Kjo po dëmton besueshmërinë e vendit dhe po e mban peng procesin e integrimit.
Prandaj, mesazhi ynë në Berlin është i qartë: Shqipërisë i duhet ndryshimi: zgjedhje të lira dhe një qeveri që punon për Europën, jo kundër saj!
