30 Korrik 2026

Banorët e bashkisë së Maliqit kanë njoftuar këtë të enjte se do të ngrihen në protestë lidhur me hartën e re territoriale ku shkrihen 15 bashki.

Nga këto ndryshime preket edhe Maliqi, teksa PS kërkon bashkimin e saj me Korçën.

Banorët kanë njoftuar protestë ditën e diel në orën 19:00 para bashkisë.

Sipas projektligjit, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja.

Bashkitë që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.

Ndryshimet

Ashtu siç ishte parashikuar, mazhoranca ka sjellë disa ndryshime, ku janë prekur pothuajse të gjitha qarqet.

Nisur me qarkun më të madh të vendit, atë të Tiranës, Bashkia e Rrogozhinës tashmë i ka kaluar Kavajës, ndërsa Aeroporti “Nënë Tereza” do të kalojë nga Bashkia e Krujës tek ajo e kryeqytetit.

Në qarkun e dytë më të madh në vend, kemi Bashkinë e Patosit që i bashkohet Fierit, ndërsa Lushnjes i bashkohet Divjaka. Roskoveci dhe Mallakastra mbeten të paprekura.

Qarku i Elbasanit ka pësuar ndryshimet më të mëdha, ku Bashkitë Belsh dhe Cërrik i janë bashkuar Elbasanit, ndërsa Bashkia e Prrenjasit do t’i bashkohet Librazhdit. Të paprekura mbeten bashkitë Peqin dhe Gramsh.

Edhe qarku i Durrësit vjen me ndryshime, teksa Bashkia e Fushë-Krujës do t’i bashkohet Krujës.

Ndryshime do të ketë dhe në Gjirokastër, së cilës do t’i shtohet edhe Libohova. Në këtë qark ndryshime të tjera janë Memaliaj që i bashkohet Tepelenës dhe Këlcyra me Përmetin. Ndërkohë, Bashkia e minoritetit Dropull mbetet e paprekur.

Korça do të shkojë me 5 bashki. Qytetit juglindor i bashkohet Maliqi, ndërsa bashkitë e tjera Pustec, Ersekë, Bilisht dhe Pogradec mbeten njësoj.

Qarku Kukës mbetet njësoj me 3 bashki: Kukës, Has dhe Tropojë.

Në qarkun Shkodër ndryshon vetëm Bashkia Fushë-Arrëz, e cila i bashkohet Bashkisë Pukë.

Bashkisë së Vlorës do t’i bashkohet Bashkia e Selenicës, ndërsa Finiqi, Konispoli, Saranda dhe Delvina mbeten siç janë.

Në qarkun Dibër, ndryshimi vjen vetëm për Bashkinë Mat, së cilës do t’i shtohet Bashkia e Klosit.

Ndërsa në Berat do t’i shtohen Bashkia e Dimalit dhe Poliçani, teksa Kuçova dhe Skrapari mbeten siç janë.