27 Janar 2026

Aktiviteti sizmik ka rikthyer frikën te banorët e juglindjes së vendit, pasi brenda vetëm 12 orëve janë regjistruar katër lëkundje tërmeti, të cilat janë ndjerë në qytetin e Korçës dhe në zonat përreth.

Në 04:47, një tërmet me magnitudë 2.7 ballë goditi zonën e Bickës.

Por shqetësimi është shtuar ndjeshëm në orët e pasdites, kur tre tërmete të tjera janë regjistruar brenda një harku kohor prej vetëm 50 minutash.

Në orën 15:22, një tërmet me magnitudë 3.1 ballë, me epiqendër në Hoçisht, është ndjerë dukshëm në Korçë dhe zonat përreth.

Vetëm tre minuta më pas, në 15:25, një tjetër lëkundje me magnitudë 3.0 ballë ka pasur epiqendrën në Gracë.

Tërmeti i katërt është regjistruar në orën 16:12, me epiqendër në Plasë, me magnitudë 2.6 ballë.

Megjithëse magnitudat kanë qenë të moderuara, frekuenca e lartë e lëkundjeve brenda një kohe kaq të shkurtër ka rritur ndjesinë e pasigurisë te qytetarët.

Deri në këto momente nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet dhe specialistët e sizmologjisë po monitorojnë situatën.

Sipas ekspertëve, zona e juglindjes njihet për aktivitet sizmik, por katër tërmete brenda 12 orëve mbeten një zhvillim që kërkon vëmendje.