“Banesa fshatare në Shqipërinë Veriore”. -Autor: Pirro Thomo

Në librin “Banesa fshatare në Shqipërinë Veriore” te botuar vite me pere janë pasqyruar shembujt më përfaqësues të çdo tipi banese në të gjitha hallkat e zhvillimit, me qëllimin final për t’i vënë ato në mbrojtje shtetërore. Ky studim ndihmoi për t’i kuptuar ato, duke na dhënë një material të gjerë për formulimin arkitektonik, materialet e përdorura për ndërtimin e tyre, si edhe terrenit, të cilat do të na ndihmojnë për të vënë më mirë në dukje karakterin e arkitekturës popullore në Shqipërinë Veriore.

Si periudhë historike është zgjedhur ajo që përfshin fundin e shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX. Kjo prerje kohore së pari përputhet me një etapë të re në historinë e popullit tonë , kur si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme po kapërceheshin vështirësitë e disa shekujve më parë dhe po krijoheshin kushtet për unifikimin ekonomik, politik e kulturor të vendit. Së dyti, shembujt më të vjetër të banesave të ruajtura deri më ditët tona, për vetë karakterin e banesës si kategori arkitektonike më e prekshme nga shkatërrimet dhe transformimet, rrallëherë e kalojnë këtë kufi. Në këtë studim është dhënë një tablo më të saktë e tipareve arkitektonike në këtë pjesë të vendit, duke u bazuar kryesisht në materialin faktik. Megjithatë, aty ku materiali e ka lejuar, studiuesi është shtyrë edhe përtej këtij kufiri.

Shtrirja territoriale e materialit të trajtuar nuk përputhet plotësisht me nocionin gjeografik të Shqipërisë Veriore. Kufiri jugor nuk shkon deri në lumin Shkumbin por ndalet diku më sipër, në vijën që bashkon Krujën, Tiranën dhe Librazhdin, duke lënë jashtë shqyrtimit një pjesë të ultësirave perëndimore si dhe disa njësi të veçanta si Gollobordën në Dibër e Gorën në Kukës. Në libër janë përfshirë edhe materiale të mbledhura në terren nga krahinat shqiptare të ndodhura jashtë kufijve politikë siç është Rafshi i Dukagjinit, që shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës, banesa e të cilës jo vetëm ka tipare të ngjashme me banesat e disa krahinave të vendit tonë por tek ato mund të ndiqet e njëjta rrugë zhvillimi.