Joana Qeleshi

9 Tetor 2025

Joana Qeleshi, njëkohësisht kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë foli për vrasjen e gjyqtarit të ndjerë, Astrit Kalaja. Profesoresha e njohur e drejtësisë analizoi procesin gjyqësor, kohëzgjatjen në 2016-të dhe atë sot.

Avokatja tregoi se pse është gjithë ky mllef i akumuluar nga qytetarët. Me një përvojë të madhe edhe si ish-gjyqtare, Qeleshi u ndal te gjuha që përdoret çdo ditë rëndomtë nga të gjithë, politika apo qoftë edhe nga mediet.

“Mendoj që është përceptim i gabuar kjo lufta mes gjyqësorit dhe popullit. Është ushqyer nga gjuha e të gjithëve, nga media, politika, qytetarët. Nuk ka pasur filtër. Ka edhe një problem se gjyqësori është shumë larg publikut. Shumica e njerëzve nuk kanë lidhje me gjykatët, por kanë mllef të jashtëzakonshëm. Ata nuk e dinë se si është dita e një gjyqtari. Unë e kuptoj mllefin e tyre, kur tejzgjatet procesi gjyqësor. Duhet të kuptojmë se pse ka ardhur kjo.

Reforma kishte si qëllim që të merrtet drejtësi më të drejtë, më shpejt. Ne duhet të bëjmë analizën sot. Sa zgjaste në 2016-tën një çështje, sa zgjat sot. Gjyqtari fillon gjyqet në 9 dhe përfundon në 4. Një qytetar që nis gjyqin në 4 pa 10, sa i përqëndruar mund të jetë gjyqtari.

Pra, nuk mund të kërkosh diçka të jashtëzakonshme, në kushte të mjerueshme. Po të bëni një sondazh, askush nuk do të punojë në ato kushte. Ngarkesa, numri i ulët, fakti që ty të vjen një dosje që është shortuar pesë herë dhe kur vjen te ty qytetari, është lodhur. Padiskutim që njerëzit kanë të drejtë të kenë mllef se çështjet e tyre nuk janë trajtuar në kohë.

Ne jemi vend që nuk i duam statistikat, nuk i kemi qef. Më parë, një çështje shqyrtohej në 6 muaj ose 1 vit. Në rrethe përfundonte edhe në Apel për 1 vit. Aktualisht një proces në shkallë të Parë mund të shkojë deri në 3 vite. Ndërkohë, duhet të presësh 5 vite që të të vijë radha në Apel. Për mua reforma në drejtësi është dështim. Nuk besoj se ka njeri të thotë ndryshe”, tha ajo në panelin e emisionit “Top Story”.

Nga OraNews