Arkeologjia në mjerim, sot nuk krahasohemi as me vitin 1948.  -Flasin Neritan Ceka dhe Moikom Zeqo. –

Arkeologjia shqiptare është lënë në mjerim prej vitesh, vështirësitë për punën e arkeologëve nuk janë të pakta. Në reagimet e tyre profesorë të njohur pohojnë se pas viteve ’90 ka munguar vëmendja shtetërore për të ndihmuar arkeologët në punën e tyre. Mjerim, pohojnë arkeologët Neritan Ceka dhe Moikom Zeqo gjendjen me të cilën përballet sot arkeologjia shqiptare. Dje u zhvillua dhe konferenca “100 vjet gërmime arkeologjike në Shqipëri, prezenca austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare”, që mblodhi arkeologë dhe studiues të ndryshëm. Në reagimin e tij prof. Neritan Ceka shprehet se janë buxhetet që shpenzohen për projekte pa vlerë, por arkeologjia nuk ndihmohet. “Pa bërë kërkime, pa përgatitur një klasë intelektuale do të jemi gjithmonë në fushën e propagandës. Shteti të mos vjedhë kaq shumë, por ti lërë për studime. Këtë e dinë gjithë shqiptarët. Ministria e Kulturës ka dhënë dhe për një absurditet për MHK 230 milionë lekë të vjetra, që mban ekspeditat arkeologjike për 10 vjet. Por dhe këto para po shkojnë kot, absurditet të plotë.  Arkeologjia dhe arkeologët po mbijetojnë me programet, që kemi me të huajt. Deri më sot gjysma e ekspeditave nga arkeologët e huaj financohen. Paratë që jep qeveria janë vetëm 60 milionë lekë të vjetra për të gjitha, dhe nuk na paguan as dieta, etj”, shprehet arkeologu Neritan Ceka. Në këtë gjendje sipas tij as me Kosovën nuk bëhen krahasimet për trajtimin e arkeologëve. “Mjerimi i arkeologjisë, mjerimi i një shteti që është bërë fukara në shpirt. Nuk krahasohemi me Kosovën kur arkeologët paguhen shumë më mirë se sa në Shqipëri dhe shkojnë bëjnë ekspedita dinjitoze me kushte dhe persona, punëtorë, kanë mundësi botimi, etj”, vijon profesor Ceka. Edhe pse shprehet se sistemi para ‘90 ishte në diktaturë, sërish sipas tij për arkeologjinë kishte vlerësim. “U bë një konferencë nga instituti, që përkujtohet 100 vjetori i fillimit të gërmimeve arkeologjike shkencore në Apolloni nga Camillo Praschnieker gjatë Luftës së Parë Botërore, por dhe rifillimi i tyre më 1948 nga arkeologu Hasan Ceka. Ai sistem i para ‘90 nuk po them për drejtuesin e tij, por kishte një respekt për vlerat kombëtare dhe ku arkeologjia është themeli. Në atë shtet kriminal dhe absurd iu dhanë arkeologjisë para dhe mundësi për të hapur gërmimet arkeologjike në Shqipëri dhe ishte viti që u bë dhe muzeu arkeologjik. Sot pas 70 vitesh kemi qeverisje që vetëm po e sakrifikon kudo arkeologjinë. Jo vetëm kjo qeveri e fundit por dhe më parë”, shprehet profesor Ceka.

Qeveritë nuk e kanë idenë për arkeologjinë

Në reagimin e tij studiuesi dhe arkeologu dr. Moikom Zeqo shprehet se pas viteve ‘90 filloi shkatërrimi i arkeologjisë shqiptare. “Arkeologjia u bë një shkencë shqiptare dhe institucionale vetëm nga 1948 deri në 1990, sepse pati korifenj të mëdhenj të arkeologjisë. Po përmend këtu dekanin e arkeologjisë profesor Hasan Cekën, arkeologun e prehistorisë që është emër shquar Frano Prendi, profesor Skënder Anamali, etj. Zhvillimi i arkeologjisë në ato vite u bë me kritere të forta shkencore dhe u bënë dhe dy Kuvende të Studimeve Ilire si dhe revista “Iliria”, që ishte shumë serioze. Por pas ‘90 filloi shkatërrimi. U shkatërruan institucionet dhe Instituti i Arkeologjisë e humbi rolin e tij si një qendër kërkimore shkencore, ku ishin dhe bërthamat arkeologjike nëpër rrethe”, shprehet dr. Moikom Zeqo. Në reagimin e tij arkeologu i njohur shton se qeveritë nga 1992 dhe deri më sot se kanë idenë për arkeologjinë në vend. “Shteti ka përgjegjësinë dhe fajin më të madh në këtë mes. Qeveritë shqiptare nga viti 1992 dhe deri më sot nuk e kanë idenë fare se çfarë është arkeologjia dhe ka një injorancë shumë të madhe ndaj arkeologjisë në vend”, shprehet mes të tjerave dr. Moikom Zeqo. Nuk është hera e parë, që arkeologë të ndryshëm pohojnë problemet, dhe sipas tyre kjo situatë do të vijojë nëse nuk tregohet vlerësim për arkeologjinë shqiptare.

Nga Julia Vrapi