Analisti Lubonja: – Shkarkimi i Prodës për protestën, pretekst! Dihet që është ushtar i Ergys Agasit

3 Mars 2026
Analisti Fatos Lubonja shprehu kritika teksa komentoi qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në lidhje me skandalin e Belinda Ballukut, dhe mbrojtjen që i ka bërë maxhoranca në përballjen e saj me drejtësinë.
Në intervistën për News 24, analisti theksoi se priste një qëndrim më të hapur në lidhje me zëvendës kryeministren tashmë të shkarkuar, duke shtuat se ndërkombëtarët kohët e fundit kanë harruar që të bëjnë arbitrin.
“Përgjithësisht kanë qenë gjithmonë me maxhorancat, por kohët e fundit kanë harruar fare të bëjnë arbitrin. Kanë luajtur shpesh me ekipin e maxhorancës kundër opozitës. As nuk kam interes se çfarë thonë në këtë aspekt sepse prisja që të mbanin qëndrime politike të hapura mbi çështjen Balluku dhe i shoh të zbehtë. Thanë se duhet respektuar drejtësia, test kritik, e thonë këtë por teza ime është se më shumë e thonë se duan të ruajnë caqet e tyre, se bashkëpunojnë me një regjim fashist dhe nuk duan të duken se bashkëpunojnë dhe bëjnë këto thirrje. Por kur ishte fjala për kundërshtarë të interesave të tyre gjeopolitike përdorën gjuhë tjetër”, theksoi ai.
Duke komentuar sulmin e protestuesve opozitarë ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku ndodheshin artistë të huaj, ai theksoi se ndërkombëtarët do të duhet që të lexojnë mesazhin e përcjellë me këtë veprim të bërë të shtunën.
“Sa i përket vilës së Enver Hoxhës duhet të dinë ta lexojnë se në gjuhën e psikoanalizës, ajo që ndodhi quhet zhvendosje e zemërimit, ndaj autokratit të gjallë, zhvendosje simbolikisht te vila e diktatorit të vdekur se është më e lehtë. Kjo është dobësia e opozitës që e bën simbolikisht se nuk ka fuqi. Kjo lidhet me autoritarin e gjallë, që është Edi Rama.”, shtoi ai.
Për shkarkimin e Ilir Prodës nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Lubonja theksoi se i qëndron tezës së opozitës se largimi i tij në lidhje me mbarëvajtjen e protestës është thjesht një pretekst. Analisti u shpreh se shenjat tregojnë, por po ashtu edhe provat që ka SPAK, se Proda është një ushtar i Ergys Agasit, i shpallur në kërkim për dosjen e AKSHI-t.
“Për largimin e prodës është gjetur një pretekst sepse shenjat janë të qarta, provat besoj te SPAK, që ky ka qenë ushtar i Ergys Agasit, që është në kërkim dhe nuk dihet se ku është. Disa thonë se është këtu fare se e mbron policia me në krye kryeministrin, që e ka përdorur si ndërlidhës me krimin e organizuar. Këto janë rezultat i presioneve të brendshme.”, shtoi analisti.
