5 Nentor 2025

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, reagoi pas rrjedhjes të përgjimeve që, sipas tij, zbulojnë mënyrën se si zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në bashkëpunim me drejtorin e ARRSH-së Evis Berberi dhe me miratimin e Edi Ramës, kanë vjedhur me tenderin e tunelit të Llogarasë.

Shehaj tha se komunikimet mes tyre tregojnë qartë një skemë të tipit mafioz, ku vendimet për tenderë merren me “SMS” dhe nën kërcënime. Ai e quajti këtë një “bandë” dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ballukut dhe Ramës, duke theksuar se “paratë e qytetarëve janë në duart e një bande që vepron mbi kërcënime dhe interesa korruptive.”

Reagimi i plotë
Dolën përgjimet që tregojnë qartë sesi Belinda Balluku me drejtorin e saj dhe me shefin e saj kanë vjedhur qytetarët shqiptarë në aferën e tunelit të Llogarasë. Tani, i thotë drejtori, Berberi i thotë Belindës: Shiko, për pak nxjerr tunelin, edhe pak. I përgjigjet Belinda: Prit. Berberi: Për tunelin, okay? Belinda Balluku thotë: Po po, por prit t’i coj fjalën atij ** që kërcënon me SMS.

Okay, i përgjigjet Evis Berberi. Pas dy orësh Belinda i konfirmon, mesa duket ka folur me atë ** dhe ka marrë konfirmimin. Dhe i thotë tani mund ta nxjerresh. Kjo është mënyra sesi vepron një bandë në fakt, më shumë sesa një qeveri dhe një administratë që duhet të kujdeset për paratë e qytetarëve shqiptarë. Bandat veprojnë në këtë mënyrë, bandat veprojnë nën kërcënimin, por nuk e kemi të qartë kush e ka kërcënuar Belinda Ballukun për nxjerrjen e tenderit për tunelin e Llogarasë. E ka kërcënuar shefi i saj, Edi Rama? E kanë kërcënuar bandat? Apo e kanë kërcënuar ata që kanë fituar tenderin?

Ky është një skandal i paimagjinueshëm. Prandaj Belinda Balluku duhet të japë dorëheqjen sa më shpejt, por bashkë me të edhe Edi Rama, sepse imagjinoni në duart e kujt janë paratë e qytetarëve shqiptarë. Në duart e një bande.