
Afera e anijeve gjenerator dhe heshtja e Ministres Balluku
3 Maji 2025
Anijet gjeneratorë të ardhura nga Bangladeshi, të njohura si Tigri 1 dhe Tigri 3, kanë patur vëmendjen tonë për më shumë se tre sezone. Kjo për shkak të parregullsive në procedurat që janë ndjekur hap pas hapi, që nga blerja e deri tek vënia në punë e tyre. Por le të rikthehemi të bëjmë një përmbledhje të këtij skandali me kosto prej disa dhjetra milion dollarë për buxhetin e shtetit.
Anijet u blenë nga kompania offshore Exelerate Energy Limited Partnership nga Bangladeshi në 2022 për 15 milion dollarë, ndërkohë që kompania publike, KESH bëri kontratë për t’i marrë ato me qira për plot 45.5 milion dollarë. Pra, 3 fish më shtrenjtë. Një absurditet, që thërret me të madhe skandal.
Por nuk mbaron me kaq, sepse nëse 45.5 milion dollarë do të jepen për qiranë, vlera që do të shkojë për operimin nga kompania tjetër fituese Renco, kap shifrën 22.5 milion dollarë. Pra, plot 68 milion dollar, që do të merren nga arka e shtetit, që mbushet me taksat e qytetarëve për të përfunduar në xhepat e pronarëve të kompanive fituese.
E theksojmë, u zhvillua një tender emergjent kur nuk dihej se kur do të vinte malli që po kërkonin. Tani le të sqarojmë pak më mirë çështjen e emrit te kompanise fituese.
Na u shit publikisht se anijet termike janë sjellë nga kompania amerikane Excelerate Energy, por na ka rezultuar se firma që është marrë me këtë ka vetëm emrin e ngjashëm, pasi bazën e ka në shtetin offshore Delaëare, parajsë fiskale që mban sekret pronarët. Në dokumenta shihet se oferta në KESH është dorëzuar me logon e firmës prestigjoze Excelerate Energy, por në brendësi del se certefikata e regjistrimit është e një kompanie tjetër Excelerate Global Operations LLC, ndërsa personi që ka firmosur ofertën është Daniel Bustos, shefi i njësisë tregtare i një tjetër Excelerate, asaj Limited Partnership. Të dyja kompanitë, si Excelerate Global Operations ashtu edhe Excelerate Energy Limited Partnership rezultojnë me seli në shtetin offshore Delaware.
Pra, kontrata që vlen miliona dollarë sjell dokumenta të tre kompanive të ndryshme?
E jo vetëm kaq, por kur anijet ndizen ndotja mjedisore që i shkaktohet zonës së mbrojtur në gjirin e Vlorës është kolosale. Dy TEC-et kanë një kapacitet prodhues energjie prej 114 megavat orë dhe kërkojnë konsumin e 500 ton në ditë lëndë djegëse të llojit mazut. Sot nuk ka asnjë interes që termocentralet lundruese të ndizen pasi çmimi i energjisë është normalizuar dhe KESH ka patur një vit të mirë ku ka shitur energji.
Por ato u ndezën sigurisht, sepse nevoja për ta çuar deri në fund këtë aferë me qëllimin për ta justifikuar atë kalon çdo arsyetim logjik, fitimprurës në buxhetin e shtetit
Një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe analiza që ka bërë KLSH, ku del se çmimi i energjisë së prodhuar nga anijet, del 268 euro për megavat/orë, pra 4 herë më i shtrenjtë se të blesh energji në import. Por pavarësisht kësaj KESH ka marrë përipër kostot e zhdoganimit të anijeve, vajit lubrifikues dhe nxjerrjes së lejeve, licansave, autorizimeve dhe marrjes me qira të depozitave të lëndëve djegëse dhe për të gjitha këto janë shpenzuar edhe 9.4 milion euro të tjera.
Për të gjitha këto fakte, personi në majën e piramidës së kësaj afere korruptive, Ministrja Belinda Balluku nuk dha asnjë përgjigje në përballjen me Piranjat.
Ndaj vëmendjen për shpëtimin e 68 milion dollarëve që rrezikojnë të ikin dëm dhe milionave të tjera që do të shpenzohen për lëndet djegëse, ia kërkojmë drejtësisë, konkretisht SPAK-UT, i cili më në fund duket se ka nisur të veprojë, duke hapur hetimet.