A do të vazhdojnë të rriten qiratë në vend? Eksperti: – Po shkojmë drejt një brezi që s’do të blejë kurrë një shtëpi

ergis sefa
22 Maji 2026
Ekspoerti i ekonomisë, Ergis Sefa, i ftuar në nje interviste televizive, ka ngritur alarmin për rritjen e vazhdueshme të qirave dhe kostos së jetesës në Tiranë, duke paralajmëruar se situata pritet të rëndohet edhe më shumë gjatë muajve të ardhshëm. Sipas tij, qiratë do të vazhdojnë të rriten, sidomos në periudhën shtator-tetor, kur kryeqyteti përballet me fluksin e studentëve dhe të qytetarëve që zhvendosen drejt Tiranës për mundësi punësimi.
“Absolutisht qiratë do të vazhdojnë të rriten. Fatkeqësisht, po e jap unë lajmin e keq: qiratë do të vazhdojnë të rriten, ndonëse jo me të njëjtin ritëm si më parë. Nga lëvizja ekonomike që shohim, do të ketë prapë një rritje këtë vit, sidomos në pjesën e shtator-tetorit. Problemi më i madh nuk është vetëm rritja e qirave apo çmimeve, por raporti me të ardhurat.
Nëse kostoja e jetesës rritet me 5%, por rroga nuk rritet me të njëjtin nivel, ky është problem. Vitet e fundit, rrogat në Shqipëri nuk janë rritur në nivele të kënaqshme. Edhe pse ka pasur një tendencë rritjeje në administratën publike, ajo përbën vetëm 1/4 e forcës punëtore dhe nuk ka reflektuar rritje në sektorin privat, i cili ka pothuajse dy vite që nuk shfaq lëvizje”
Ekonomisti bëri publike edhe disa të dhëna nga një studim i realizuar, ku rezulton se një çift i ri që jeton me qira në Tiranë ka nevojë për minimumi 130 mijë deri në 140 mijë lekë të reja në muaj për të përballuar jetesën bazë. Ai shtoi se, për shkak të zhvillimeve globale dhe rritjes së çmimeve, kjo shumë mund të ketë arritur aktualisht deri në 150 mijë lekë. Ndërkohë, paga mesatare në kryeqytet llogaritet rreth 90 mijë deri në 95 mijë lekë, çka sipas tij tregon se shumë familje ndodhen vetëm pak mbi nivelin e mbijetesës.
“Kemi bërë një studim në fund të vitit të kaluar për koston e jetesës. Rezultoi se për një çift që do të nisë një jetë të re në Tiranë, duke marrë shtëpi me qira, nevojiten minimumi 130,000 deri në 140,000 lekë të reja në muaj. Për shkak të konflikteve globale, kjo shifër sot mund të ketë shkuar në 150,000 lekë minimumi. Ndërkohë, paga mesatare në Tiranë është diku te 90,000 deri në 95,000 lekë.
Pra, një çift me dy paga mesatare është vetëm pak mbi nivelin e mbijetesës. Nëse llogarisim ushqimet e shportës bazë dhe strehimin, këto të dyja bashkë zënë minimumi 56% deri në 60% të të ardhurave. Para pesë viteve, kjo shifër ishte rreth 40%. Kur shpenzon 3/5 e pagës vetëm për mbijetesë, nuk mund të flasim më për mirëqenie, hobi apo pasione, tha ekonomisti.
Në lidhje me blerjen e një apartamenti, ekonomisti deklaroi se për shumë të rinj kjo po bëhet gjithnjë e më e paarritshme. Sipas tij, për të marrë një kredi bankare dhe për të ruajtur një standard minimal jetese, një individ duhet të ketë të ardhura mbi 140 mijë deri në 150 mijë lekë në muaj, ndërsa një çift duhet të sigurojë mbi 200 mijë lekë të ardhura neto. Ai paralajmëroi se Shqipëria mund të shkojë drejt një realiteti ku brezi i ri do të jetojë gjithë jetën me qira.
“Për të blerë një shtëpi me kredi, kësti i bankës shkon pothuajse aq. Për një kredi 70,000-80,000 euro, kësti është i lartë. Së dyti, banka nuk e mbulon 100% shtëpinë; duhet të kesh të paktën 20% të vlerës si kursim, që janë dhjetëra mijëra euro. Së treti, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime: kësti i kredisë nuk mund të kalojë 40% të të ardhurave tua.
Që të paguash një këst prej 60,000 lekësh, duhet të kesh një pagë mbi 140,000-150,000 lekë në muaj. Sa të rinj e kanë këtë pagë në Tiranë? Kam frikë se po shkojmë drejt faktit që do të jemi brezi i parë që do të jetojmë gjithë jetën me qira.
Për të blerë një shtëpi, një çift duhet të ketë të ardhura neto mbi 200,000 lekë në muaj, të marra së bashku. Një individ i vetëm duhet të ketë të ardhura 140,000-150,000 lekë që të kualifikohet për kredi dhe të mbajë cilësinë e jetës. Nën 110,000 lekë në muaj është e pamundur të marrësh kredi pa sakrifikuar gjithçka.”
Duke krahasuar situatën me rajonin dhe Europën, Sefa tha se qiratë në Tiranë janë ndër më të lartat në Ballkan në raport me të ardhurat. Ai theksoi se çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë përtej logjikës normale ekonomike dhe se në treg ka elementë spekulimi financiar dhe ndikim të parasë informale. Sipas tij, kreditë e buta nuk kanë pasur ndikimin e pritshëm në treg, pasi numri i familjeve përfituese mbetet shumë i ulët krahasuar me nevojat reale të qytetarëve.
