“6 milionë euro u transferuan në Zvicër” nga Balluku. Llabani zbulon pistat: – Në lojë dhe zyrtarë të..

7 Nentor 2025
Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, duke zbuluar detaje të reja mbi hetimet që po zhvillohen ndaj saj.
Sipas Llabanit, Partia Demokratike, përmes deputetit Gazment Bardhi, ka qenë një nga paditësit që ka dorëzuar dosjen ndaj Ballukut në SPAK. “Fakti që PD del sot me dokumente të tjera që vërtetojnë thellimin e këtij skandali, tregon se PD disponon materiale dhe prova shtesë për rastin,” tha ajo.
Moderatorja nënvizoi se ndaj Ballukut janë regjistruar 7 deri në 8 procedime penale, që përfshijnë shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion, duke shtuar se dokumentet e bëra publike deri tani janë “vetëm maja e ajsbergut”.
“Sot që flasim, ndaj Ballukut SPAK ka 7-8 procedime penale dhe kemi të bëjmë me disa dosje për gjëra të ndryshme që lidhen jo vetëm me shpërdorimin e detyrës, por edhe pastrim parash dhe korrupsion. Në komunikimet dhe dokumentet e publikuara për menaxhimin e kontratave publike pamë vetëm fillimin. Ato tregojnë si janë dhënë kontratat dhe si janë prishur balancat buxhetore, duke rritur kostot për shtetin,” u shpreh Llabani.
Një prej hetimeve më serioze, sipas saj, lidhet me transferimin e mbi 6 milionë eurove në një bankë zvicerane në emër të Ballukut, çështje që është tashmë objekt hetimi ndërkombëtar. “Ka një çështje tjetër shumë të rëndësishme që është ndërkombëtarizuar, transferimi i mbi 6 milionë eurove në Zvicër në emër të Ballukut. Për këtë rast janë përfshirë edhe zyrtarë të sistemit doganor,” theksoi Llabani.
Ajo shtoi se për këtë aferë SPAK ka dërguar letërporosi ndërkombëtare dhe pritet përgjigje nga disa vende, përfshirë Zvicrën dhe Meksikën, ku dyshohet se janë realizuar transferta të tjera me shuma të mëdha parash.
“Sipas të dhënave që kam, një nga personat kyç në këtë aferë është Klodian Çami, zyrtar në Drejtorinë e Doganave, i cili ka pasur komunikime direkte me kryeministrin Edi Rama. Ai është konsideruar si ‘kutia e Pandorës’, sepse vepron si një bankë e vogël që ka garantuar transfertat e parave të bëra në emër të shtetit,” deklaroi ajo.
Llabani tha gjithashtu se Çami është personi që ka menaxhuar fondet e doganave dhe që, sipas informacioneve, ka kryer pagesa për zyra të ndryshme në Athinë, gjatë periudhës para zgjedhjeve. “Kur sistemi doganor përfshihet në transferta të tilla, nuk kemi më të bëjmë me individë, por me përfshirje të institucioneve shtetërore,” përfundoi Llabani.
Nga: Gazeta Sot
