31 Mars 2023

Më shumë se 5 mijë mjekë e infermierë shqiptarë përllogaritet se janë larguar vetëm drejt Gjermanisë në 10 vitet e fundit, duke krijuar vështirësi në sistemin shëndetësor! Për ata që kanë mbetur kërkohet vëmendje e vlerësim i shtuar.

Mbi 5 mijë mjekë e infermierë përllogaritet të jenë larguar nga Shqipëria drejt Gjjermanisë përgjatë dekadës së fundit.

Tendenca për të braktisur vendin mbetet në rritje thotë Aurora Dollenberg, Presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Aurora Dollenberg, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë: “Kjo e thekson edhe më tepër rëndësinë që të merren masa edhe nga shteti shqiptar që kjo hemoragji e trurit të mjekëve, apo të profesionistëve të tjerë të shëndetit, të stopohet në kohë”.

Largimet masive kanë krijuar probleme e mungesa të mëdha në sistem. Më së shumti ndihet nevoja e specialistëve por edhe mjekëve të familjes.

Esmeralda Babamusta, Mjeke: “Mjekët e familjes në përgjithësi shkojnë të specializohen jashtë, ndërsa një pjesë e specialistëve ikin nga Shqipëria për të punuar. Kështu që duket sikur specialistët mungojnë më shumë, por raporti është njësoj. Edhe mjekë familje ikin shumë p[ër t’u specializuar”.

Largohen për pagë e kushte më të mira ndaj Skënder Brataj kërkon më shumë vëmendje e vlerësim ndaj bluzave të bardha.

Skënder Brataj, Drejtor i Urgjencës Kombëtare: “Ne kemi mjekësi shumë të mirë, kemi sistem arsimor të mrië. Puna është tek vlerësimi i mjekut edhe nga vetë institucionet së pari: Jo të naquajnë një herë “këmishë të mardhë” dhe një herë tjetër “këmishë të zezë”; jo “heronj” kur ka pandemi, dhe kriminelë kur kapin ndonjë fenomen dhe përgjithësojnë gjithë mjekësinë”.  

Teksa Shqipëria po rrit pagat Gjermania po lehtëson ligjet për të joshur mjekët. Ligjet e miratuara së fundmi atje pritet të nxisin një valë tjetër largimesh nga vendi ynë.

Aurora Dollenberg, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë: “Patjetër që dhe vendet evropiane bënë presionin e tyre për të rekrutuar forcat punëtore të kualifikuara shqiptare. Është Gjermania ajo që dje ka miratuar për herë të parë një ligj që tregon që të gjithë profesionistët e shëndetit që duan të punojnë në Gjermani kanë të drejtë tashmë edhe pa një kontratë paraprake pune, të shkojnë në Gjermani dhe të fillojnë të kërkojnë punë pa asnjë barrierë pasi të jenë aty banues. Dhe lehtësimi i dytë është që pas 5 vitesh eksperiencë pune në Gjermani ke mundësi që të marrësh diplomën gjermane të konvertuar të mjekësisë apo infermierit pa pasur nevojën e dhënies së një provimi”.

Eksodi i mjekëve e infermierëve si dhe nevoja për reformimin e sistemit shëndetësor ishin në fokus së konferencës së organizuar të premten nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Nga OraNews