38 vjet pas shuarjes se Eqrem Çabejt.

Prof. Emil Lafe

Më 13 gusht 1980, në një spital të Romës, mbylli sytë Eqrem Çabej, një nga lisat më të lartë të shkencës, arsimit dhe të kulturës shqiptare, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Mësues i Popullit. Vdekja e parakohshme – sapo kishte mbushur 72 vjeç – i ndërpreu vijimin e veprës së tij të jetës “Studime etimologjike në fushë të shqipes” dhe të punëve të tjera që kishte nëpër duar. E. Çabej ka lënë një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme me mbi 200 tituj veprash, artikujsh e tekstesh mësimore. Kontributin më të shënuar e ka dhënë në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane e ballkanike. Duke iu mbajtur parimit se historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë gjuhë, ai ka përfshirë gjerësisht në studimet e veta edhe kulturën materiale e shpirtërore të Shqiptarëve në shfaqjet më të larmishme të saj, kështu që në personalitetin e tij shkencor janë shkrirë në një gjuhëtari, etnologu e folkloristi dhe historiani.

Vepra shkencore e E. Çabejt, me gjithë gjerësinë e shumanshmërinë e saj, është e përqendruar në disa probleme themelore të historisë së gjuhës dhe të popullit shqiptar. Me njohjen e thellë të gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj, me forcën e analizës e të sintezës shkencore, me objektivitetin dhe logjikën e rreptë që përshkon veprën e tij, dhe me mprehtësinë e vëzhgimit e të arsyetimit që e karakterizonte, E. Çabej argumentoi një varg tezash themelore për burimin dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, për gjenezën e popullit shqiptar, për karakterin autokton të këtij populli në trojet e sotme të tij, për rolin aktiv e dinamik të Shqiptarëve në marrëdhëniet historike me popujt e tjerë, për njësinë e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare, për pasurinë e fjalorit të shqipes dhe mundësitë e pashtershme zhvilluese të tij. Në të gjitha këto fusha ai solli kontribute vetjake origjinale me rëndësi të madhe kombëtare dhe për gjuhësinë indoeuropiane e ballkanike.

Çabej është i pari dijetar shqiptar që trajtoi në nivelin e shkencës bashkëkohore probleme të tilla të rëndësishme të albanologjisë, të cilat më parë kishin qenë fushë pune vetëm e albanologëve të huaj. Mendimi i tij edhe sot është autoriteti shkencor më i lartë në albanologji.

Vepra mjeshtërore e tij “Studime etimologjike në fushë të shqipes” prej shtatë vëllimesh përbën një sintezë të dijeve të thella e të gjera dhe të përvojës së gjatë që kishte fituar në gjurmimin e burimit të fjalës shqipe e të historisë së saj. Kjo vepër, që shënon një etapë të re në studimet historike për shqipen, përbën njëkohësisht një kontribut me vlerë të gjithanshme për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, për indoeuropianistikën dhe për teorinë e përgjithshme të etimologjisë. Autori nuk arriti të kryejë pasurimin dhe redaktimin përfundimtar të gjithë kësaj vepre të hapët. Vetëm vëllimi i dytë doli në gjallje të tij (1976) dhe ai arriti të përgatitë e të çojë në shtyp vetë edhe vëllimin e parë, që përmban hyrjen studimore. Vëllimet e tjera u përgatitën për botim me kujdesin e gjuhëtarëve Seit Mansaku e Anila Omari dhe të së bijës së tij, Brikena Çabej. Urojmë që Instituti “Eqrem Çabej” i themeluar kohët e fundit dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, ku prof. E. Çabej punoi gjithë jetën, të ndërmarrin një botim të plotë akademik të veprës shkencore të tij.