Doni të dini si ka qenë Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?… (pjesae II). –

…Ja si e përshkruan atë Lumo Skëndo në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1898

Mjeshtëritë

Në Gegëri  bota janë më punëtorë dhe ç’do gjë që kanë nevojë e bëjnë vetë: punojnë leshnjë, linë, mëndafshin; në Prizren dhe në Jakovë punojnë armët dhe bëjnë shumë gjëra me fill argjendi: ashtu edhe lëkurët.

Në Shqipërinë e Jugës bota sa venë e po bëhen shumë përtasës dhe u pëlqen më mirë të rrinë me duar në gji e të varfërë, se sa të punojnë. Andaj dhe në më të voglin fshat, njerëzia vishet me plaçkë të huaj. Veç ca velenxa dhe guna, s’bëjënë gjë tjatër, por ç’do plaçkë e sjellin së jashtmi. Është keq dhe turp i madh që të rrimë kështu si jemi sot. E thamë sa është i bukur e i mirë dheu ynë: të duamë me një çikë  punë mund të bëhemi të pasur e të lumtur. Fajin e kemi vetë.

Metale

Shqipëria, si mirret vesh, është plot metale; por asnjë s’punohet. Afër Korçës ka huj (thëngjill guri), si dhe afër Durrësit, dhe në malet mbi Sarandë, po s’punohen. Në Selenicë afër Vlorës del një serë fortë e mirë. Në malet e Qimarës gjendet squfur, afër Konicës kristal shkëmbi (dyr); në malet afër Vlorës gjendet kripë (si kripë e Pirevit). Në Konicë, në Përmet, në Lesh, ka banja squfuri të ngrohta; afër Dibrës dhe Ysqypit banja squfuri. Afër Manastirit, në Eqshi-Su është një ujë i thartë, fort i mirë për të pirë.

Si nga të tjerat gjëra në Shqipëri, as nga metalet s’del ndo një fitim.

 

Ç’pjell dheu ndë Shqipëri?

Shqipëria ka vendin fort të bukurë. Klima e saj në jugët dhe anës detit është e ngrohtë, dhe në veri pakëz e ftohtë, por e shëndoshë. An’ e detit nga Preveza e në Vlorë, po më tepër Çamëria është si një kopsht parajse: s’bie kurrë, pothua, dëborë dhe vapave të mëdha as emrin s’ua dinë. Atje bëhet ulliri sa një lis, portokaleja, limoni, qitroja, shëga sa një kokë njeriu. Afër Qimarës, në Palasë, bëhet edhe hurmaja sado që s’jep pemë. Prapë nga Vlora e në Ulqin, an’ e detit është plot pyje dhe ullinj; çdo drit bëhet në këto anë si dhe orizi në vende që ka ujë: në Myzeqe, afër Peqinit; e në Margariti del një oriz i mirë.

E tërë Shqipëria është pjellore: Vendet e unjët japin çdo drithë e pemë, vreshtë etj. Dhe pyjet janë plot kullota e të veshur me dushk, ah, bushk, bredha, gështenja, arra, lajthi etj. Malet me kullota ushqejnë bagëti dhe  lumenjtë dhe kënetit ziejnë nga pishqet. Pyjet e thellë ushqejnë dhe ujq, derra, arinj, drerë, sorkadhe gjepura, kunadhe etj.

Malet e Ohrisë e të Tetovës janë me emër në tërë faqen e dheut. Ver e prizerenit, e kosturit dhe e Ohrisë janë për t’u mbajtur në gojë. Duhani i Metojisë (fush’ në mes të Ipekut, Jakovës, Prizerendit dhe Mitrovicës) e i Beratit, fasulet (groshet) e Ysqypit janë fort të mira.

Fush’ e Myzeqesë të qërohesh, sikundër e thamë, do bëhesh një vend pjellor që do të ushqente tërë Shqipërinë. Fush’ e Manastirit mbush botën me grurë, elp, misër etj. Fush’ e Korçës ka disa vjet që ka zënë e po bëhet moçalinë, dhe pa shkuar shumë kohë do të bënet fare baltë, kështu është edhe gjysma e fushës së Lurës: këto vende që shkel uji dhe fush’ e Zadrimës që mahnitet njeriu duke parë sa është pjellore, po që çdo mot e mbyt uji dhe s’lë të punohet, me pak mundim mund të qërohen dhe të hapen vijëra që të mos mbetet uji.

Me gjithë këtë pjellori që ka dheu, Shqiptarët mezi gjejnë bukë të hanë! Ç’është shkaku i kësaj mënxyre”

“Shkaku i kësaj varfërie që e bën njeriun të qanjë, është se Shqiptarët janë (na vjen ligsht ta themi) janë përtesësh e më tepër se arëbërës janë barinj: duan më mirë të venë  me dhen se sa të punojnë dhenë. Veç kësaj dhenë e punojnë në një mënyrë fare të prapambeturë, domethënë s’kemi zënë ende (akoma) të përdorim dituri të dhédhënjes për të nxjerrë sa më tepër bimë. Të tëra këto vinë se jemi gjysmë t’egër e s’kemi zënë të qytetërohemi, kemi mendjen fare me të tjera gjëra e jo me punë e me mirësi”.

Po një nga ngajet e mëdha të varfërisë në të cilën rrojnë Shqiptarët sot, është mos pasja e rrugëve dhe urave. Megjithse ç’do njeri në Shqipëri paguan ç’do mot një pagesë të madhe guvernës, me nonjë anë të vendit tënë s’ka udhëza, dhe kjo ndalon fort vajtjen dhe ardhjen, të shpënët e plaçkave, dhédhënjen dhe tregërinë; pa le njerëzit dhe kafshët rrëzohen çdo ditë nga rripat, a mbyten në lumenjtë, me qenë se s’ka udhë gjëkund.