Zëvendës sekretari amerikan i shtetit Hale në Kosovë: Duhet të këtë njohje reciproke me Serbinë.

9 mars  2019

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, David Hale, po qëndron të shtunën në Prishtinë “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

Vizita në Kosovë është ndalesa e fundit e vizitës së tij në Evropë gjatë së cilës qëndroi edhe në Beograd prej nga u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërpresin provokimet dhe të rihapin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Bisedimet janë pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për vazhdimin e tyre pa heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar trysninë ndaj Kosovës pë pezullimin e tarifave dhe kjo kërkesë ishte në qendër të vizitës së zotit Hale.

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit Hale

Pas takimit të së shtunës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetin facebook se theksi i diskutimeve ishte “vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë moment të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona”, shkroi ai.

Presidenti Thaçi tha se Kosova nuk pajtohet me kushtëzimet e Beogradit, por është gati “për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Parlamenti i Kosovës e ka miratuar platformën për dialogun. Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Donald Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi se në takim ka paraqitur gatishmërinë e Kosovës dhe unitetin e saj që të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe qëndrueshmëri.

Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të platformës së dialogut dhe ligjit. E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar disa herë se “njohja e ndërsjellë” duhet të jetë në thelb të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në prag të vizitës në Serbi dhe Kosovë, zëvendës sekretari David Hale i tha të përditshmes serbe Danas, se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të “diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit” dhe se “ka mundësi që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet”.

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit Hale

Por, tash për tash është e paqartë nëse mund të ketë një rifillim të shpejtë të bisedimeve dhe ndërsa Beogradi pret që trysnia amerikane të nxis Kosovën të pezullojë tarifat, Prishtina pret që perëndimi të shtojë trysninë mbi Beogradin për të njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur 11 vjet më parë.

burimi: voa

v.l. Dita