Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e PS bëri një përmbledhje të zhvillimeve politike të vitit që lamë pas, duke u përqendruar tek reforma në drejtësi.

“Viti u karakterizua nga një betejë për drejtësinë dhe besoj se e përcaktoi qartë PS si garanten e reformës në drejtësi, duke e ndarë politikën në 2 kampe; kampi i reformistëve, PS dhe atyre që e duan këtë reformë deri në fund dhe kampi i të tremburve nga reformave, që tani është zgjeruar me aleatët tanë të mandatit të parë”, tha mes të tjerash Rama.

Duke e cilësuar PS si forcën e vetme politike që mund tu garantojë shqiptarëve atë që presin nga reforma në drejtësi, Rama u shpreh se PS në asnjë moment nuk lejoi që të komprometohej reforma në drejtësi dhe se ishte pikërisht kjo çështje që ndau rrugën e PS me aleatin e saj të djeshëm LSI.

“Ne rrezikuam qeverinë, por nuk lejuam të rrezikohej reforma në drejtësi dhe e mbajtëm gjallë aleancën sa i preket të së majtës së bashkuar pa komprometuar reformen. Qëndrimi ynë për të mos e komprometuar reformën në drejtësi ndau rrugën tonë me LSI”, tha Rama.

Sipas Ramës, çelja e negociatave me BE po kërcënohet nga brenda Shqipërisë, pikërisht nga frika prej reformës në drejtësi që ka kapur opozitën.

“Ulja e Shqipërisë në tryezën e negociatave është një detyrë që duhet të bashkojë mazhorancën dhe opozitën. Ndryshe mund të ndodhë që Shqipëria të bjerë në vakum dhe të mos e realizojë këtë aspiratë, që është vetëm disa muaj larg. Për ne çelja e negociatave është një kënaqësi e jashtëzakonshme, por jo një triumf partiak. Duhet të jetë triumfi i Shqipërisë dhe ne jemi të gatshëm ta ndajmë me opozitën”, tha Rama.

6 janar 2017