Nga  Juljan Vlashi

Në afresket e kishës ruhet një mbishkrim latin, që mban datën 1272. Sipas Teodor Ipeen: “Në qoftë i saktë ky lexim i mbishkrimit, atë here del se kisha është ndërtuar në vitin 1272”.

Sipas një studimi të Dhimitër Shuteriqit, pas një rileximi të hollësishëm të mbishkrimit, është arritur në përfundim se mbishkrimi i përket vitit 1254.

Një mbishkrim i kishës, që tani nuk eksziston, por i regjistruar nga B. Orsini (Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës) në fillim shek. XVII, flet për djegien e kishës nga Andre Vrana në vitin 1267. Andre Vrana ishte emëruar nga Manfredi i Siçilisë si kapiten i Arbërit, pas pushtimit të disa qyteteve arbërore në vitin 1257-58.
Me sa kuptohet kisha nuk u dogj tërësisht. Sipas Shuteriqit, mbishkrimi i vitit 1254 është bërë mbi një tjetër më të moçëm, i cili nuk lexohet por që ka lënë gjurmë. Kështu vertetohet se kisha ka pësuar disa dëmtime.

Bizantologia ruse Viktori Puzanova, themeluese e restaurimit të artit bizantin e post-bizantin në Shqiperi, veren se afresket e Rubikut, mund të interpretohen me qelës Komnen, gjithnje sipas afreskut të bërë në vitin 1164 në kishën e famshme të Sh. Pantelejmonit në fshatin Nerez të Shkupit.

Kisha e Shëlbuemit, përmendet për herë të parë në vitin 1166, kur abati i saj (Georgio abate Sancti Salvatoris Arbanensis) merr pjesë në shugurimin e kishës së Shën Trifonit në Kotorr të Malit te Zi.

Në një dokument të vitit 1267, përmendet abati Dhimitër i kishës së Shëlbuemit (L’ abate Demetrio di S. Salvatore di Rubigu).

Nga kjo periudhë kisha e Shëlbuemit përmendet në mënyrë konstante, sidomos nga relatorët kishtarë.
Sipas studiuesve kisha i ka fillesat që në shek. VI.

Guntram Koch ka verejtur se: “Kisha e Shëlbuemit në Rubik demostron në mënyrë shembullore pozicionimin e Shqipërisë ndermjet lindjes dhe perëndimit. Forma planimetrike e kishës dhe harkadat e mbyllura (e maskuar) në apsidë, janë të stlit romanik, por po këtu stili i pikturës murale është qartësisht bizantin. Mbishkrimet shoqëruese këtu janë në gjuhën latine dhe paraqitja e shejtërve tipikë katolikë dëshmojnë përsëri për ndikime nga Europa Perëndimore”.

-Eshtë për të ardhur keq, që ky monument me vlera të veçanta monumentale, historike, kulturore dhe fetare, nuk ka pasur vëmendjen më minimale nga Instituti i Monumenteve.