D.D rrëfen për herë të parë torturën nga akuzat e paqena prej hetuesve komunistë. Ky është një nga rastet që Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka regjistruar në arkivat e saj, si dëshmi e gjallë nga krimet e diktaturës
Dosja D.D është një nga rastet më flagrante sesi regjimi komunist i hiqte zvarrë njerëzit deri në degradim total. Familja e saj kurrë nuk arriti të ngulej në një vend, qoftë edhe buzë një gremine. E bija e saj, të paktën për 15 vitet e para të demokracisë, emigruar në Itali, nuk ka tentuar asnjëherë të vijë në Shqipëri, vetëm për faktin e tmerrit të komunizmit, duke ruajtur sindromën e frikës së asaj kohe kur degdiseshin orë e çast, ditë e natë. Ky është një nga rastet që Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka regjistruar në arkivat e saj, si dëshmi e gjallë nga krimet e diktaturës. Ish-të përndjekurit rrëfejnë torturat, inskenimet e akuzave politike dhe jetën e tyre pas rifitimit të lirisë, që tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të regjistruar me kamera dhe diktofonë.
Emrat e persekutorëve të tyre thuhen hapur, pa drojë, por duke kujtuar gjithçka si ditën që ka ndodhur. Asgjë nga memoria e tyre nuk është fshirë. Janë të vërteta që asnjëherë nuk janë thënë dhe pohojnë se do të duheshin libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje.
Mbi këto dëshmi, Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë ka hartuar plot 200 dosje, me emra njerëzish që kanë sajuar vrasje e internime pa fund, për arsye nga më të ndryshmet. Në kuadrin e mbledhjes së këtyre dëshmive për evidentimin e torturës, për të hedhur sadopak dritë mbi pasojat e persekutimit gjatë viteve të diktaturës, si dhe për të mos lënë në harresë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë, u formuluan nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit dhe u shpërndanë një numër pyetësorësh (500). Këta pyetësorë u shpërndanë me ndihmën e Institutit të ish të Përndjekurve Politikë në gjithë territorin e vendit. Pyetësorët e shpërndarë kishin për synim të evidentonin gjendjen socialo-ekonomike të ish-të përndjekurve politikë, të nxirrnin në pah pasojat psikologjike te viktimat e persekutimit politik.
Ish-të përndjekurit politikë sot shqetësohen më tepër për situatën e tyre ekonomike dhe marrëdhëniet familjare, sesa për vuajtjet që kanë përjetuar në të kaluarën. Persekutimi i gjatë politik nga njëra anë ka lënë pasoja në nivelet e izolimit dhe vetëvlerësimit, ndërsa nga ana tjetër ka ndikuar edhe në nivelin e besueshmërisë së tyre. Kjo lidhet ngushtë me mënyrën si ata përjetojnë të tashmen dhe si e shohin të ardhmen. A ekziston një lloj stereotipi paragjykues te të përndjekurit politikë, si grup i neglizhuar dhe i lënë në harresë? Ndërsa shkëpusim rastin e persekutimit të grave, përndjekjen e tyre si përgjigje të debatit të hapur së fundi në media për trajtimin e tyre nga hetuesia e diktaturës, nëse ka ekzistuar përdhunimi si fenomen. Nga këto dëshmi, ndonëse është konsideruar e vështirë për t’u denoncuar prej grave, të përndjekurat përmendim pa droje gjithë llojet e torturave që kanë hequr nga persekutorët e tyre.
E mban mend hetuesin?
Hetuesin? Vangjel, Vangjel …. nga Berati kishte ardhur…
Si ju trajtonte hetuesi ju?
Shumë keq. Unë shkoja e robtuar dhe qaja, dëgjoja zë fëmije. Ndërkohë që ai këndonte “përmbi portokalle moj të mora erë un ty” i thoshe, dhe e kërcënonte se ju më kini fol për të më marrë të dhëna mua. Këngën s’dua ta dëgjoj. Ajo është puna jonë, ajo është puna jonë, rri aty, trego D, trego D. Po unë nuk kisha…më ulnin poshtë, më ngrinin lart, …më ulnin poshtë… tortura.
Çfarë torturash mban mend në hetuesi?
Në hetuesi më ndalën jashtëqitjen. U trokëllija, s’kërkoja gjë tjetër, as rrahje asgjë.
U trokëllija, isha e ftohur. Me një gjysmë batanije mbulohesha dhe e vija dhe për shtroje. Ato birucat e Skraparit janë nën tokë, nuk janë në nivel, ishin shumë të ftohta. Të shkoja në banjë?! Bëje dhe fshije të mos ta gjejmë ne aty- më thoshin. Dhe në banjë dy herë në ditë arrija të shkoja. Në 6 të mëngjesit dhe në 6 në darkë. Kjo ishte më e rënda nga çdo gjë. Nuk ishte as buka, as goditja se sa mos kishe mundësi të…
Përdornin dhunë fizike?
Jo.
Dhunë psikologjike?
Po ja këto. Na vinin alarmin në orën 12-të të natës. Nënkryetari i degës Neshat Guri dhe hetuesi me emrin Vangjeli më kërcënonin, se nuk do mund t’i shihja fëmijët, se do të kisha shumë pasoja.
I ke takuar tani këta njerëz që përmendi?
I kam takuar.
Çfarë u ke thënë?
S’ia arritët qëllimit o zuzar! Çfarë mund t’u thuash më? Njëri ka vdekur, kryetari i degës së brendshme.
Por pas gjashtë muajsh hetuesi the se dole në gjyq, si shkoi ky proces?
Mbas 6 muajsh hetuesit çuan dosjen në gjykatë. Gjykata mbasi e analizon, dërgon përfaqësuesin në degë të brendshme dhe thotë: materiali që ju më dhatë, unë nuk e komentoj në këtë formë, pasi mund të marr pasoja për punën time, sepse nuk kam materiale për radiotransmetuese për këtë person. Nuk u dha asnjë informacion, nuk u pa asnjë gjë, e si mund ta akuzojmë? Është akuzë e kotë. Por ata nuk e morën parasysh këtë. Ndërkohë që iu përgjigjën gjykatës se mos të refuzonin akuzën që më kishin vënë, se ata nuk kishin ndër mend të më nxirrnin nga burgu. Pavarësisht nuk del nga burgu, por për këtë akuzë jo- tha gjykatësi. Atëherë ata këmbëngulën që akuza të tjetërsohej për shpërdorim posti. Kurse për prokurorin e Beratit, ai qe i gatshëm çfarëdo që të të vinin, thoshte se e kisha bërë. I kam parë unë – thoshte. Ai ishte shumë agresor edhe shumë i egër, shumë i vendosur për të shtypur padrejtësisht çdo njeri, mënyra e tij e punës. Dola në gjyq dhe m’u ngritën këto akuza…
Gjyqi ishte i hapur?
Gjyqi u bë dhe u lajmëruan që nga Tomorrica, me altoparlant thërrisnin: dëgjoni tradhtinë e një gruaje anti-pushtetit popullor. Dhe dritare të tëra u mbushën me njerëz. Dikush thoshte “varni”! Dale, dale- tha Refati gjykatësi, se ka ca rregulla, as neni përkatës jo, mënyra e veprimi të kësaj, nuk është kriminal. Ngadalë, ngadalë qe urdhri i tij. E më dënuan 4 vjet për shpërdorim edhe abuzim ndaj Partisë tonë… Kërcënimi i tyre ishte se meqë ti s’na mund dot ne…. ti munde veten. Më dënojnë kështu 4 vjet, pretenca e prokurorit dhe anëtarëve tjerë, meqë isha nënë e 6-të fëmijëve, pa arsim përkatës. Dhe më lanë tre vjet. Mbas dënimit më çuan në qytetin Stalin. Kalova atje rreth 2 vjet, ku më pas arrestojnë Barjamin.
Kur ishe ti në burg?
Po në të njëjtën kohë kur isha unë në burg, e arrestojnë edhe Barjamin. Ishte viti 1975, kur i japin urdhër nga lart për të shkuar në Prrenjas- Gur i Kuq. I thanë pas kësaj se kërkohet një specialist i mirë në Skrapar, dhe se ai duhet ta kishte kënaqësi që po e çonin. Im shoq e refuzon duke i thënë se kishte gjashtë fëmijë për t’i mbajtur. Atëherë i japin urdhër, për t’u paraqitur tek nënkryetari Reshat Bregu, me vendimin e prerë për të shkuar, do apo s’do. Një prokuror, nuk e di çfarë e quajnë, i ardhur nga Berati edhe nënkryetari e marrin me xhips Barjamin edhe (shpjegimet e Barjamit) edhe e çojnë deri në Poliçan. Në Poliçan i hodhën një batanije në kokë mos të shihet edhe e çojnë në birucat e Beratit, duke i thënë, shiko çfarë favori: të hodhëm batanije, që nesër kur të dalësh mos të thonë që u izolove.
E kërcënuan që të fliste se më kë bisedonte për pakënaqësitë që kishte kundër pushtetit. Ai u thoshte se nuk fliste me njeri, se e kishte mendjen tek ushqimi i fëmijëve, kur e hodhën nga malet e Tomorrit. E mbajtën nja 2-3 muaj aty, kur vëllezërit e mi interesoheshin aty për mua më thanë, që Bajrami nuk është në Prrenjas, u bë si një i humbur dhe s’po e gjenin. Ku nuk e kërkuan njerëzit e mi Bajramin. Ai humbi. Askush nuk e kishte parë. Kaluan kohë, kishin ardhur në shtëpi, kishin bërë kontroll gjeneral, kishin shqepur dhe jastëkët e kokës dhe jorganët edhe e nxorën në gjyq. E dënojnë 8 vjet. 8 vjet agjitacion e propagandë. Ai ishte shumë i specializuar për punën e tij, kishte talent edhe punonte jashtë orarit. Në gjyq i nxorën dy dëshmitarë që nuk i kish parë gjëkundi edhe i thanë që kishte folur me to kundër regjimit. Jo i tha- as kam folur se unë e dija frikën. Por ai thotë se nëse nuk do të kishte mendime kundër sistemit do të ishte gënjeshtar. Sepse ai ishte torturuar së bashku me gjashtë fëmijët e tij pa shtëpi, pa bukë, duke u degdisur herë pas here. Pastaj del një dëshmitar tjetër që thotë se im shoq ka folur për pakënaqësi ndaj sistemit dhe se ka dashur të zhduket. Hetuesi reagon duke thënë se nuk do ta vriste se do ishte kënaqësi e madhe, por do e ngarkonte me gurë në mal të Tomorrit dhe do të urdhëronte të zbriste me to në shpinë. Kjo është torturë. Siç kemi hequr neve. Në vitin 1976 unë dola nga burgu.
Në kohën që ti ishe në burg dhe Bajrami në burg…ku ishin fëmijët?
Barjami ishte në Spaç…Fëmijët qëndronin vetëm në shtëpi, dhe askush nuk futej brenda për t’i ndihmuar, pothuaj i zinte lebrosa.
Me çfarë jetonin?
Me çfarë jetonin? Ja i binin vëllezërit nga Tirana ndonjë gjë. Por edhe nga lagjja ka pasur disa komunistë të mirë si Kareman Ylli, Teki Malindi, që shkonin gjoja për shëtitje edhe hidhnin ndonjë paqetë se xhadeja ka qenë afër shtëpisë sonë. Këta kishin humanizëm sepse duke parë padrejtësitë u dhimbseshin fëmijët.
Vajzat e shikonin dhe u vinte zor, ku mbajnë mend se u bënë si kosh plehrash.
Sa keqardhje kishte dhe e merrte paketën ta hiqte po shumë e pezmatuar, kur shihte se kishte brenda 4-5 mijë lekë. Kjo ishte shumë herë e përsëritur edhe nga miqtë tanë. Nga Tirana vinte vëllai u linte sa mundesh se dhe këta ishin në shënjestër. Kështu e kaluan fëmijët e mi jetën.
Ju u liruat në ’76?
Në ’76. në 22 dhjetor, erdha në shtëpi. Gjeta fëmijët.
Nga Qyteti Stalin shkove drejt në shtëpi?
Po drejt në shtëpi.
Si e përjetove lirimin nga burgu?
Gjëja më e bukur, s’ka. Mora frymë edhe gjeta numrin tamam pa vuajtje. S’kisha nevojë të pyesja se unë e imagjinoja, të bësh një vizitë e të lësh 6 fëmijë edhe atë të gjirit ta plasësh duke qarë. Por është Zoti, fuqia absolute shumë e madhe që ka parë padrejtësitë të bëra mbi ne, mbi fëmijët tanë. Se s’kishte mundësi të jetohej. Ja të lësh 6 fëmijë njëri në sisë, e madhja 12 vjeçe, kjo është për të treguar me keqardhje dhe për të marrë të tërë informacion se ka një Zot. Zuzari punon edhe kërkon të godasë, e kërkon të shfarosë horri po fuqia absolute e atij i mbajti fëmijët e mi. Asnjë mendim tjetër s’ka.
Për sa orë e bëre rrugën nga Q. Stalin për në Çorovodë?
Nuk e di se ishte ajo gjendja e… a do arrij a s’do arrij.. e gjallë të shoh fëmijët, s’dua gjë tjetër.
Po, a shkove në shtëpi…??
Po. Shkova në shtëpi…I gjeta fëmijët. Ishte një gëzim që nuk mund të ta them. S’dija pastaj se ku është kjo, ku është ajo. Shumë komshinj që hynin dhe unë nuk dija asgjë për sendet e shtëpisë. Shtëpia ishte bosh, gjithçka na ishte marrë, madje edhe një radio “sonra” që e kisha blerë me paratë e barrës kur punoja në Fier. Edhe atë ma…morën. Po nuk i llogarit njeriu kuvertën e perdet e mullirin apo radion….Por ndihma e Zotit gjeta numrin e shtëpisë. Edhe nuk e ndjeja mungesën e Barjamit. Mendoja për fëmijët, torturat e tyre pa ne.
Vajte në shtëpi, fillove punë?
Jo. Jo nuk fillova punë por erdhën vëllezërit dhe i thanë sekretarit të parë: të lutem kjo me 6 fëmijë, ka nevojë për edukatën tonë, neve nuk duam t’i biem në Tiranë (se Tirana ju hoqi e Fieri e të tëra) por duam t’ japim një bukë. Një bukë ta ndajmë në mes se nga Tirana nuk e përballojmë dot. Teki Malindi na tha se do ta shtronte këtë si problem me Partinë dhe degën e Brendshme.. E shtroi. Ia refuzuan! Për një moment ja refuzuan. Do ta shikojmë prapë- i thotë vëllait. Kështu mbetëm në pritje. Në vitin ’81 a ’82 del im shoq nga burgu.
Nuk ju lejuan të iknit nga Skrapari në Tiranë?
Nuk na lejuan. Jo për në Tiranë, për në rrethe, tha vëllai. T’i kemi afër t’u shpiem nga një gjysmë buke, nuk diskutohej Tirana.
Edhe nuk të lejuan?
Jo.
Ti ku punoje?
Nuk punova.
Me se jetoje?
Na sillnin bukë vëllezërit nga Tirana.. Asnjë gjë nuk kishim. Ndërsa im shoq ishte në Spaç.
Kur u lirua nga burgu yt shoq?
Në ’82… duke llogaritur në ’75…… me një sjellje shembullore në Spaç, pa munguar një ditë, duke bërë normën përditë, shumë rigoroz në punë, në tunel e të tëra. Vjen në Skrapar dhe i flet një punonjës i degës së brendshme, i thotë: të ka ardhur një përmbajtje, një biografia e punës tuaj në Spaç që është shumë shembullore. Po pse këtu s’kam qenë shembullor. Ju kot më groposët, unë që kam qenë këtu isha dhe atje? – i tha im shoq. E liruan duke i siguruar dhe një vend pune, por im shoq nuk pranoi duke iu thënë se më mirë preferonte të rrinte pa punë se sa t’i bëheshin për së dyti ato intriga që iu bënë dhe ta degdisnin sërish në burg.
Domethënë, yt shoq nuk pranoi të punojë?
Nuk punoi…
A mund të na thoni si të gjeti pluralizmi?
Ne kishim ardhur në Tiranë përpara ’90-ës, nja 3-4 muaj me arsyen se kisha vajzën sëmurë, më dridhej natën. Pluralizmin? Kush ka gojë ta shpjegojë. Gëzim i madh, gjithë fëmijët e mi u lumturuan harruan çfarë iu bë. Ato janë thika përjetë, por për momentin gëzuam se zuzarët, u spostuan për 16 vjet jo pak na krojtën pasuri të tundshme, e të patundshme, na lanë pa shkollë 6 fëmijë, ishte një kohë plot krime,
A jeni e kënaqur me demokracinë?
Shumë e kënaqur. Ku ka komente…të flasësh.
Demokracia i shërbeu integrimit tuaj?
Nuk na ka shërbyer.
Jeni të zhgënjyer nga ana politike?
Shumë.