Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Parlamenti dhe ligji për SHISH

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Parlamenti dhe ligji për SHISH

Ajo që ndodhi ditën e enjte në Parlament, me shtyrjen e votimit të ligjit për SHISH, apo të amendamentit të deputetit Fatos Hoxha , që e reduktonte votimin vetëm në aprovimin ose jo të pikave që lejonin ndryshimin e kryetarit të SHISH, (askush nuk e mori vesh mirë këtë punë) gjykoj se meriton të komentohet më së pari pozitivisht. Kjo për disa arsye:

Së pari, pamë se foltorja e Parlamentit është një vend shumë më normal për të bërë politikë, që i jep më shumë dinjitet politikës sesa përvojat e mëparshme jashtë-parlamentare të zgjedhur nga opozita, me greva urie dhe me mobilizime të sforcuara militantësh.

Së dyti, u pa se Parlamenti mund të ishte edhe një instrument mjaft efikas për të kontrolluar dhe korrigjuar abuzimet e maxhorancës sepse ja që u krijua mundësia për të korrigjuar dhe për të penguar një ligj që përndryshe do të kalonte.

Së treti, pamë se foltorja e këtij institucioni nxjerr në pah edhe figura të reja dhe jo vetëm liderët karizmatikë të fjalimeve në mitingje. Besoj se lideri i opozitës Rama duhet ta ketë kuptuar se stonoi me atë deklaratën e tij jashtëparlamentare për SHISH, ndërkohë që lufta bëhej në Parlament.

Thënë këto, që më duken më të rëndësishmet, nuk mund të mos bëj kritikën se në Parlament ra në sy vazhdimësia e asaj kulture të vjetër politike, ku spikat niveli i lartë i iracionalitetit dhe emocionalitetit në kurriz të argumenteve serioze dhe të arsyetuara. Gjykoj se ndryshimi i kësaj kulture është shumë i rëndësishëm për ti dhënë dinjitetin e munguar këtij institucioni, çka do të ndihmonte shumë edhe për të edukuar e informuar njerëzit me seriozitet dhe përgjegjshmëri qytetare.

Nuk do mend se kuriozitetin më të madh e kisha për ligjin për SHISH, që ishte paralajmëruar se do të ishte qendra e betejës së Parlamentit midis maxhorancës dhe opozitës, por edhe i LSI, dhe vërejtjet e mia nisen nga çka pashë e dëgjova lidhur me këtë ligj.
Në debatin për ligjin, ajo që më mungoi fort si pritshmëri ndaj deputetëve ishte informacioni i saktë dhe argumentet racionale. Është e vërtetë se kontestimi kryesor u bë për procedura, për futjen e amendamentit në një mënyrë jashtëprocedurale, por si qytetar dhe gazetar kërkoja edhe informacion profesional për shkakun e kundërshtimit të tij. Dhe hapësira e koha për këtë nuk mungonte. Kurse deputetët më zhgënjyen në këtë aspekt.

Nuk ka pikë dyshimi se kohët e fundit ka një rritje të prirjeve të Sali Berishës për të përqendruar pushtet, që me fjalë të tjera mund të thuhet një prirje e Qeverisë për tu identifikuar me Shtetin, ose për ta vënë Shtetin në funksion të Qeverisë duke harruar, pra se, në një demokraci, duhet të ndodhë e kundërta. Intuitivisht, duke pasur parasysh përvojën dhe kulturën tonë mbizotëruese, shumëkush e mendon se Berishën e shqetëson një SHISH që nuk e ka nën kontrollin e tij apo që nuk mund ta përdorë për pushtetin e tij, ashtu sikurse e shqetëson edhe një Gjyqësor që nuk e ka nën kontroll edhe një President e me radhë. Kjo është kultura jonë. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për liderin e opozitës Rama dhe gjykoj se detyra jonë është të mbrohemi nga një prirje e tillë e të zhvillojmë një kulturë tjetër. Por në funksion të kësaj, në një debat parlamentar mendoj se nuk mjafton denoncimi i përgjithshëm i kësaj prirjeje për të qenë bindës me publikun. Kërkohet pra gjuha e deputetëve juristë, ekspertë që e vërtetojnë këtë prirje që ka ligji.

Ndërkaq në debatet e shumta kundër ligjit mbizotëronin batare politike të përgjithshme rreth dy argumentesh: së pari se kjo po na prish me amerikanët, me NATO-n, dhe e dyta se Berisha me këtë ligj synon ta vërë SHISH nën hyqmin e tij madje, sipas ndonjërit, nën hyqmin e serbëve. Të njëjtën gjë vura re edhe në deklaratën jashtëparlamentare të liderit të opozitës Rama: asnjë argument serioz, por vetëm paralajmërime emocionale të tipit "Hiq duart nga SHISH", "Ky ligji i hap luftë SHBA", shoqëruar me një fetishizim të partnerëve ndërkombëtarë (për fat të keq ky ishte edhe argumenti i Ilir Metës së LSI, për të deklaruar votën e tij kundër ligjit) të cilët na dolën faktori kryesor që e ndaloi apo shtyu aprovimin e këtij ligji apo të amendamentit të propozuar.

Të më falin të nderuarit deputetë, por unë si qytetar kërkoj më shumë respekt, qoftë për sa i përket të drejtës sime për të pasur prej tyre një informim të saktë të përmbajtjes së ligjit, qoftë për faktin se meraku kryesor i tyre, sipas meje, duhet të jetë e drejta ime si qytetar dhe jo interesi i cilitdo vendi të NATO-s. Për shembull unë kërkoj të më argumentohet mirë dhe qartë se pse ligji i vjetër ishte hartuar ashtu dhe cilët ishin nenet e tij që duheshin ndryshuar nga nevoja për ta përmirësuar punën e institucionit (sipas maxhorancës) apo cilat ishin pikat e tij të forta (sipas opozitës) që po prekeshin duke e dobësuar pavarësinë e tij. Në cilat nene qeveria merr kontrollin? Në një të përditshme lexova se, sipas ligjit të ri, kreu i SHISH duhet ti jepte llogari Kryeministrit në çdo kohë dhe jo një herë në vit, nëpërmjet Raportit, dhe se SHISH duhet ti marrë dorën Qeverisë nëse do të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vende të tjera për realizimin e objektivave të tij, por nuk e dëgjova nga asnjë deputet një argument të tillë.

Po ashtu do të doja të dija se përse partnerët ndërkombëtarë janë kundër këtij ligji. E vetmja gjë që dëgjon poshtë e përpjetë është se kreu i SHISH, Shaqiri, është zgjedhur nga amerikanët dhe se ata e duan atë sepse i besojnë atij. Nuk më duket se mjafton kaq, që përfaqësuesit e një bote demokratike të kundërshtojnë një ligj. As nuk e besoj se ata e duan Shaqirin të përhershëm sepse edhe në vendet e tyre nuk ka kryetarë institucioni të përhershëm. Shaqiri do të vihej kështu në rangun e Papës apo të mbretërve. Unë besoj se ka argumente të tjera, të cilat kërkoj ti di dhe nuk më jepen qartazi.

Mua si qytetar pra nuk më mjafton të më thuhet se këtë nuk e duan amerikanët dhe prandaj ti mos kërko të dish më shumë. As nuk mendoj se SHISH amerikanët e konsiderojnë si degë të një drejtorie të CIA-s. E kuptoj që lufta kundër terrorit është një detyrë e veçantë e SHISH, mjaft e lidhur me shërbimet e huaja, ashtu sikurse edhe ajo kundër krimit të organizuar. E kuptoj shumë mirë gjithashtu se, duke qenë se partitë tona nuk janë të ndara nga krimi i organizuar, por më shumë janë shprehje e interesave të tij, vënia nën kontrollin e pushtetit të tyre të një institucioni të tillë do të ishte si ti shtoje krimit të organizuar edhe një sy e një vesh e një dorë më shumë. Por di edhe që megjithëse SHISH e paskan amerikanët, ne nuk po shohim ndonjë kontribut të tij të madh kundër krimit të organizuar.

Po ashtu, nëse SHISH jeton si një trup i huaj brenda këtij trupit të madh të shtetit tonë, kjo do të ishte një rast i veçantë edhe interesant për tu analizuar. E këto do të doja të diskutoheshin me seriozitet, përgjegjshmëri dhe transparencë nga deputetët tanë, ashtu sikurse edhe për mënyrat se si ky institucion, për të cilin paguajmë, do të ishte edhe më efikas edhe, njëherësh, i ndërtuar në mënyrë të atillë që të mos mund të bëhej vegël e cilësdo parti politike në pushtet. Dikush do të thotë se kjo nuk u bë pasi debati u fokusua në atë nëse duhej futur në procedurë votimi ky ligj dhe jo në diskutimin e tij të thelluar, por unë ngulmoj se kjo nuk i pengoi shumë deputetë ta komentonin ligjin (sëbashku me kryetarin e PS) e se, në këto komente, nuk gjeta thuajse asgjë nga ato që kërkoj.

Me fjalë të tjera dua tu them të nderuarve deputetë se më pak retorika iracionale dhe manipulative që krijojnë (me dashje apo pa dashje) kaos dhe më shumë transparencë, informacion dhe racionalitet, jo vetëm do ti jepte më shumë dinjitet Parlamentit, atyre vetë, dhe ne të gjithëve, por do ta bënte politikën tonë edhe shumë më efikase në të mirë të vendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama