Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Jam homoseksual

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Lubonja
Jam homoseksual

Është e dyta herë që se në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm, - sipas disa mediave deri në 400 vetë, -demostrojnë kundër një personi të vetëm, Klodit, i cili në emisionin Big Brodher të Top Channel paska guxuar të deklarojë se është homoseksual. Klodi ka njollosur qytetarinë lezhjane dhe kombin shqiptar, Lezha nuk e meriton njollën e homoseksualitetit, Klodi nuk është lezhjan,  Klodi nuk duhet të shkelë më në Lezhë dhe as në Shqipëri, por andej nga e ka marrë këtë eksperiencë, në Itali, sepse nuk duam që ky fenomen të ndikojë tek fëmijët tanë.  - janë disa nga deklaratat që lëshojnë, si pa të keq, nëpër media. (Shekulli 12 mars 2010)

Kërkojnë, pra, që Klodi të zhduket jo vetëm nga skena e televizionit, por edhe nga qyteti i Lezhës dhe Shqipëria dhe sdo të rreshtin së protestuari derisa ta arrrijnë këtë.

Duken të sigurt, pa pikën e dyshimit se mund të jenë duke bërë ndonjë punë të keqe. Pamjet dhe fotot e tyre të kujtojnë ngazëllimin e fanatikëve në Mesjetë që galdonin duke parë të digjeshin në turrën e druve heretikët. Mund ti përfytyrosh me lehtësi se do të shkonin me krenari të shtonin ndonjë dorë lëndë që flaka të bëhej edhe më tmerronjëse nën këmbët e një hmoseksuali të djegur nën turrën e druve.

 Në vështrimin e parë mund të të kapë inati dhe ndjenja e përçmimit ndaj tyre, duke parë se me çfarë paturpësie, arrogance dhe lehtësie nxitojnë tia bëjnë ferrr jetën një njeriu që su ka bërë asgjë përveçse ka guxuar të deklarojë prirjen e tij seksuale. Por problemi nuk janë ata. Problemi është se këtyre të rinjve dhe jo vetëm as nuk u shkon ndërmend se janë pamja e mjerimit të shoqërisë shqiptare të shekullit XXI. Problemi i vërtetë është bash ky mjerim dhe pavetëdija për të. Ata njerëz, me ragimin e tyre, tregojnë se sa e izoluar nga bota e qytetëruar ka mbetur Shqipëria, se çfarë niveli edukimi kanë të rinjtë tanë, e jo vetëm, por edhe se çfarë pune është bërë nga të rriturit, për të futur në këtë shoqërinë tonë kulturën e respektimit të të drejtave të njeriut njëzet vjet pas daljes nga regjimi i dhunimit par exellence të këtyre të drejtave. Nuk e di nëse i ka instrumentalizuar kush këta protestues – jam i sigurt që dikush qëndron prapa tyre – por, ashtu siç e ka provuar tashmë historia e çdo diskriminimi, sjellja e tyre e dhunshme është gjithashtu shenjë se këta njerëz jetojnë në një shoqëri me frustracione të thella. Zgjedhja e një viktime për ta dhunuar kësisoj është shenjë e dhunës, brutalitetit dhe injorancës që ushtrohet mbi ta. Dikush ka ngritur me të drejtë pyetjen: pse këta bandillë nuk protestojnë për varfërinë që po i mbyt, pse nuk protestojnë për shkatërrimin ekologjik që po i bëhet rrethit të tyre e me rradhë. Po pikërisht pse nuk protestojnë dot për këto, ngase nuk dinë dhe nuk mundin, protestojnë kundër homoseksualit Klodi.

Shkaqet e kësaj homofobia janë deri diku të kuptueshme po të kemi parasysh se vijmë nga një regjim totalitar që i mbajti shqiptarët për gjysëm shekulli të izoluar nga çdo gjë që ishte e ndryshme nga modelet që predikonte ideologjia nacional - komuniste e Enver Hoxhës, madje që erdhi duke u barbarizuar nga dekada në dekadë. Të gjithë e kujtojmë se si na është kallur në ndërgjegje homofobia në atë kohë edhe nëpërmjet kulturës e vetë gjuhës edhe nëpërmjet faktit se dënohej me burgim të rëndë. Dihet po ashtu se homofobia ka rrënjë edhe më të thella sesa komunizmi Por jam i bindur se edhe para diktaturës edhe në kohën e diktaturës shqiptarët do të tregoheshin shumë më të kujdesshëm në manifestimin e ndjenjave të tilla kaq linçuese ndaj një homoseksuali. Kjo që pamë në Lezhë është diçka që flet për një barbarizim dhe analfabetizim dramatik të shoqërisë. Të duket sikur në Lexhë të mos ketë më shkolla e mësues, as shoqëri civile as kisha e xhamia e priftërinj e hoxhallarë dhe as politikanë. Ose që këta janë në një nivel të mjeruar. Prandaj gjykoj se edhe nëse është e kuptueshme kjo sjellje, kur ke parasysh të kaluarën, ajo është skandaloze po të kesh parasysh se tash njëzet vjet aspirojmë të bëhemi pjesë e një bote ku sjellje të tilla ndaj një individi homoseksual as nuk imagjinohet se mund të kryhen edhe nga grupet më fashistoide.

Gjykoj se sjellja e këtyre të rinjve dhe parrullat e tyre publike ndaj Klodit dhe familjes së tij janë akte linçimi ndaj të cilit duhet të reagojë jo vetëm moralisht shoqëria, por edhe ligjërisht shteti i së drejtës. Ato janë shkelje e parimeve bazë kushtetues, të të drejtave të njeriut.

Personalisht nuk kam ndonjë ndjeshmëri ndaj atij që quhet imazh apo përmirësim i imazhit të Shqipërisë pasi jam kundër kulturës së aparencës që është aq e përhapur në shoqërinë tonë, ku njerëzit ndryshe shfaqen me të huajt e ndryshe me njëri tjetrin, por në këtë rast është mirë që elita shqiptare, ajo politike kryesisht, që flet aq shumë për hyrjen në Evropë, për rezultatet që ka arritur në procesin e integrimit, të reagojë ndaj demostrimesh të tilla që e dëmtojnë imazhin e Shqipërinë ndoshta edhe më shumë se sa dhuna e konflktaliteti politik apo mungesa e drejtësisë. Ajo që po ndodh në Lezhë tregon se nuk mjafton të bësh një ligj për heqjen e dënimit të hmoseksualitetit apo që lejon martesat e homoseksualëve për tu bërë pjesë e familjes evropiane të shekullit XXI. Për këtë duhet investim në shkollim e edukim, për ti nxjerrë njerëzit nga injoranca dhe mjerimi shpirtëror dhe kulturor ku janë zhytur. Në këtë kontekst organizatorët e protestave në Lezhë, që kujtojnë se po mbrojnë nderin e qytetit e të Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësohen se i kanë dhënë qytetit të tyre imazhin e një qyteti barbarësh e injorantësh ku nesër e mbrapa do ti zërë frika të shkelin edhe shqiptarët e qytetëruar e jo më evropianët. Lezhë , I will never visit again! A German tourist in Albania from Munich. Shame on you (Lexhë nuk do të të vizitoj kurrë më. Një turis gjerman në Shqipëri. Turp të keni!) Ky ishte një nga shënimet që gjeta në internet si koment të lajmit mbi protestat në Lezhë.

Prandaj gjykoj se gjithkujt që kërkon të mbrojë ato vlera të cilat na u dhunuan aq egërsisht në diktuaturë, siç janë liria për të qenë vetja jonë, për të shprehur mendimin ndryshe, duhet ti dalë në mbrojtje Klodit. Gjithkush duhet të thotë me zë të lartë jam homoseksual për ti bërë ballë kësaj vale barbare sa nuk është vonë. Dhe, kush mendon se kjo barabari kërcënon vetëm homoseksualët, me të cilët ai ska të bëjë, gabohet shumë. Ajo është një kërcënim për lirinë e kujtdo.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama