Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ja na erdhi Kampionati Botëror

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Ja na erdhi Kampionati Botëror

Para pak kohësh, kur greva e urisë së socialistëve ishte në vazhdim e sipër, i ndodhur në një tryezë ku bisedohej se si do të shkonte fati i saj, se çfarë do të ndodhte, si do të mbyllej, kur etj., dikush më befasoi kur tha: “ja, sa të fillojë Kampionati Botëror i Futbollit dhe s’do ketë më njeri mend për grevën” ...Pasi greva u mbyll te “Krokodili” në Bruksel, afrimin e Kampionatit Botëror e pashë të evokohet përsëri, në një nga gazetat afër maxhorancës, ku kishte një shkrim me titull pak a shumë të tillë: “Edi Rama pret Kampionatin Botëror, për t’iu harruar dështimi i grevës”.

Dhe më duhet të pohoj se këto batuta janë gjetje që godasin. Por edhe se prapa tyre qëndron një e vërtetë dramatike: ajo se politika është bërë e po bëhet dita-ditës më shumë një spektakël mediatik me të cilën njerëzit duhet të merren në kohën jashtë punës, ashtu siç merren me futbollin, për t’u mbushur me emocione dhe ndjenja tifozërie, për të vrarë pra kohën, siç i thonë, e ku politikanët janë ata që na ofrojnë në ekrane spektaklin e radhës.

Ka kohë që është kështu, madje mund të them se modelin e kemi marrë nga bota që duam të imitojmë, por doza e kthimit të politikës në spektakël sikur po shtohet dita-ditës dhe ndërkaq është pikërisht imitimi ai që e bën këtë tonin një karikaturë të Perëndimit, bashkuar me faktin se ne s’kemi asgjë tjetër përveç këtij spektakli. Në të gjithë botën ka Big Brodher, por vetëm tek ne personazhet e tyre mbushin faqet e para të gazetave. Vetëm tek ne gjen kombinime titujsh të vendosur krah për krah me të njëjtën stërmadhësi gërme e fotosh të tipit: “Albani fiton Big Brodherin, Adelës i mbetet Bjordi”/”Rama e  Berisha, peng emrat e kandidatëve për deputetë”; “Si vdiq në Gërdec baxhanaku i Berishës”/”Aurela: “Tani jam në kontakt me seksin, po mendoj martesën”. “Albani dhe Adi nga Big Brodher në listat e deputetëve”.

Duket sikur e gjithë jeta jonë është katandisur në një Big Brodher të madh, që e ndjekim nga ekrani apo shtypi ku ndërrojnë vetëm skenografitë dhe aktorët.

Duhet thënë se me grevën e urisë spektakli mediatik arriti kulmin. Në fakt hapja ose mbyllja e kutive ishte dhe mbetet një skenar i gjetur për të emocionuar e për të arritur në një pikë kulminante si greva. Merita e regjisorit Rama për këtë është e pamohueshme. Edhe vendosja e kampingut të çadrave në mes të Bulevardit, para Kryeministrisë, ishte një gjetje. Duhet thënë po ashtu se kundërpërgjigja e regjisorit Berisha, se opozita synon të pengojë shtyrjen e vizave (edhe kjo punë e vizave e hipertrofizuar për hir të spektaklit) apo se grevistët shohin nga frëngjitë e çadrave të grevës dritaret e baballarëve kriminelë në ish Komitetin Qendror me ëndrrën që të kthehen në ato zyra, e pasuroi dramacitetin e shfaqjes edhe me retrospektiva plot emocione.

Darka te “Krokodili”, pastaj, u ndoq nga gjithë shqiptarët “live” e shoqëruar me komente. Gazetarët e gdhinë duke pritur se çfarë do të thuhej. Pastaj na u ofrua edhe dy javë suspens, puntata të reja, sepse u shfaq në skenë ultimatumi i ndërkombëtarëve. Analistët e krahasuan gjendjen me Rambujenë, duke na thënë se kush nuk do të firmoste do të bombardohej. Çfarë emocionesh! Dhe ja ku na erdhi Kampionati Botëror i Futbollit. Sa jam i gëzuar. E kush është si ne. Tamam kur na mbaroi adrenalina e politikës na erdhi Botërori. Për të rritur adrenalinën duhet shtuar doza. Overdozë. Futbolli është një overdozë e mirë.

Të gjithë lokalet janë të mbushur me ekrane, qendrat e basteve janë plot, megjithë krizën, apo ndoshta pikërisht për shkak të krizës. Dhe më e bukura është se nuk shohim futbollistët tanë në ekrane, pasi futbolli ynë është një mjerim. Shohim futbollin e huaj. Tani jemi pjesë e një Big Brodheri gjigand, botëror. Ashtu si edhe në Itali edhe në mediat tona duket të fillojnë komentet se cili nga futbollistët është më i bukuri e cili më i shëmtuari në çdo skuadër që luan. Çfarë trushpëlarje e mrekullueshme!

Dhe s’ka pse biem në dëshpërim edhe duke imagjinuar fundin e Botërorit. Pas këtij spektakli të madh, sigurisht nuk do të vonojë edhe ai tjetri, i lojtarëve të politikës. Ata po presin sa të mbarojë Botërori, ndoshta edhe pushimet e verës për t’ua rizënë vendin e parë futbollistëve në vëmendjen e spektatorit. Tryezat e specialistëve të futbollit do t’ua lënë vendin shpejt atyre të specialistëve të politikës. Dhe gjëra edhe më të bukura e më emocionante se Greva e urisë dhe Krokodili na presin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama