Fajin e ka Berisha

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Fajin e ka Berisha

Një vullkan i mbrapshtë e i pabesë shpërtheu në Islandën e Jugut, duke ngritur në qiellin evropian një re të stërmadhe hiri me grimca silici, xhami e avuj, që i nxori telashe të mëdha shumë vendeve: me dhjetëra aeroporte u mbyllën, me qindra fluturime u anuluan, miliona njerëzve iu prishën planet dhe ëndrrat.

Por askush nuk i akuzoi qeveritarët islandezë për paaftësi administrimi të kësaj dukurie natyrore, madje as partitë e opozitës brenda vendit. Pyetjet që më sulmuan  befasisht, kur mora vesh këtë lajm, ishin tri: Po sikur të kishim pasur ne, shqiptarët, një vullkan diku mes maleve tona krenare? Po sikur ky vullkan të ishte po aq krenar sa malet tona dhe, duke përfituar nga liria e shprehjes, të merrte fjalën në gjuhën e tij të zjarrtë, me lavë, re hiri dhe dridhje toke?... Po sikur ky shpërthim të sillte pasoja rrënuese jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet fqinje, madje edhe më gjerë, kush do ta kishte fajin? Me siguri, opozita aktuale, me zotërinjtë Edi Rama e Gramoz Ruçi në krye e në bisht, do t’i ishte vërsulur Kryeministrit Sali Berisha dhe do t’u provonte tërë shqiptarëve këtej e andej kufijve shtetërorë, pa dallim partie, krahine, feje, seksi e ideje, se gjëma vullkanike nuk do të kishte ndodhur sikur të ishin hapur kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit të shkuar ose, të paktën, disa prej tyre, për shembull ato të Ruzhdies.

 Aq më tepër që një shqiptare, pikërisht me emrin Ruzhdie (mbiemrin nuk mund ta them tani për tani) na qenkesh ndodhur mu në Rejkjavik, kryeqytetin e Islandës, ditën e shpërthimit të vullkanit të mbrapshtë e të pabesë. Po çfarë dreqin kërkonte ajo atje? Mund të formulohen hipoteza të ndryshme lidhur me arsyet e vërteta të vajtjes së saj në atë zonë, por një gjë duket shumë e mundshme, gati-gati e sigurt: sipas disa burimeve ende anonime të Bashkisë së Piongjangut, kryeqytetit tê Koresë së Veriut, kjo zonjë, që na u merrka me biznes materialesh ndërtimi, na qenkesh ngarkuar të blinte gurë me prejardhje vullkanike, por me reflekse rozë, për të shtruar sheshin “Skënderbej” në mënyrë që socializmi (jo ai fitimtar i Enver Hoxhës) por ngadhënjimtar i Edi Ramës të përjetësohet mu në zemër të kryeqytetit tonë. Mirëpo, Sali Berisha, nëpërmjet kanaleve të tij të mistershme, e paskesh marrë vesh këtë gjë dhe paskesh luajtur gjithë gurët, në mënyrë që Ruzhdia të blinte gurë vullkanikë, refleksi rozë i të cilëve të kthehej në refleks blu me të mbërritur në Tiranë.

Që t’i realizohej kjo dëshirë vullkanike, Sali Berisha qenkesh konsultuar me vullkanologë të dëgjuar, të cilët e paskeshin siguruar që ky ndërrim ngjyrash mund të ndodhte vetëm nëse merreshin gurë nga një vullkan nën akullnajë dhe në shpërthim e sipër. Ka shumë të ngjarë, të paktën sipas shërbimeve sekrete të shtetit koreanoverior, ku flamuri i socializmit valëvitet njëherazi fitimtar e ngadhënjimtar, që shpërthimin e vullkanit islandez ta ketë nxitur vetë Sali Berisha me mbështetjen e imperializmit amerikan, agjente e të cilit hamendësohet të jetë e shoqja, e cila, kohët e fundit, na paskesh udhëtuar pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E shihni, pra, të nderuar lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, se si lidhen gjërat duke u kthyer detyrimisht nga të pabesueshme në të besueshme? Për rrjedhojë, mund të pohojmë me plot gojën, stomakun e zorrët se shkaktari i vërtetë i shpërthimit të vullkanit në Islandën e Jugut është Kryeministri Sali Berisha.

 Në këtë kuadër, zotërinjtë Edi Rama e Gramoz Ruçi, si udhëheqës të opozitës aktuale në Shqipëri, duhet të marrin patjetër nismën e krijimit në Hagë të Holandës të një Gjykate Ndërkombëtare për Krimet Vullkanike, e cila ta gjykojë e ta dënojë sa më shpejt e sa më rëndë Sali Berishën për mynxyrën në fjalë, pa harruar se ai është ngatërruar para disa muajsh edhe me tërmetin që rrënoi Haitin dhe se duhet të ketë gisht gjithashtu në tërmetin që ra këto ditët e fundit në veri-perëndim të Kinës, duke shkaktuar vdekjen e mbi 1 400 vetëve si edhe rrënime të frikshme. Sidoqoftë, një gjë dihet me siguri: sikur të realizohen parashikimet e kobshme sipas kalendarit Maja, d.m.th. nëse planeti ynë shpërbëhet në fund të vitit 2013, përsëri fajin do ta ketë Sali Berisha. Prandaj bashkësia ndërkombëtare, me OKB-në në krye dhe zotërinjtë Edi Rama e Gramoz Ruçi në bisht, duhet të marrë urgjentisht masat më të rrepta për të shmangur katastrofën planetare të kurdisur nga Kryeministri shqiptar.

Së fundi, mësohet se shtetësja shqiptare Ruzhdie (mbiemri i së cilës tani për tani nuk mund të bëhet i ditur), me profesion biznesmene materialesh ndërtimi, banuese në Tiranë, në Republikën autonome të Bërrakës, na paskesh kërkuar strehim politik në Islandë, pikërisht në rrëzë të vullkanit të rrezikshëm berishian.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama