Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hard gazetaria dhe analistët shqiptarë

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Hard gazetaria dhe analistët shqiptarë

Të enjten, të gjitha televizionet shqiptare ritransmetuan, apo iu referuan pjesërisht, një interviste që Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, kishte dhënë në BBC, në emisionin "Hard Talk". Të premten, intervista ishte e zbardhur e tëra, në të gjitha gazetat qendrore. Berisha fliste aty për NATO-n, Maqedoninë, korrupsionin, Gërdecin, reformën zgjedhore, liritë politike etj. Por përse kishte kaq shumë interes për mediat shqiptare intervista e Berishës? A mos vallë ai dilte për herë të parë në ekran? Si gazetar, do ta justifikoja plotësisht që të riprodhonim një intervistë të Bin Ladenit, ta zëmë, i cili ka vite i fshehur skutave. Por Berisha është përditë në ekranet dhe gazetat tona. Megjithatë, ai emision ishte vërtet interesant. Ritransmetimi dhe ribotimi ia vlente. Por e veçanta e tij ishte gazetarja që e intervistoi, jo Berisha. Ajo nuk e pyeti Berishën sikundër pyetet në Tiranë se "çmendon ai për sukseset e qeverisë së tij", por ajo e kishte marrë në pyetje, ashtu siç një hetues merr një të pandehur. Dhe ta bësh këtë, është të përmbushësh misionin e vërtetë të gazetarit.

Nuk ka shumë rëndësi se ç‘përgjigje dha Kryeministri ynë, rëndësi ka se si gazetarja e intervistoi atë dhe pikërisht për këtë ai emision përbënte lajm për mediat shqiptare. Berisha nuk u lejua të përfundonte asnjë fjali, ndërsa tentonte të devijonte nga shënjestra e gazetares. Atij i ritheksohej ajo që gazetarja dinte me saktësi, edhe kur Berisha e mohonte, pasi ky është misioni i gazetarit. Padyshim që Kryeministri ynë nuk është ndjerë mirë në një "ring boksi" të tillë, pasi ai (dhe jo vetëm ai, por e gjithë sëra e politikanëve shqiptarë) është mësuar në Tiranë, ku i parapërgatiten pyetjet, ku ai monologon dhe gazetari miraton me kokë ato që ai thotë. Madje, një syresh i tillë gazetar arriti deri sa t‘i përgjigjej vetë pyetjes që spikeri kishte bërë për Kryeministrin. "Meqë Kryeministri iku, po i përgjigjem unë kësaj pyetjeje", tha ai ndërsa fliste drejtpërdrejt nga Bukureshti ditën e Samitit të NATO-s.

E njëjta gjë ndodhi edhe me trafikun e zi të fishekëve nga Ministria jonë e Mbrojtjes. U desh të publikohej një artikull në "New York Times", që të vihej në lëvizje edhe media shqiptare. Po përse vallë, a mos Gërdecin dhe Ministrinë tonë të Mbrojtjes e kishin më afër amerikanët e NYT, se ne të Tiranës?

Me keqardhje ne duhet të pyesim: A mundet vallë që gazetarët shqiptarë ta intervistojnë Sali Berishën në atë mënyrë, sikundër bëri gazetarja britanike? A mundej vallë që gazetarët shqiptarë të kishin shkruar për skandalin e fishekëve në Ministrinë e Mbrojtjes? Duhet të pranojmë me plot gojën: JO. Jo, sepse Berisha nuk i përgjigjet ftesës së gazetarëve për t‘u intervistuar, por ai shkon në TV apo gazetë kur t‘ia dojë interesi i tij për t‘u reklamuar. Jo, sepse mediat që Berisha frekuenton, janë bërë palë me qeverinë dhe pronari nuk do ta toleronte gazetarin. Jo, sepse gazetarët janë shndërruar në ordinanca të Berishës dhe në fund tremben se mos atij i ka mbetur hatri nga ndonjë pyetje e pavend. As Edi Ramën nuk do të mund ta pyesim në të njëjtën mënyrë, as tani e as nëse bëhet Kryeministër.

Shqipëria është i vetmi vend ku politikanët njoftojnë për konferenca shtypi, lexojnë një deklaratë dhe ikin, pa pranuar asnjë pyetje nga gazetarët. As artikullin e NYT nuk do ta bënte dot një gazetar shqiptar. Jo, sepse nuk do të guxonte, sapo të dëgjonte që në mes ishte Delijorgji. Sepse do të kërcënohej e nuk do kishte kush ta mbronte, sepse pjesa dërrmuese e gazetarëve punojnë më në zi se punëtorët e Delijorgjit në Gërdec. Jo, sepse Delijorgji është miku i të gjithë politikanëve të lartë, majtas e djathtas.


***

Gazetarja: Keni qenë komunist?

Berisha: Jo, nuk kam qenë.

Gazetarja: Po, ju keni qenë anëtar i Partisë Komuniste.


***

Gazetarja: Qeveria vendosi që të ngrihej qendra e demontimit në Gërdec?

Berisha: Jo, Ministria e Mbrojtjes dhe ishte gabim.

Gazetarja: Pra, ishte një vendim qeverie dhe i gabuar? A e dinit ju çfarë ndodhte atje?

Berisha: Jo.

Gazetarja: Pse nuk e dinit?

...


Ndërsa dëgjoja të enjten në mbrëmje këtë "kacafytje" mes një gazetareje dhe një politikani, televizionet tregonin se si një grup gazetarësh dhe analistësh shqiptarë kërkonin të takonin në paraburgim tre të rinj nga Vlora, aktivistë ambientalistë, të arrestuar. Më pas ata u futën në zyrën e prokurorit të rrethit dhe i kërkuan shpjegime, se pse ishin arrestuar dhe kur do të liroheshin aktivistët. Personalisht, mendoj se mbajtja e aktivistëve në burg është një veprim shumë i tepruar ligjor, në krahasim me "krimin" që ata bënë, bllokimin e rrugës. Padyshim që angazhimi publik i njerëzve të medias është një gjë pozitive, shndërrimi i tyre në promotorë të shoqërisë është gjithashtu një gjë pozitive. Por do të rezervohesha t‘i bashkohesha lëvizjes së analistëve, përderisa të gjithë së bashku të kërkojmë më parë t‘i hiqet imuniteti e të dalë para ligjit deputeti Tom Doshi, që rrahu një gazetar, një koleg tonin, pikërisht për shkak të detyrës. Pikërisht për shkak të një investigimi, pikërisht për shkak të një "Hard" shkrimi. Ndjeshmëria me "dy standarde", edhe e gazetarëve apo analistëve, duket komprometuese. Është vërtet mirë të jesh "Hard" ndaj padrejtësive, por ne gazetarët duhet të jemi së pari "Hard" në profesionin tonë, pasi kështu i shërbejmë më shumë shoqërisë. Për nivelin e gazetarisë në Shqipëri, jo i gjithë faji është i qeverisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama