Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duke lexuar Ngjelën që lexon Washington-in

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Duke lexuar Ngjelën që lexon Washington-in

Në një intervistë për “Shqipin” e djeshëm, Ngjela nënvizonte disa përfundime ku ka arritur ai vetë pas ngjarjeve e zhvillimeve të fundit, të cilat po i listojmë poshtë të perifrazuara (intervista ishte e shkurtër, por mesazhet ishin të shumta):

1.   Midis Berishës dhe Washington-it ka një problem të madh, dhe një marrëdhënie të vështirë.

2.   Mesazhi i ambasadorit amerikan i lëshuar në sallën e teatrit kombëtar në përurimin e një lëvizjeje nën moton “Vepro tani!” ishte një mesazh që i ftonte shqiptarët të dalin në protesta.

3.   Meta po ia del të shndërrohet në beniaminin e SHBA-ve, dhe lëvizjet e tij të fundit, përfshirë dhe këto të pardjeshmet për të ndryshuar ministrat, vijnë prej kësaj marrëdhënieje të re.

4.   Presidenti i ri i Shqipërisë, që u zgjodh disa ditë më parë në Kuvend, nuk është miratuar nga Washingtoni.

5.   Opozita shqiptare është e dobët, dhe Washingtoni ka filluar të japë shenja zhgënjimi ndaj kësaj opozite.

Janë nënvizime që nuk të bindin. Në fakt, është bindëse gjysma e parë e përfundimit të pestë, d.m.th. që opozita jonë është e dobët përballë pushtetit të Berishës; është bindës deri në njëfarë mase dhe përfundimi i katërt, pasi ambasadori Arvizu ka dhënë shenja mospëlqimi ndaj presidentit Nishani e ndaj mënyrës se si ai u zgjodh; mirëpo, edhe ky pohim është i ngritur mbi një premisë shumë të diskutueshme: Washingtoni është një me Arvizunë.

Nënvizimet e tjera të Ngjelës duken disi të kërkuara. Nuk ka prova që demonstrojnë se Meta po na u shndërruaka në një kanakar të Washington-it, e aq më pak ka prova se ndryshimi i ministrave të bëra nga Meta këto dy ditët e fundit është një operacion që vjen prej marrëdhënieve të mira të tij me Washington-in, e që synon përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Diplomacia amerikane është prore e dalluar prej instinktit të Real-politikës, e prej qasjes amorale ndaj establishmenteve që sundojnë në vende si Shqipëria, por puna është se nuk ka asnjë element të Real-politikës që t’i hedhë ata në këtë moment te një flirt me Metën. Apo ka, dhe nuk arrij ta shoh unë?

Është po kështu e pabazë ideja tjetër se apeli i ambasadorit në sallën e Teatrit Kombëtar i drejtohej opozitës dhe se ky mesazh e ftonte këtë të fundit të organizonte protesta. Ngjela ka bërë një lexim shumë të vetin të fjalës së ambasadorit. E kundërta mund të jetë e vërtetë. Rama është duke bërë të urtin, të shtruarin, konstruktivin, dhe nënshkruesin e çdo appeasement-i me Berishën, sepse këtë gjë ose ia këshillojnë ambasadorët, ose ia pëlqejnë ata. Rama mund të mos ketë asgjë të qartë në kokën e vet, por një gjë duket se e ka të qartë: Ai nuk do të bëjë asgjë pa ok-in e ambasadorëve, e sidomos pa ok-in e ambasadorit amerikan. Dhe ky i fundit nuk është se është ndonjë ‘protestaxhi’ i madh. Përkundrazi, ka dëshmuar në çdo moment se është një protesta-mbytës. Arvizu-ja është i terrorizuar nga çdo protestë. Ai, sa herë që lajmërohet ndonjë manifestim krejt i pafajshëm dhe krejt i parrezikshëm (nga gay-të deri tek ambientalistët), nxjerr njoftim për shtetasit amerikanë t’u rrinë larg vendeve të grumbullimit të njerëzve, pasi situata mund të precipitojë në dhunë. Ambasadori Arvizu e ka përuruar mandatin e tij ambasadorial duke anatemuar e shuar protestat e lajmëruara në vijim të plojës që u bë në bulevard prej Gardës së Republikës, madje, solidariteti i tij me policët e lënduar dhe shpërfillja që ai u bëri katër jetëve të humbura (këtë qëndrim ndaj asaj ngjarjeje e ka mbrojtur sa herë që ka pasur rast) duket se e ka burimin te një qasje a frymëzim i tij kulturor: ai parapëlqen stabilitetin në dëm të demokracisë dhe, si të gjithë paraardhësit e tij, nuk ka mësuar se, nëse ka një mënyrë për të fqinjëruar me destabilitetin, kjo është t’i japësh rëndësi stabilitetit përpara demokracisë e shtetit ligjor.

Dhe tani vijmë te teza e Ngjelës, që thotë se “Washingtoni është prishur me Berishën”. Ç’kuptojmë me Washington? Me siguri kuptojmë Departamentin e Shtetit, ose më saktë, zyrtarë të rëndësishëm të këtij departamenti që merren me Shqipërinë. E ç’sinjal ka dalë prej andej, që flet për një marrëdhënie të vështirë mes Berishës dhe Washington-it? Nuk ka dalë ndonjë sinjal. Madje, është e kundërta. Tre muaj më parë, Berisha i bëri një vizitë në zyrë Hillary Clintonit, dhe në atë bisedë nuk ka pasur asnjë vërejtje të së dytës në adresë të të parit për mënyrën se si qeveriset vendi i shqipeve. Berisha u kthye nga Washingtoni i këndellur dhe entuziast si kurrë më parë. Mos vallë janë prishur tani, me rastin e zgjedhjes së Presidentit? S’ka gjasa. Ata s’u prishën kur Berisha vriste ditën me diell opozitarët që kishin dalë në bulevard të protestonin, kur Berisha shpalli “horrat e laviret e bulevardit”, kur vidhte faqe botës postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit më 8 maj etj., etj., e prandaj nuk ka se si të prishen që Berisha, në respekt të plotë të Kushtetutës, zgjodhi në krye të shtetit një delfin të tij.

Po, është e vërtetë, Arvizu-ja vetë duhet të jetë zhgënjyer prej Berishës; është zhgënjyer pasi, teksa i ka dalë krah në prapësitë që ka bërë, ‘është shpërblyer’ prej tij me prapësi të tjera më të rënda. Por Arvizu-ja nuk ka çfarë të bëjë më tepër. Për tri arsye: Së pari, këtu nuk ka një opozitë që t’i hapë sytë, e që t’i shpjegojë se ajo është në gjendje, dhe meriton, të marrë në dorë fatet e vendit të vet; së dyti, askush në Washington nuk e merr në telefon për t’i thënë se “Berishës duhet t’i jepen duart”; dhe së treti, ai vetë nuk di të luajë në skenën shqiptare. Arvizu ka shumë mjete për t’i vënë në punë e shumë hapësirë ku mund të lëvizë, por ai po bën çdo gjë gabim. Nuk po arrin të kuptojë se protagonizmi i tij nuk na vlen për asgjë. Nuk na vlejnë takimet e kafetë që pi nëpër lokalet e Tiranës në praninë e fotografëve. Nuk na vlen pjesëmarrja e tij në teatrin e politikës sonë (siç ishte promovimi që ai u bënte individëve të caktuar në lojën presidenciale). Nuk na vlen fushata me titullin “Act Now!” Do të na ndihmojë? Ai nuk mund të na tregojë neve se cili është politikani i mirë e cili është i keqi. Le të na i lërë neve të këtushmëve këtë ‘mundim’. Ka vetëm një mënyrë për t’na ndihmuar, aq sa mund të na ndihmojë e nëse do të na ndihmojë. Të thotë një fjalë e të ngrejë zërin sa herë që dhunohen rregullat e lojës, sa herë që shpërfillen hapur institucionet, ja siç bëri para tri ditësh me kritikën e qartë ndaj KQZ-së e siç nuk desh ta bënte më 8 maj. Ai duhet – po përsëris mesazhin e shkrimit të fundit në “Shqip” – të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje normale. Nuk na ndihmon dot lidhur me këtë gjë? Epo mirë, atëherë. S’i kërkohet gjë tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama