Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryeproblemi ynë janë zgjedhjet, zgjedhjet, dhe sërish zgjedhjet

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Kryeproblemi ynë janë zgjedhjet, zgjedhjet, dhe sërish zgjedhjet

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka ndërmarrë një nismë shumë të fisme me moton “Vepro tani”, me anë të së cilës synon të ngacmojë nervin qytetar të shqiptarëve e të rizgjojë energji pozitive që dremisin në këtë vend. Ambasadori Arvizu ka folur dje në veprimtarinë përuruese, dhe ka bërë ca pohime e pyetje të forta, të cilat të bëjnë të mendosh se ai është i sigurt që “punët e këtij vendi po shkojnë si mos më keq”. Kjo nismë, tha Arvizu, është një mënyrë për t’i dhënë një përgjigje “hidhërimit në Elbasan për viktimat e aksidentit dhe në Dukagjin ku një familje humbi vajzën, si pasojë e një dhune të pakuptimtë, zemërthyerjes së banorëve të Sarandës, ku qyteti piktoresk ka humbur shumë prej hijeshisë së tij dhe është transformuar në beton, zemërthyerjes së Gjirokastrës tek shohin që nga neglizhenca shemben shtëpitë historike, [shqetësimit të banorëve të Tiranës], ku lëvizja e makinave është kaotike dhe e rrezikshme për këmbësorët”

Arvizu i bëri dhe një sulm të papritur KQZ-së, së cilës i përmendi faktin që ka penguar pa asnjë arsye të realizohet referendum për importimin e plehrave në vend, dhe në këtë mes, sipas versionit online të Panoramës, gjeti rast të ngrinte një pyetje, që dhe një fëmijë do ta kish të lehtë ta shndërronte në një pohim. Pyetja është: Përse KQZ-ja minon edhe një herë tjetër besimin e publikut? Pohimi do ishte: KQZ-ja po minon dhe një herë tjetër besimin e publikut.

Personalisht, nuk e kam të qartë se ç’impakt mund të ketë një nismë e tillë në terma konkretë. Por nuk e besoj dot atë që ka thënë Kadare në përshëndetjen që i bëri kësaj nisme: “Nisma ndihmon në mënyrën e vet që të zgjohen energjitë qytetare”. Jo, s’është e thënë. Nisma mund të shndërrohet në – e mund të mbetet – një aksion propagandistik. Në mos, më keq akoma: mund të shndërrohet në një show gjigand, ku disa vetë do të mund të bëjnë protagonistin, dhe kaq.

“Dhe ju shqiptarët jeni si gjithë njerëzit e tjerë në këtë botë”, tha Arvizu-ja. Është një nga ato pohime, që ne i bëjmë sa herë që duam të krijojmë motivime shtesë tek ca njerëz, të cilëve u duam të mirën e për të cilët ne praktikisht mendojmë se “asëll-asëll nuk janë njësoj me të tjerët”. Prapa kësaj fraze pra, të thënë me qëllime inkurajuese e ngushëlluese, fshihet një bindje e Arvizu-së se në fakt “ne shqiptarët jemi disi ndryshe nga njerëzit e tjerë në këtë botë”. Dhe kjo nuk është një bindje, të cilën ai e ka krijuar mbi halucinacione të vetat. Jo, kjo është një bindje që ai e ka krijuar – po mbetem tek një ilustrim i vetëm – duke përveshur mëngët për të dhënë idenë e një pranie kërcënuese në sallën e numërimit të votave, ku procesi bllokohej herë pas here nga “ca njerëz që nuk ngjajnë dhe aq shumë me njerëzit e tjerë në këtë botë”.

Nuk na prish punë ky mendim që Arvizu mund të ketë për ne shqiptarët. Për më tepër, ne të gjithë e dimë se Arvizu e të tjerë si ai kanë të drejtë ta mendojnë këtë gjë. Madje, vetë fakti që ambasadorët e huaj në Tiranë rrethohen nga një vëmendje e madhe mediatike e që pikërisht ata ne i shohim si institucione e shkuar institucioneve më të rëndësishme se sa institucionet më të rëndësishme të vendit na provon se “nuk jemi si të tjerët”. Edhe ky shkrim i imi, ashtu si shumë shkrime që ne bëjmë lidhur me ambasadorët, ashtu si dhjetëra intervista që ne u marrim atyre, tregon se “ne nuk jemi si të tjerët”.

Ne kemi nevojë pra, dhe këtë s’e luan as topi, për ndihmën e ambasadorëve. Por në këtë pikë duhet saktësuar lloji i ndihmës. Dhe lloji i ndihmës që na duhet nuk është kjo e nismave për t’i bërë shqiptarët të bëhen të gjallë e aktivë, e të ndërgjegjësohen për të marrë fatet e vendit në dorë. Në Shqipëri ka njerëz që kanë qenë zgjuar përpara se ambasadori amerikan Alexander Arvizu të vinte këmbë në Shqipëri, e në këtë kuptim, problem nuk është mungesa e njerëzve me shpirt të gjallë civik e patriotik. Me siguri shoqëri të tjera kanë më shumë njerëz të tillë, por problemi ynë numër një nuk është ky.

Doni me të vërtetë t’na ndihmoni, zoti Ambasador? Na ndihmoni të bëjmë zgjedhje normale, na ndihmoni që gara elektorale të jetë e barabartë e që çdo votë të numërohet si një votë. Sigurisht, gjykatat janë të korruptuara, institucionet e tjera janë të kontrolluara e ngordhalaqe, gjakmarrja, trafiku, turizmi, etj., janë shqetësime të mëdha, por brirët e demit janë zgjedhjet normale. E prandaj, na ndihmoni të bëjmë zgjedhje normale. Nuk ju kërkojmë t’na hiqni qafe Berishën, Nanon, Ramën, Metën, etj. Nuk ju kërkojmë t’na hiqni qafe këtë klasë politike. Jo, ju kërkojmë t’na ndihmoni që t’i heqim qafe vetë (nëse shumica jonë bie dakord me këtë), apo t’i durojmë qetë e shtruar mbi shpinë me të gjitha horrllëqet që kanë bërë e bëjnë (nëse shumica jonë don që ata të jenë në krye, kuptohet).

Po, është e vërtetë, zgjedhjet normale janë një arritje minimale, por janë një arritje kolosale atje ku nuk janë bërë kurrë, e rrjedhimisht janë një premtim i madh për ndryshim. Asgjë nuk ka kuptim nëse nuk garantojmë zgjedhje free and fair. Asnjë objektiv tjetër nuk mund të arrihet pa zgjidhur këtë problem. Pa zgjedhje normale nuk ka kuptim t’i ftosh shqiptarët të “veprojnë tani”. Fokusohuni këtu, zoti ambasador! Caktojeni si përparësi numër një.

Ju do thoni se “është puna juaj të bëni zgjedhje; nuk është e jona”. Këtë e di. Kjo është absolutisht kështu. Por ua kërkova këtë gjë, zoti ambasador, meqenëse jeni i gatshëm t’na jepni një ndihmë. E dijeni se ndihma më e parë e më e mirë që mund t’na jepni është pikërisht kjo për zgjedhjet normale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama