Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mjeshtëria për të fshehur qëllimet dhe për të dhënë goditje pas shpine

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Mjeshtëria për të fshehur qëllimet dhe për të dhënë goditje pas shpine

Pardje, teksa isha i ftuar në programin “Top Story”, në një version paraditeje, moderatori Balla u lidh drejtpërdrejtë me Gazmend Oketën, i cili sapo kish dalë nga seanca parlamentare ku, siç e dimë tanimë, votimi i parë në procedurën presidenciale u shndërrua në një show të panevojshëm e të bezdisshëm (nuk u votua dhe kështu raundi i parë mund të quhet i dështuar me sukses të plotë). Oketës, në atë rast, iu bënë pyetje normale e konkrete, të llojit “si do të votoni ju në rrethanat e një kandidature PD-LSI?”, ose “si do të votoni ju në rrethanat kur do kërkohen 71 vota në raundin e katërt e të pestë?”, etj., etj.

Çfarë tha Oketa? Oketa është një politikan simpatik, i shtruar, i qetë, me edukatë, madje presidencial po të doni (meqenëse jemi në muhabete presidenciale), por në përgjigje të atyre pyetjeve të Ballës e të Zhejit tha … një hiç të madh. U erdhi vërdallë argumenteve, rrëshqiti mbi fraza të kalibruara e hermetike (të kalibruara për të qenë hermetike), e mbante mendimin në një fazë shtërzimi, por pa nxjerrë asnjë mesazh të kuptueshëm e të qartë. Dukej sikur sikletosej nga ndërhyrje gazetareske që synonin ta cytnin të shprehej ca më shumë, por edhe kur i bëheshin këto ndërhyrje, dinte t’u bënte bisht për të mbetur në rregull me misionin për t’mos thënë gjë prej gjëje.

Kemi të bëjmë me një nga karakteristikat e tipologjisë së politikanëve shqiptarë. Nuk është vetëm Oketa, i cili ka mësuar ta zotërojë në majë të gishtave këtë mjeshtëri; janë të shumtit, që kulmin e talentit të tyre politik konsiderojnë pikërisht këtë zhdërvjelltësi për të folur me minuta të tëra përpara kamerave e për të fshehur qëllimet, për t’mos nxjerrë në shesh opinione e qëndrime, për të formuluar fraza-rebus, e rëndom për t’mos thënë asgjë. Pse? Sepse kështu ua do puna, kështu janë në gjendje të fshehin plane e qëllime, kështu lënë shtigje të hapura për rreshtime të nesërme, kështu shtien në ngasje e në gabim kundërshtarët, e kështu synojnë që të tjerët të mos kenë kohë të mbrohen prej goditjeve të liga e planeve të pabesa. Të kuptohemi, nëse s’kanë asnjë interes për të mbrojtur, e asnjë qëllim për të fshehur, ata dinë të jenë dhe të troçtë, të prerë, të kuptueshëm. Por puna është se rëndom ata kanë gjëra për të fshehur.

Përpara Oketës ish dhe Ilir Meta. Por ky ish i tillë në fjalën që mbajti në Parlament. Ndenji rreth 10 minuta në foltore, dhe është për të vënë bast me këdo mbi “çfarë tha?”, duke qenë të sigurt se asnjëri s’është në gjendje të riprodhojë ndonjë mesazh të tijin. Ishte një fjalë e rrumbullakosur, rrondokope, që s’dije nga ta kapje. E përpara Metës ishte mjeshtri i madh, Berisha, i cili, në ndryshim nga gjithë të tjerët që i fshehin gjërat duke mos thënë asgjë, është në gjendje t’i fshehë gjërat edhe duke thënë plot gjëra.

Ka dhe një tipar të dytë të tipologjisë së politikanëve shqiptarë, që po manifestohet bujshëm këto ditë. Në të vërtetë, është një tipar që manifestohet gjithë kohën, por këto ditë gjëja ishte më spektakolare. Politikanët tanë e kanë mendjen veç te hilet, te rrengjet, te goditjet pas shpine, tek arritja e qëllimit prapa krahëve të të tjerëve, në shkelje të rregullave e ligjeve, por edhe me synimin për ta poshtëruar e turpëruar kundërshtarin. Ata nuk besojnë te sho-shoqi; te çdo hap e lëvizje e tjetrit, ata shohin një dinakëri; te çdo fjalë e dhënë, ata shohin një rrenë; dyshojnë se tjetri mund t’ua punojë, ngaqë janë vetë që mendojnë se si t’ia punojnë tjetrit; ata lidhin një pakt e në mendje kanë edhe një plan A për ta prishur paktin në një moment të caktuar e për një interes të caktuar, edhe një plan B për t’iu përgjigjur aleatëve në rastin kur këta të fundit nxitojnë ta prishin më përpara të njëjtin pakt.

Fjala vjen, aktualisht Meta është i frikësuar se mos Berisha është duke përgatitur në prapaskenë shumicën e re presidenciale prej 71 votash pa LSI-në, që do ta shtjerë në punë në raundin e katërt a të pestë dhe në të gjitha lëvizjet që bën (Meta) kërkon të garantohet së pari që 71 vota pa të nuk bëhen, e së dyti që të jetë pjesë e shumicës presidenciale në rast se Berisha ia del t’i bëjë ato 71 vota. Ndërsa Berisha ka frikë së pari që 71 vota nuk i bën dot pa Metën, së dyti që 71 vota, edhe pse mund t’i bëjë e mund t’i japin presidentin, kanë për t’i sjellë qeder në vend të qarit, së treti, që Meta mund të jetë duke rregulluar telat me Ramën në dëm të tij, së katërti …. etj. Marrëdhëniet mes Ramës e Metës nuk janë më të mira. Veç mosbesim ka mes tyre. Po sikur t’ma fusë Rama?, thotë Meta. Po sikur t’ma fusë Meta?, thotë Rama. Mund të merret me mend se çfarë vendimesh mund të merren nga një klasë politike, që funksionon me këtë logjikë. Mund të merret me mend, fjala vjen, se çfarë presidenti mund të zgjedhin këta njerëz.

Pse ndodh kjo? Ndodh prej një qasjeje konspirative që ne shqiptarët kemi në shpjegimin e gjërave që ndodhin (Bota e web-it – futuni në çdo gazetë online që dëshironi, ose në një rrjet social ku flitet për temën presidenciale – ka qenë e mbushur me komente të shumta të tipit “hohoho, ç’po ua fut Sala të gjithëve!”, “jo, në fakt është Meta që do t’ia fusë sa krahu Berishës, por prisni, se akoma s’ka ardhur momenti”, “Jo, jo, Meta po ia fut ngjalën Ramës, askujt tjetër”, “ky Rama s’di të bëjë gjë tjetër, veçse të bjerë në kurthe që i ngrenë të tjerët”, “Berisha ia bo tetëshin gjithmonë Ramës; ka për t’ia bo dhe këtë herë”, “nuk rrëzohet kollaj Sala, mor jo; ai e ka bërë gati kundërlëvizjen për çdo lëvizje të të tjerëve”, etj., etj.). Dhe kësaj qasjeje që buron prej ADN-së tonë, i shtohet dhe fakti që politikanët shqiptarë duan ‘të marrin gjithçka në shpërfillje të rregullave të lojës’. Të kërkosh të marrësh gjithçka duke injoruar një minimum rregullash loje sigurisht që sjell për pasojën më të parë këtë klimë dyshimi e mosbesimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama