Proporcionali kombëtar, ose 9 grupe kuvendore

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 9 vite më parë

Kastriot Islami
Proporcionali kombëtar, ose 9 grupe kuvendore

Po t’i referohemi rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit për dy koalicionet, Aleanca për Qytetarin (AQ) dhe Aleanca për të Ardhmen (AA) dhe të kryhen llogaritjet mbi bazën e votave të fituara në shkallë kombëtare  (për këshilltarët veças dhe kryetarët e njësive vendore veças), sipas një sistemi proporcional kombëtar me prag 4 për qind për koalicionet dhe 2.5 për qind për partitë politike, rezulton se: I) AQ (PD+LSI) fiton 75 mandate, AA (PS) fiton 61 mandate dhe PBDNJ fiton 4 mandate nëse llogaritjet bëhen me votat e këshillave; dhe II) AQ fiton 72 mandate e AA fiton 68 mandate nëse llogaritjet bëhen me votat e kryetarëve të njësive vendore. Rezultati thellohet krahasuar me atë që del nga llogaritjet me sistemin aktual zgjedhor. Pra, sistemi proporcional kombëtar favorizon në këtë rast aleancën e drejtuar nga PD dhe LSI, po t’i referohemi rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit 2011… Por, në Kuvend do të shfaqeshin 9 parti dhe grupeve të PD e PS do t’u duheshin 4-5 parti aleate për të krijuar maxhorancën qeverisëse, sepse PD me 42 mandate apo PS me 46 mandate do t’u duheshin përkatësisht 29 mandate dhe 25 mandate për të pasur 71 vota në Kuvend.

Me proporcional kombëtar Kuvendi do të kishte jo më pak se 9 parti…

Mandatet (në rastin I) për partitë në përbërje të dy koalicioneve do të ndaheshin në mënyrë të tillë: 1) 75 mandatet e koalicionit AQ do të shpërndaheshin: a) PD-42 mandate, b) LSI-15 mandate, c) PR-10 mandate dhe d) PDIU-8 mandate; kurse 2) 61 mandatet e AA do të shpërndaheshin: a) PS-46 mandate, b) PDS-5 mandate, c) PDK-5 mandate dhe d) PSD-5 mandate. Parlamenti në këtë rast do të kishte 9 parti parlamentare. Shumica parlamentare për të formuar qeveri në këtë rast do të kërkonte aleancën e 4-5 partive. Ky është një shembull/ushtrim që tregon përse disa nga partitë aleate të PS e PD kërkojnë sistemin proporcional kombëtar. Sigurisht, duhet pasur parasysh fakti që sjellja e votuesve ndaj partive politike është e ndryshme në zgjedhjet e përgjithshme nga ajo në zgjedhjet vendore. (Partitë e mëdha “shfryhen” në zgjedhjet vendore, kurse të voglat në zgjedhjet e përgjithshme). Ndërkohë që sjellja e votuesve ndaj dy aleancave kryesore ka mbetur pothuajse e pandryshuar gjatë 10 viteve të fundit, duke u kthyer në një madhësi invariante edhe nga lloji i zgjedhjeve (vendore apo të përgjithshme), si dhe nga pozicioni politik (në qeverisje apo maxhorancë). Në vijim do të merren në konsideratë vetëm votat për këshillat e njësive vendore, ndërkohë që në një shkrim tjetër do të analizohen votat e fituara nga kryetarët e njësive vendore dhe diferenca midis këtyre dy shifrave në nivel qarku dhe nivel kombëtar, dhe ndikimi i tyre në parashikimet për 2013-n.

AQ dhe AA zotërojnë në shkallë kombëtare rreth 95% të votave…

Nga tabela e rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të 8 majit rezulton se dy aleancat, AQ dhe AA, kanë fituar së bashku 1 484 947 vota nga 1 571 096 vota të vlefshme, ose 94.5 për qind të votave në shkallë kombëtare. Pra, vetëm 5.5 për qind e votave janë fituar nga partitë jashtë këtyre dy koalicioneve apo kandidatët e pavarur. Taktika e koalicioneve të mëdha me rreth 24 parti secili bllok ka çuar në një përqendrim të votave apo bipolarizim në dy blloqe, ndonëse brenda secilit bllok ekzistojnë, përveç dy partive kryesore, PD e PS, edhe gjashtë partitë me përmasa mesatare, tri në secilin bllok, që kalojnë pragun prej 2.5%. Konkretisht, jashtë këtyre dy koalicioneve të mëdha ka arritur të fitojë mbi 2.5 për qind të votave vetëm PBDNJ (40 170 vota, ose 2.59%), ndërkohë që LZHK nuk e ka kaluar pragun prej 2.5% (ka fituar 21 252 vota, ose 1.35%).

AQ, koalicioni fitues dhe më i suksesshëm…

AQ, me 51.77% të votave në shkallë kombëtare, është koalicioni fitues duke qenë në avantazh ndaj koalicionit kundërshtar, AA, me 9.02 për qind të votave. Në këtë koalicion, kontributin kryesor e kanë dhënë 4 parti: PD (21.06%), LSI (7.49%), PR (4.7%) dhe PDIU (4.04%). Këto katër parti kanë grumbulluar rreth 72 për qind të votave të koalicionit. Ndërkohë, PD ka grumbulluar vetëm rreth 40 për qind të votave të koalicionit. Me sa duket, taktika e PD ka qenë liberale për të mundësuar aleatët kryesorë (LSI, PR dhe PDIU) të rrisin përmasën e tyre në funksion të maksimalizimit të suksesit të votave të të gjithë koalicionit, dhe kjo ka mirëfunksionuar.

AA “mbetet në opozitë”, ndërkohë PS rezulton partia e parë në zgjedhjet vendore…

AA, me 42.74 për qind të votave në shkallë kombëtare, rezulton jofituese përballë koalicionit AQ të drejtuar nga PD. Por, partia e parë në këto zgjedhje rezulton PS, me 27.55 për qind dhe në vend të dytë PD, me 21.06 për qind. PS ka fituar 6.48 për qind vota më shumë sesa PD. PS rezulton të ketë fituar rreth 65% të votave të koalicionit AA, ndërkohë që aleatët e saj kryesorë kanë fituar: PDS (3.39%), PDK (3.05%) dhe PSD (2.79%). Nga kjo analizë duket se PS ka aplikuar një taktikë më “egocentrike” duke luftuar për të fituar për vete maksimumin e votave, duke fituar rreth 65% të votave, kurse aleatët e saj vetëm 35% të tyre, ose rreth një të tretën.

Aleatët e PD, më të suksesshëm se aleatët e PS…

Të gjithë aleatët e PD kanë grumbulluar 30.7 për qind të votave në shkallë kombëtare, ndërkohë që aleatët e PS vetëm 15.2 për qind të votave në shkallë kombëtare. Pra, aleatët e PD kanë qenë më të “suksesshëm” në grumbullimin e votave, sesa ata të PS, duke grumbulluar sa dyfishi i votave të aleatëve të PS; duket sikur PD, me një taktikë më liberale, ka lejuar dhe bashkëndarë më shumë pushtet vendor me aleatët e saj, sesa PS me aleatët e saj. Nga ana tjetër, ndërkohë që PD+PS kanë grumbulluar 48.6 për qind të votave në shkallë kombëtare, aleatët e tyre kanë grumbulluar rreth 46 për qind të votave; pra të gjithë aleatët e PD dhe PS së bashku (pra të gjitha partitë e tjera, përveç PD e PS), kanë grumbulluar pothuajse po aq vota sa dy forcat kryesore politike. Kjo dukuri i dedikohet edhe veçorisë që kanë zgjedhjet vendore, gjatë cilave ka një shpërhapje të votave nga partitë e mëdha në drejtim të partive më të vogla; gjë që ka ndodhur më shumë me PD, sesa me PS.

LSI mbetet faktor përcaktues edhe në 2011-n… E majta e përçarë nuk fiton përsëri…

LSI është forca e tretë politike pas PS e PD në sasi votash (117 707 vota) në shkallë kombëtare. LSI mbetet një forcë politike përcaktuese në kuptimin që ajo përcakton aleancën fituese. Nëse LSI do të zhvendosej majtas, pra në koalicion me AA, atëherë AA+LSI (ose e majta e bashkuar) do të kishte 789 319 vota, ose 93 691 vota me shumë sesa AQ-LSI (koalicioni i djathtë i drejtuar nga PD), që do të kishte 695 628 vota. Në përqindje, kjo diferencë midis të majtës së bashkuar dhe së djathtës do të ishte rreth 6% në favor të së majtës së bashkuar. Megjithatë, roli i LSI në zgjedhjet vendore nuk është i njëjtë si në zgjedhjet  e përgjithshme kur votat përqendrohen kryesisht te PS, PD e LSI, por edhe në zgjedhjet 2011 kjo tendencë ruhet dhe për shkak të veçorive të zgjedhjeve vendore, shfaqet bile më e përforcuar në favor të rolit “king maker” të LSI. Taktika e AA për të fituar pa LSI, pra pa bashkuar të majtën me bosht PS-LSI, rezulton edhe këtë radhë, për të tretën herë, e dështuar.

AQ fiton 75 mandate, AA fiton 61 mandate dhe PBDNJ 4 mandate…

Një nga opsionet e sistemeve proporcionale që kërkojnë partitë aleate të PS e PD është sistemi proporcional kombëtar me prag 4 për qind për koalicionet dhe 2.5 për qind për partitë politike. Nëse për llogaritjen e mandateve do të përdorej metoda e kuotave e Haarit, atëherë nga rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit 2011 rezulton se AQ do të fitonte 75 mandate, AA 61 mandate dhe PBDNJ 4 mandate. Brenda AQ, të 75 mandatet do të ndaheshin: 1) PD – 42 mandate, 2) LSI – 15 mandate, 3) PR – 10 mandate dhe 4) PDIU – 8 mandate. Kurse të 61 mandatet e AA do të ndaheshin: 1) PS – 46 mandate, 2) PDS – 5 mandate, 3) PDK – 5 mandate dhe 4) PSD – 5 mandate. AQ rezulton aleanca fituese me 14 mandate më shumë sesa AA. Edhe në këtë aspekt, LSI është një forcë përcaktuese. Nëse LSI me 15 mandate bashkohet me AA, atëherë koalicioni AA+LSI (e majta e bashkuar) rezulton me 76 mandate, e thënë ndryshe, koalicion që zotëron maxhorancën.

Në vend të përfundimit…

Dy janë përfundimet që mund të nxirren nga ky vëzhgim. Së pari, në zgjedhjet vendore të vitit 2011 votuesit “përsërisin” besnikërisht rezultatin e vitit 2009 po t’u referohemi votave të aleancave AQ (PD+LSI) dhe AA (LSI). Kurse brenda dy blloqeve shfaqet e njëjta tendencë, tipike për zgjedhjet vendore krahasuar me ato të përgjithshme, një transferim i votave nga partitë kryesore drejt partive aleate. Së dyti, sistemi zgjedhor proporcional kombëtar me prag (4% për koalicionet dhe 2.5% për partitë), do të gjeneronte një kuvend me 9 parti politike parlamentare; por duhet pasur parasysh se ky rezultat i dedikohet edhe sistemit proporcional kombëtar, por edhe shpërndarjes së votave në zgjedhjet vendore; gjë që përgjithësisht nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në zgjedhjet e përgjithshme. Këto dy përfundime, që natyrisht duhen marrë me rezervën që sjellja e votuesve nuk është e njëjtë në zgjedhjet vendore e të përgjithshme, do të motivonin së paku 7 parti (përveç PD e PS), por jo vetëm, të orientoheshin nga një sistem proporcional kombëtar. Pothuajse i njëjti rezultat do të dilte edhe në rastin e një sistemi proporcional rajonal me korrigjim kombëtar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama