Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

PS radikale rrudhet në zgjedhjet vendore

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 14 vite më parë

Kastriot Islami
PS radikale rrudhet në zgjedhjet vendore

Shumë analistë dhe një pjesë e publikut e të ndërkombëtarëve duke ndjekur sjelljen e deritanishme radikale shtrojnë pyetjen nëse PS do të futet në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Në një formë tjetër kjo pyetje do të shtrohej nëse "teza  për të bojkotuar zgjedhjet vendore" është veprim taktik, apo një opsion që mund të aplikohet nga PS? Një pyetje tjetër që shtrojnë ata është se "nëse lidhen këto veprime radikale të PS me rikandidimin e Ramës për Bashkinë e Tiranës? Sa ndikojnë këto veprime radikale në mbështetjen elektorale në zgjedhjet e ardhshme vendore?

 Le të analizojmë veprimet e deritanishme radikale, rifillimin e tyre dhe a mund të shkojë veprimi radikal deri në bojkotin e zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Nëse PS vijon sjelljen e saj radikale, mbështetja e saj elektorale jo vetëm nuk do të rritet (edhe për shkak të rritjes së numrit të votuesve të rinj), por ajo mund të ulet deri me 10 për qind krahasuar me votat e fituara në vitin 2009 dhe të humbasë disa nga bashkitë kryesore e mjaft komuna, duke hedhur në erë edhe tezën e manipulimit të votave… e të hapjes së kutive të votimit…

Veprimet e deritanishme radikale… dështim i plotë i veprimit politik të PS…

Të gjitha veprimet e deritanishme radikale, deklarimi i "legjitimitetit të cunguar të Kuvendit", loja me "djegien e mandateve të deputetëve" deri në ekstremin kushtetues, protestat e shpërndara e të përqendruara, greva e urisë, bllokimi i rrugëve, e tjerë kanë rezultuar pjesë e një strategjie veprimesh radikale, më shumë taktike sesa opsionale, ndonëse vetë Rama apo edhe një grup individësh pranë tij kanë gjykuar se këto mund të ktheheshin në një opsion veprimi për apo deri në fitimin e pushtetit. Natyrisht që si opsion veprimi kjo strategji do të ishte e dështuar që në embrion, për shkak të qëndrimit të ndërkombëtarëve dhe të maturisë së shqiptarëve për të mos ndjekur "rrugën e fitimit të pushtetit, qoftë edhe me retorikë revolucionare", leksion i keq, i tentuar dhe i dështuar edhe nga Berisha për tetë vjet.

Disa nga arsyet e të gjithë kësaj strategjie radikale kanë qenë dhe janë: i) "kriza e humbjes individuale të Ramës" deri diku e parandjerë e ndoshta edhe e parashikuar; ii) përpjekjet e Ramës për forcimin e mëtejshëm të pozitave individuale dhe dominimi në një parti gjithnjë e më autoritare, më pak socialiste e demokratike, më klienteliste e të orientuar nga bizneset dhe me individë me sa më pak identitet e pa kapacitete intelektuale individuale; iii) qëndrimi me çdo kusht i Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës dhe/ose iv) fitimi i postit të Kryeministrit nga Rama përmes një beteje luftarake jashtë e kundër sistemit dhe kundër të gjithëve. Mbi këtë bazë përdorimi i veprimeve radikale, qoftë edhe si mekanizëm taktik, e ka dëmtuar rëndë opozitën socialiste në të gjithë aspektet, duke rritur shumë shanset e dështimit në ballafaqimet e ardhshme elektorale.

…Vijimi i tyre, veprim i gabuar dhe prelud i humbjes së zgjedhjeve vendore..

Alibia se PSSH po merret me transparencën e zgjedhjeve gjatë të gjithë 9 muajve pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 do të mbetet gjithnjë e më e dobët dhe gjithnjë e më pak e besueshme e mbi të gjitha, penguese për përgatitjet e nevojshme që PSSH duhet të bëjë për betejën më të vështirë elektorale, atë të zgjedhjeve vendore. Ndërkombëtarët e kanë të qartë këtë fabul dhe nga vjeshta do të fillojnë ta godasin, kur të dëgjojnë se kjo alibi do të shoqërohet me qëndrimin për të bojkotuar zgjedhjet vendore (gjë që është krejtësisht e papranueshme prej tyre).

Nga ana tjetër është tanimë e kuptuar prej tyre se e gjithë strategjia e veprimeve radikale gati dyvjeçare rezulton me më shumë lidhje me betejën e ardhshme elektorale për Bashkinë e Tiranës sesa me transparencën e zgjedhjeve, që në fakt PSSH po e përdor gjithashtu si një mekanizëm taktik për bezdisjen dhe lodhjen e qeverisjes së Berishës. Por nga ana tjetër kjo strategji veprimesh radikale e bën betejën për Tiranën të pasuksesshme për PS, me rrezik shumë të lartë për ta humbur nga kandidati socialist dhe shumë konfliktuale.

… PS radikale deri në zgjedhje, por e detyruar të marrë pjesë në to…

Rama me logjikën e nisur dhe i pasigurt për rikandidimin e tij për Bashkinë e Tiranës, kryesisht nga frika e humbjes, do të vazhdojë veprimet radikale, gjë që është paralajmëruar këto ditë me rivendosjen e pajustifikuar e arbitrare të marrëdhënieve të kushtëzuara të grupit kuvendor me Parlamentin dhe rifillimin e protestave në shtator, me tezën e vjetruar e të konsumuar të "hapjes së kutive", e cila ka një vit që dështon. Kjo strategji do të vazhdojë deri në zgjedhjet vendore, duke i përfshirë edhe ato; e ndoshta vazhduar përtej tyre, nëse Rama kandidon vetë dhe nuk shpallet fitues. Pavarësisht të gjithë kësaj strategjie të veprimeve radikale, do të ishte e pamundur që PS të mos futet në zgjedhjet vendore. Rama nuk do të mund ti rezistonte jo vetëm presionit të ndërkombëtarëve, por mbi të gjitha presionit të kryetarëve aktualë (apo kandidaturave të forta) të bashkive kryesore, ku PS ka shanse të larta fitoreje për të mos marrë pjesë në zgjedhje vendore.

… Ndërkohë PS bojkoton me shumë gjasa reformën zgjedhore…

Në fillim të vjeshtës Rama, me shumë gjasa, i zhytur në logjikën e veprimeve radikale, nuk do të lejojë deputetët socialistë të marrin pjesë në Komisionin Kuvendor për kryerjen e Reformës Zgjedhore sepse i) nuk ka asgjë interesante për të nxjerrë nga kjo reformë, për më tepër që edhe nuk është i përgatitur për të zëvendësuar komisionerët militantë me një formulë tjetër dhe ii) nuk do të futet në debatet për reformën zgjedhore, ku aleatët do ti kërkonin të shtonte numrin e komisionerëve dhe të ndryshonte sistemin zgjedhor (që në fakt nuk ka lidhje me zgjedhjet vendore.

Në këtë mënyrë, me veprimet radikale deri në dhjetor Rama arrin të a) zhvendosë të gjithë debatin e brendshëm në PS për kandidaturat socialiste për kryetar të bashki/komunave tek "armiku i jashtëm", që tani është stigmatizuar me "kutitë e votimit" dhe b) shmang debatin me aleatët për ndarjen e zonave të lira që përbën një kokëçarje më vete, sidomos pas premtimeve demagogjike që shoqëruan veprimin e tyre proaktiv për "rrëzimin e Qeverisë Berisha" me "mekanizma radikale e thirrje revolucionare".

…Dhe pas disa zigzageve për bojkot të zgjedhjeve vendore PS merr pjesë me kushte në to…

Nga fundi i vjeshtës, veprimeve radikale mund tu shtohen edhe veprimet obstruktive, me ose pa të drejtë, të bashkive kryesore që qeverisen nga socialistët lidhur me përgatitjet e listave të votuesve. Mbi këtë bazë ka shumë gjasa që nga janari deri në mars 2011, Rama nuk deklaron qartas pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, duke e lidhur këtë qëndrim me i) hapjen e "kutive të votimit" të zgjedhjeve të 2009 (ose nëse ato janë djegur debati i referohet "djegies së krimit elektoral") dhe ii) përgatitjen e të gjithë infrastrukturës zgjedhore që garanton zgjedhje në përputhje të plotë me standardet demokratike.

Në mars, nën presionin e bashkive ku PS ka shanse për fitore (por edhe nga presioni në rritje i ndërkombëtarëve) Rama do të detyrohej të pranonte haptas të futet në zgjedhjet vendore, por duke artikuluar se "pranon rezultatin e zgjedhjeve vendore, nëse zgjedhjet janë të lira e të ndershme sipas vlerësimit të PS" (pra, në rast humbjeje përsëritet e njëjta histori si me zgjedhjet e vitit 2009). E gjithë kjo teknologji veprimesh radikale dhe obstruksioni ka në themel rikonkurrimin e Ramës për Bashkinë e Tiranës. Zyrë të cilin në fakt, Rama e shikon si të vetmen trampolinë të besueshme prej nga do të kërcente drejtpërdrejtë në "karrigen" e Kryeministrit, sepse çdo opsion tjetër me Berishën përballë (e "gjallë politikisht") i duket i pamundshëm. Prandaj dhe pyetja që Rama i shtron vetes dhe ende nuk ka një përgjigje finale dhe po ashtu pyetja që shtrojnë të gjithë është: A do të rikandidojë Rama për kryetar të Bashkisë së Tiranës?

... E gjithë kjo, sepse Rama është i pasigurt për të rifituar Bashkinë e Tiranës...

Rama dëshiron në çdo rast të jetë përsëri kandidati i PSSH për Bashkinë e Tiranës. Nga analiza e veprimeve të deritanishme dhe duke ekstrapoluar sjelljen e deritanishme politike të Ramës, heqja dorë apriori nga rikandidimi është e përjashtuar prej tij. Fabula se "nuk është koha për tu marrë me këtë çështje", se "ky është muhabet i kafeneve të Tiranës" apo se "ende nuk e kam vendosur se çdo të bëj" është tanimë shumë e vjetër, por edhe e pabesueshme dhe aspak serioze. Rama dëshiron të rikandidojë, por jo të rrezikojë të humbë, prandaj nuk thotë as që do të kandidojë dhe as që nuk do të kandidojë. Kjo lloj fabule do të artikulohet deri pak javë para ditës së zgjedhjeve të vitit tjetër.

Sepse nëse Rama realisht nuk do të rikandidonte për këtë post, aktualisht Kryetari i PSSH, që synon fitoren e PSSH në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e për rrjedhojë edhe postin e Kryeministrit, do ta kishte shumë të lehtë të deklaronte se nuk do të ishte Rama kandidatura për Bashkinë e Tiranës dhe se do të niste një proces për gjetjen e kandidaturës më të mirë për fitimin e Bashkisë së Tiranës. Ky vendim do të shtyhet deri në momentin kur Rama ta ketë të qartë përmes sondazheve të sakta dhe deklarimit të kandidatit të koalicionit PD+LSI nëse Bashkia e Tiranës ka më shumë shanse të fitohet apo shanset e fitores janë pothuajse zero. Ndërkohë Rama me veprimet e tij radikale shpreson se Berisha do të tërhiqet, duke i lënë përmes një "pazari/kompromisi në tavolinë" Bashkinë e Tiranës përmes vendosjes së një kandidati të dobët, por kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë këtë radhë, sado i madh të jetë presioni i veprimeve radikale të Ramës dhe sa do e madhe të jetë ndërhyrja e "biznesmenëve ndërmjetës".

Në vend të përfundimit… e majta e përçarë dhe PS e rrudhur në zgjedhjet vendore…

Si përfundim, nga vjeshta 2010 deri në prill 2011 do të ketë përsëri veprime radikale nga PS. Rama do të emetojë në eter, vetë apo përmes zëdhënies së PS artikulime të paqarta për pjesëmarrje në punimet për reformën zgjedhore e deri edhe pjesëmarrja në zgjedhjet vendore do të mbetet e paqartë. Por me siguri PS do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Lidhur me Bashkinë e Tiranës çështja e rikandidimit të Ramës do të mbetet e paqartë deri në afatin limit të paraqitjes së kandidaturave, të caktuar në Kodin Zgjedhor. E njëjta paqartësi do të jetë edhe për të gjithë kandidatët e tjerë të komunave e bashkive. PS do tu qaset këtyre zgjedhjeve e papërgatitur dhe me rrezik të lartë të humbjes së tyre.

Dhe e gjithë kjo sepse i) PS nuk është më një parti socialdemokrate, por një parti tjetër, me program "të një partie liberale", ii) PS nuk është më një parti demokratike, por një parti me statut që "prish demokracinë e brendshme dhe solidaritetin", iii) PS nuk është më një parti e veprimeve racionale, inteligjente dhe e profesionistëve, por një parti e veprimeve "radikale e spontane", të pazakonta për PS dhe iv) në fundmi PS nuk është më një parti e të rinjve reformatorë, e profesorëve me formim perëndimor, e ekspertëve dhe specialistëve me të ardhura modeste, por drejtohet realisht nga një "ekip ekstrapartiak, oligark dhe më shumë klientelist sesa tipik i majtë". Dhe e gjitha kjo vjen vetëm sepse Rama mendon vetëm sesi të bëhet kryetar bashkie dhe prej këndej Kryeministër dhe asgjë të tjetër…

 Dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë pa identitet dhe pa aspirata, të rrinë në rresht e të mos flasin, të heshtin e të mos reagojnë, model totalisht i gabuar për një forcë politike demokratike, aq më tepër të majtë dhe pa asnjë dyshim me shumë gjasa që do ta mbante të majtën të përçarë dhe do të rrudhte më tej PS në elektorat, e për rrjedhojë drejt humbjes së disa nga bashkive kryesore dhe të zvogëlimit të mbështetjes elektorale në masë të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009 (deri në 10 për qind zvogëlim të mbështetjes elektorale).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama