25 Korrik 2023

Zjarri në pyllin me pisha në Kraps të Fierit është riaktivizuar sërish.

Mësohet se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit “grykë” dhe erërave të forta që favorizojnë shtrirjen e tyre në një sipërfaqe më të gjerë.

Komandanti i zjarrfikëseve të Fierit Zija Hyka pohon se situata është e vështirë ndërkohë që për neutralizimin e flakëve në terren ndodhen tre mjete zjarrfikëse. Situata bëhet më e vështirë edhe për shkak të terrenit të vështirë, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë shuarja e zjarrit u bë e mundur vetëm pas ndërhyrjes nga ajri, pasi zjarri doli jashtë kontrollit duke u përhapur nga pylli i Peshtanit drejt Krapsit.

Për shkak të përhapjes së zjarrit, është dashur ndërhurja nga ajri, ndërsa janë kërkuar përforcime edhe nga Patosi e Roskoveci. Mësohet se 2 banesa të pabanuara janë djegur, ndërsa nga flakët është përfshirë nga flakët edhe një dhomë që përdorej si kuzhinë.

Ndërkohë zjarrfikëset nga Berati u kanë shkuar në ndihmë zjarrfikësve të bashkisë në Fier. Drejtoria e Zjarrfikëse në Berat bën me dije se ditën e sotme do të dërgojë në ndihmë të kolegëve të bashkisë Fier, 1 mjet zjarrfikës dhe 7 punonjës.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shkruan ne rrjetet sociale: 45 efektivë, mjete dhe helikopteri Cougar të angazhuar për të shuar vatrat e zjarrit në zonat e Plykut, Krapsit dhe Cakranit në Fier.
Trupa të tjerë dhe mjete po vijojnë punën edhe në Vlorë. Në gatishmëri të plotë për të siguruar jetën e qytetarëve tanë! Ju lutemi banorëve, t’u binden autoriteteve në rast nevoje për evakuim. Njoftoni sa më shpejt çdo vatër sado e vogël qoftë, pranë autoriteteve vendore! Marrja e masave në kohë, parandalon ngjarje me përmasa të mëdha!

Gazeta Dita