Interevista: Prof.Dr. Mark Tirta. –

PJESA II. –Në këtë vepër përshkruhen shkencërisht norma , rregulla , tradita, bestytni,  zakone etj, si keni mundur t’i grumbulloni nga populli dhe krahina të ndryshme këto materiale me shumë vlera?

Për t’u mbledhur gjithë materiali dëshmues, për t’u interpretuar, për të zbërthyer ndryshimësitë e tij, kohë mbas kohe, e në shekuj të tërë e mijëvjeçarë, nuk ka qenë një punë e lehtë, po shumë e vështirë. Unë i kam filluar kërkimet së pari si kuriozitet që kur isha nxënës në fillore, por në kërkime të të panjohurave e për t’i shënuar ato në defterë kanë qenë shtysë e fortë mësuesit e profesorët e mij të lavdishëm si Davida Lleshaj (Gjomarku) në fillore, Petro Marku, Lumnie Shehetila, Jup Kastrati në shkollë të mesme e në atë të lartën. Nga 1961 e këtej, dhe duke qenë arsimtar në Mirditë, kam bërë shumë kërkime në gjuhësi, në arkeologji, në etnokulturë në krahinën e vendlindjes sime, në Malësi të Lezhës, në Pukë e në një pjesë të Matit. Këto qenë një mësim praktik për mua në kërkime shkencore. Nga 1968 deri 2008 si etnolog kam bërë ekspedita në tërë viset shqiptare, përfshirë Kosovën e Shqiptarët e Maqedonisë. Këto më kanë shërbyer shumë për shkrimet e mia shkencore, për referime në Konferenca e Kongrese shkencore. Si materiale faktike më kanë shërbyer edhe shkrimet e botimet ndër libra e revista nga intelektualë të Rilindjes, të Pavarësisë e të pas Luftës II Botërore. Si materiale faktike për etnokulturën kanë shkruar shumë dijetarë të huaj që kanë shëtitur viset shqiptare e kanë botuar libra të veçantë e shkrime në gazeta. Edhe klerikët shqiptarë që kanë shërbyer nëpër malësina kanë mbledhur e kanë botuar shumë materiale për doke e tradita shqiptare. Të gjitha këto më kanë shërbyer shumë në shkrimet e librat e mij.

Për t’i zbërthyer si duhet dukuritë e etnokulturës ndër Shqiptarë kam lexuar e skeduar shumë manuale shkencore të shkencëtarëve të mëdhenj të botës. Shumë dukuri etnokulturore në popull janë tjetërsuar nga koha në kohë, gjatë shekujve. Manualet shkencore zbërthyese në anë gjeografike, etnike, kronologjike, kanë qenë një mësim i madh për mua. Populli thotë: “Duhet të dish e pastaj të bësh”.

Keni qënë pjesëmarres në disa ekspozita kulturore dhe etnografike nëpër vendin tonë dhe vende të tjera në Ballkan dhe më gjërë.Ndonjë kujtim ose mbresë të veçantë nga takimet me popullin ose bashkësinë ku keni mbledhur materialin?

Në ekspedita të kërkimit shkencor kemi qenë me shumë në tërë trojet e Shqipërisë brenda kufijve si shtet i veçantë; në jo pak raste kemi qenë në ekspedita shkencore në Kosovë e te Shqiptarët e Maqedonisë. Nuk kemi qenë në eksplorime kërkimore asnjëherë: te Shqiptarët e Malit të Zi, te Çamët e në përgjithësi te Shqiptarët e Greqisë, as në Preshevë-Bujanovc-Medegjë e në vise të tjera shqiptare në Serbi. Por, duhet sqaruar se ne, unë me kolegë të mij, kemi qenë në shtete të Europës për kualifikim, në veprimtari kulturore, në konferenca a në kongrese shkencore e në ato raste, në mbledhje ose në shëtitje për të njohur dukuri kulturore të atyre shteteve, jemi takuar me shqiptarë të atjeshëm. Ata na flisnin me shumë dashuri për Shqipërinë, atdheun e tyre mëmë. Me shumë kënaqësi e dashamirësi rrinin e bisedonin me ne për orë të tëra. Në raste të veçanta na ftonin dhe në shtëpi të tyre. Jam çuditur se si, në disa raste, jo të shumta, kam parë në kornizë varur në mur, foton e Enver Hoxhës, në shtëpi apo dhe në dyqane. Kishte raste që kur shëtisnim me këta Shqiptarë në natyrë, nxirrnin foton e Enverit nga çanta e librave ose nga xhepi i xhaketës dhe e puthnin, duke u shprehur: “Baca Enver, sa shumë të duam!“. Unë qëndroja në heshtje dhe e dija shumë mirë se këtë e bënin jo për çështje ideologjike, por si shprehje e dashurisë për “Dheun Mëmë”. Për ata ishte personaliteti më i njohur e pra e konsideronin simbol të kombit.

Zhvillimi i kulturës shpirtërorer është shenjë e ekzistencës së një kombi.Ç’mendim keni për vëmendjen dhe predispozicionin e autoriteteve shtetërore ndaj kulturës popullore,shpirtërore dhe folklorike në ditët e sotme?

Është bërë një farë pune në organizimin e institucioneve shkencore në fushën e trashëgimisë etnokulturore në gjysmën e dytë të shek. XX. Është dhënë si lëndë e veçantë etnologjia në fakultete të ndryshme të shkencave shoqërore, në Institutin e Arteve e me radhë. Por, duhet thënë se kjo lëndë (etnologjia) është dhënë në një masë tepër të kufizuar. Në dhënie mësimi e në shkrime ishte e detyrueshme që dukuritë e ndryshme të etnokulturës të politizoheshin së tepërmi sa të dilnin në shumë raste jashtë të vërtetave shkencore. Të kthyerit e termit Etnologji ndër Shqiptarë në Antropologji është një mendjerrjedhje e vërtetë. Antropologjia përfshin në problematikat e saj historinë, gjeografinë, sociologjinë, psikologjinë sociale. Nuk është fjala këtu që këto disiplina shkencore të bashkëpunojnë e të ndihmojnë njëra-tjetrën në sqarimin e të vërtetave. Po, në kushtet shqiptare, këto disiplina nuk hyjnë në strukturën e një trupi të vetëm. Ne për secilën fushë kemi departamente të veçanta. Në tërë Europën, në tërë Ballkanin kemi në universitete departamente të etnologjisë, vetëm në Shqipëri jo. Kjo është një marramendje dëmprurëse. Prej kohësh në tërë universitetet e Jugosllavisë kishte degë të veçanta të etnologjisë. Këtë degë prej shumë vitesh e krijoi dhe Universiteti i Prishtinës. Ky ishte një veprim shumë dobiprurës. Kur Instituti i përmendur në Tiranë mori emrin “…. i Antropologjisë“, i kërkuan dhe etnologes së shquar Prof. Drita Statovci t’ia ndryshojë emrin nga D.E. në Departamentin e Antropologjisë e kjo në fillim e kundërshtoi këtë me të drejtë. Po nga shtysat e forta për të kopjuar Tiranën, u detyrua të bëjë një lëshim. E ktheu nga “Dep. i Etnologjis딓Dep. të Etnologjisë e të Antropologjisë”. Pra një gjetje e mëdyshtë.

Në temën interesante që keni trajtuar në këtë libër , është edhe çështja e emigrimit të popullsisë ku janë përcaktuar mirë vendet ku janë ngulur shqiptarët, por shpesh mungojnë të dhënat e shpërnguljes ,numri i saktë,koha,vendi.Pse ndodh kjo?

Trajtimi i migrimeve varet shumë nga të dhënat, nga burimet e ndryshme. Është i drejtë mendimi se duhej shkruar më shumë për fshatin e krahinën nga janë larguar të mërguarit. Të dhënat duhen parë dhe në vështrim kritik: sa të vërteta janë? Për vendin ku janë ngulur kemi pasur pak të dhëna dhe disa dhe të dyshimta. Pra kemi dhënë ato më të saktat e të tjerat nuk janë pasqyruar, në pamundësi të gjetjes së të vërtetave.

 Shihet qartazi si në fushën e kulturës ,traditës dhe folklorit organizohen pak aktivitete.Mungojnë sesionet shkencore komëtare ,festivalet folklorike ,etj.Mungon publikimi dhe promovimi i librave me vlera të veçanta siç është ky botim me vlera.Ç’mendim keni për mungesën e këtyre veprimtarive?

Është e vërtetë se pak aktivitete, përfshirë këtu dhe konferencat shkencore, bëhen në fushën e etnokulturës. Duhen bërë dhe diskutime të projekteve të studimeve të etnokulturës, po dhe për veprimtaritë artistike e kulturore. Populli thotë: “Më thuaj me kë rri e të të them kush je”.

Keni qënë dhe jeni gjithnjë në aktivitet,madje shpesh na befasoni me vepra të reja dhe shumë interesante siç ishte ky botim.Çfarë do të presim nga Akademik Mark Tirta në vazhdim ?

Mendoj të shkruaj, si më parë e të botoj rreth 12 deri 15 punime shkencore e kulturore çdo vit. Ma do zemra të botoj librin “Fjalori i mitologjisë shqiptare”, që në një formë, aq sa dija atëherë, e kam bërë që më 1975 e u hoq nga shtypi për arsye “të përmbajtjes: ideologji borgjeze e obskurantiste”. Doemos, për ta botuar, sipas dijeve që kam sot, i duhen bërë jo pak rregullime e shtesa. Kam shkruar shumë punime shkencore e kulturore, po doemos, do të bëj dhe një libër të veçantë për krahinën time të lindjes e mendoj se do të quhet “Mirdita në histori e në etnokulturë”. Për veten time do të bëj një autobiografi ku do të paraqitet jeta ime, po dhe shumë etnokulturë shqiptare që e kam përjetuar e më ka ushqyer zemrën në tërë rrugët e jetës. Ëndërroj të bëj një libër për Ligjin dokesor shqiptar nga që kam në studion time shumë materiale të mbledhura nga tërë viset shqiptare, duke shtuar këtu dhe të dhënat e studjuesve të mëdhenj shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi e më tej. Jam mbështetur dhe në studimet e eksploruesve të huaj në viset shqiptare: në libra përshkrues po dhe libra teorikë për të drejtën dokesore në popuj të ndryshëm, që të bëhen këto shkrime, libra që kam vënë në synim. Për këtë duhet jetë e gjatë e shëndet. Këto të fundit i venë në pikëpyetje projektet e mija. Pra nuk dihet nëse këta libra, shkrime, do t’i bëj apo jo. Këtë të fundit e di vetëm Zoti në Qiell. Po nuk pata shëndet, forcë për të punuar, i lutem Zotit të më çojë sa më parë në Sharrë të Tiranës, ku prehen nën tokë shumë njerëz fisnikë e të ditur, po dhe shumë të tjerë keqbërës, pa din e pa imanë. Atje mbisundon demokracia e vërtetë.