Zef Preçi: Programi ekonomik i PD? Zbatohet nëse ka vullnet politik

– 30/01/21

Eksperti i Ekonomisë Zef Preçi në një analizë për gazetën MAPO e sheh programin ekonomik të PD si një lajm të mirë para zgjedhjeve parlamentare dhe kërkon që ai të ballafaqohet me një program nga pala kundërshtare, duke e sjellë politikën kështu më pranë njerëzve, larg bullizmit dhe çorientimit të votuesit.  Nga pikëpamja ekonomike ai thotë se është e parakohshme çdo akuzë që i bëhet pasi çdo program ekonomik është i zbatueshëm kur ekziston vullneti politik.

Partia Demokratike prezantoi programin ekonomik. Cili ishte impakti i parë që patët nga ky program?
Duke marrë parasysh faktin se në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve partia fituese aktualisht në pushtet nuk paraqiti program elektoral, e mirëprita prezantimin e programit të opozitës duke e parë këtë si një hap përpara drejt normalitetit demokratik të vendit. Se nëse flasim për program kemi parasysh një numër rrjedhojash që nuk mund të injorohen.

Së pari, ndërmarrja e një programi bazë elektoral dhe afishimi publik i tij mendoj se i shërben rikthimit të debatit politik, publik dhe mediatik në problematikën reale që ka shoqëria jonë në ditët e sotme. Domethënë për t’u larguar kështu disi nga bullizmi politik dhe ndeshja dëshpëruese midis Shqipërisë virtuale dhe surreale të prodhuar nga qeveria me Shqipërinë reale, me të cilën ndeshet çdo ditë shumica e qytetarëve shqiptarë në përpjekje për të siguruar mjetet më të domosdoshme të jetesës, apo bizneset për të mbijetuar në një treg ku nuk respektohen si duhet “rregullat e lojës” të ekonomisë së tregut etj.

Së dyti, nga të pasurit e një programi elektoral të shpallur publikisht do të thotë se votuesi, qytetari, taksapaguesi apo biznesi marrin sinjalet e duhura mbi trendet e pritshme të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit në mandatin e ardhshëm qeverisës. Kjo është veçanërisht e vlefshme sidomos në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, nxitjes së rritjes së konsumit dhe zgjerimit të kreditimit të ekonomisë reale etj.

Së treti, duke besuar edhe në një përmirësim cilësor të përfaqësimit politik në Kuvendin e Shqipërisë, krijohet mundësia që ky institucion të rifitojë rolin e vet kontrollues dhe mbikëqyrës të qeverisë. Domethënë, kështu edhe mund të shmangen në të ardhmen politika ekonomike voluntariste e të gabuara dhe me pasoja të dëmshme afatgjatë siç ishin ofertat e pakërkuara që prodhuan PPP monstra dhe grabitëse me ligj të fondeve buxhetore dhe të pasurive publike etj.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, të besojmë dhe të shpresojmë se edhe partia në pushtet do të paraqesë sa më shpejt programin e saj elektoral, domethënë do të kemi të bëjmë me një garë të vërtetë midis grupimeve kryesore politike, më shumë se sa me përpjekjet dëshpëruese tradicionale shqiptare për të trullosur votuesit, thjesht në një luftë për pushtet…

D.m.th. të shpresojmë se kështu do rikthehet gara elektorale si kudo në botën e qytetëruar e bashkë me të edhe besimin e qytetarëve në fuqinë dhe në përgjegjësinë e votës së tyre. Kjo nuk përjashton edhe përballjen mediatike të kandidatëve për kryeministër, të krijojmë një traditë demokratike, larg bullizmit të përditshëm, i cili ushqen opinionin djallëzor se “të gjithë politikanët janë të korruptuar dhe të bërë pis”, apo se “opozita nuk frymëzon” etj., të cilët zbehin interesin e qytetarëve dhe të komuniteteve mbi çështjet e rëndësishme të qeverisjes së vendit.

Programi u shoqërua menjëherë me shumë kritika, ku pikaste kritika se “ku do të gjenden paratë për t’u realizuar”. Sipas jush, sa i zbatueshëm është ky program nga pikëpamja ekonomike?
Është e njohur fabula që “unë tregoj hënën dhe ti sheh gishtin…”. Kështu është edhe në këtë rast. Çfarëdo përpjekje e klasës politike për të portretizuar problematikat e mprehta të shoqërisë së sotme shqiptare siç është varfëria në rritje, mjerimi i pensionistëve dhe shtëpiakeve, thellimi i polarizimit social, plakja e popullsisë, rënia e numrit të lindjeve dhe shpopullimi, grabitja e fondeve publike, dhunimin e të drejtave të njeriut, stanjacionin në procesin e integrimit në BE etj., në një program elektoral si alternativë qeverisëse duhen përshëndetur.

Ndërsa pyetja se sa i zbatueshëm është ky program, mendoj se është e parakohshme. Kjo, jo sepse zgjedhjet nuk kanë përfunduar dhe z. Basha nuk është zgjedhur akoma si kryeministri i ri i vendit, por për faktin e thjeshtë se shteti shqiptar dhe qeveria e tij nuk operojnë në boshllëk dhe as fillojnë kur ndërrohet kreu i ekzekutivit. D.m.th. qeveria e re do të jetë një vazhdimësi e atyre reformave të ndryshme që janë ndërmarrë më parë apo të proceseve në vazhdim siç është p.sh. rindërtimi për zhdukjen e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Ndërkaq çfarëdo aplikimi i politikave të shpallura në programin e opozitës duhen vlerësuar me kujdes dhe në kushtet reale të vendit mbas zgjedhjeve të 25 Prillit, për të vendosur prioritete që mundësojnë një dinamizëm të ri të ekonomisë sonë kombëtare, mirëpërdorimin e burimeve financiare, njerëzore apo të pasurive natyrore të vendit në dispozicion etj.

Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, mendoj se çdo program është i zbatueshëm nëse ka një vullnet politik të mjaftueshëm (ashtu siç po ndodh edhe aktualisht), por zbatimi i programit në çdo rast gjykohet nga rrjedhojat social-ekonomike imediate që krijon, nga mundësitë perspektive nisur nga parimi “e mira më e madhe e shumicës” e mbi të gjitha nga ndikimi që sjell në nivelin dhe në cilësinë e jetesës së qytetarëve të vendit si qëllimi primar i qeverisjes në çdo vend demokratik.

Këto ditë kam lexuar edhe opinione tejet negative që e konsiderojnë programin e shpallur nga z. Basha si “shkatërrues për ekonominë nëse do të zbatohet”, e të tjera si këto. Duke respektuar mendimin e secilit dhe pa marrë përsipër të mbroj asnjërën nga tezat themelore të atij programi, mendoj se rruga më e mirë është ballafaqimi i alternativave, argumenteve, diskutimi për çështje të caktuara dhe rrugëzgjidhje që krijojnë shpresë dhe besim, që nxitin sipërmarrjen e lirë e fuqizojnë individin e komunitetin, dhe jo vazhdimi i bullizmit politik, por në nivel më teknik…

Një nga shtyllat e këtij programi është “rimëkëmbja ekonomike” duke parashikuar shumë shpenzime nga buxheti i shtetit dhe një taksë të sheshtë 9%. Sa e mundur është kjo të realizohet rimëkëmbja e një ekonomie që është në krizë?
Kjo është një çështje komplekse dhe që meriton të elaborohet më në hollësi. Sipas mendimit tim, taksa e sheshtë ka provuar epërsinë e saj dhe është plotësisht e mundshme të bëhet, ndërsa fragmentimi i sistemit fiskal gjatë viteve të fundit, aplikimi i disa shkallëve të taksimit etj., ka mbajtur gjallë evazionin, klientelizmin etj. Ndërsa çështja e nivelit të kësaj takse mendoj se duhet analizuar.

Kuptohet që në këtë proces përmirësimi i klimës së biznesit ndikohet dukshëm edhe nga politikat fiskale që ndiqen, të cilat mbeten një levë e rëndësishme për ta bërë vendin tërheqës për investimet e huaja private, por edhe ato të brendshme. E rëndësishme është që të vendosen raportet e duhura midis taksimit të drejtpërdrejtë dhe atij të tërthortë, si dhe të ruhen raportet e duhura ndërmjet grupeve dhe shtresave të ndryshme të popullsisë, si dhe në nivelet e ndryshme të biznesit.

E rëndësishme është gjithashtu që me këto reforma të nxitet kualifikimi dhe rikualifikimi, novatorizmi dhe sipërmarrja, por edhe të sigurohen mundësi jetese të ndershme e dinjitoze për shtresa të ndryshme të popullsisë, të nxitet fuqizimi i klasës së mesme etj.

Gazeta Mapo