1 Tetor 2025

Një trajtim eksperimental me një përzierje antitrupash ka ofruar rezultate premtuese në luftën kundër disa formave të rënda të gripit, duke hapur rrugën për zhvillimin e një terapije universale që mund të mbrojë grupet më të rrezikuara të popullsisë.

Ky studim, i botuar në revistën prestigjioze ‘Science Advances’, ka treguar se ky ‘koktej’ i antitrupave është i efektshëm ndaj disa lloje të gripit A, duke përfshirë edhe ato që mund të shkaktojnë pandemia.

Trajtimi i ri bazohet në tre antitrupa që synojnë një pjesë të virusit të gripit A të njohur si M2e, e cila është thelbësore për replikimin e virusit.

Ky rajon i virusit mbetet shumë i ngjashëm në të gjitha llojet e gripit, çka e bën këtë trajtim potencialisht të efektshëm për një gamë të gjerë të llojeve të gripit.

Ndryshe nga vaksinat tradicionale, të cilat duhet të përditësohen çdo sezon për shkak të mutacioneve të shpeshta të virusit, ky trajtim përdor antitrupa që nuk neutralizojnë drejtpërdrejt virusin, por nxisin sistemin imunitar për të vepruar më fuqishëm.

Eksperimentet e kryera te minjtë kanë treguar rezultate mbresëlënëse: përzierja e antitrupave ka ulur ashpërsinë e sëmundjes, ka reduktuar përhapjen e virusit në mushkëri dhe ka rritur mbijetesën e kafshëve, madje edhe atyre me sistem imunitar të dobësuar.

Trajtimi ka treguar efikasitet ndaj tre nëntipeve të gripit A: H1N1, H5N1 dhe H7N9. Ky është trajtimi i parë antiviral që tregon një efikasitet të tillë të gjerë kundër gripit.

Një tjetër avantazh i këtij trajtimi është që, edhe 24 ditë pas administrimit, viruset nuk kanë zhvilluar mutacione për t’i shmangur antitrupat.

Kjo tregon se trajtimi është i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve gjenetike të virusit dhe mund të mbajë efikasitetin e tij për një periudhë të gjatë, duke e bërë atë një mundësi premtuese për mbrojtjen afatgjatë.

Për momentin, hapi i ardhshëm për këtë trajtim është testimi i tij te njerëzit për të vërtetuar efektivitetin dhe sigurinë.

Nëse kjo metodë do të konfirmohet si efikase edhe te njerëzit, mund të shërbejë si një terapi shtesë për të mbrojtur personat me rrezik të lartë, si të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, duke u përdorur paralelisht me vaksinat tradicionale.

Ky trajtim ka potencialin të sjellë një ndryshim të madh në mënyrën se si trajtohen dhe parandalohen gripet, duke ofruar një shpresë të re për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për luftën kundër pandemive të ardhshme.