Gurii Gjugjes

Vjetërsia e piktogrameve të Gjugjës dhe gabimi i arkeologëve

Specialistët e fushës duhet të jenë të kujdesshëm në përcaktimin e vjetërsisë se këtij gur-kulti , që është pasuri të Njerëzimit. Kështu që  Muzeu Historik Kombëtar , Instituti i Kërkime Arkeologjike duhet të kishin sinjalizuar menjëherë pas gjetjes UNESCO-n

Albert V. Nikolla

Të gjithë intelektualët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kemi ndjekur me kureshtje të madhe, por dhe me njëfarë frike, mënyrën sesi po trajtohet Vjetërsia e Gurit me piktogramet të Gjugjës… Frika e gjithë komunitetit të studiuesve shqiptarë qëndron në faktin se ky gur, mund të klasifikohet si rreth 4 ose 5 mijë vjeçar, ndërkohë që vjetërsia e tij është dukshëm më e madhe… Në krahasim me shkrimet e Vinçes, 6.3 mijë vite para Krishtit, guri i gjetur në Fan të Mirditës është shumë më primitiv. Jemi në fazat e para të zhvillimit të njeriut ‘Cromagnion’ dhe në të dallohet qartë besimi mbi Diellin, yjet, hënën Gurët dhe Perëndia primitive Aes, të cilat janë besime të gjahtarit primitiv. Përcaktimi i moshës së Piktogrameve duhet të bëhet sipas Metodave Komparative (Krahasuese) me shkrime të tjera te epokave primitive.

Guri mund të jetë i gdhendur, me mjete të forta stralli  (por teknika e shkrimit në pamje të parë nuk më duket e tillë). Pikësëpari ata që do të përcaktojnë moshën, duhet të kryejnë eksperimentin e “pjekjes së baltës”, sipas traditës së zonës ku u gjet…( Gjuhëtarë- gjeologë- inxhinierë dhe artizanë të zonës) duhet të tentojnë ta ri-përsërisin procesin e Rishkrimit të kësaj pllake, sipas “Normave arkeologjike që aplikohen në Francë e Gjermani në kësi rastesh e që kanë të bëjnë mënyrat dhe format sesi njeriu primitiv krijoi  kulturën prehistorike (Quhet metoda e stimulimit në kushte reale).  Nëse eksperimenti i krijimit të plakës Artizanale dhe shkrimi i saj me kockë të thyer rezulton i suksesshëm, kemi të bëjmë me shkrimin e parë në Botë, atë që na e thotë Aristoteli dhe Platoni, që « Grekët shkrimin e morën nga pellazgët e vjetër që janë më të lashtë sesa toka ».

Nuk është se tradita nuk ka ekzistuar. Personalisht në fëmijërinë time kam parë Artizanët e fshatit  Shulbatërr në Mat, tek krijonin tulla të zeza të pjekura shumë të forta pikërisht me këtë teknikë. Kam parë gjithashtu edhe artizanët e ‘Kuçave’ të mëdhenj në Klos të Matit, që pasi i përpunonin dhe i linin të thaheshin, i lyenin me gjalp, dhe i vinin të piqeshin në zjarr të butë … dhe thuajse kishin të njëjtën ngjyrë Gri siç  ka edhe guri me piktogrameve të Gjugjës.. Si duket njeriu primitiv i shpellës para pjekjes i ka lyer pllakën e argjilës me dhjamë kafshës të egra … E njëjta teknikë mendoj të jetë përdorur edhe për krijimin e kësaj terrakote me mbishkrimin në fjalë, pasi ajo ishte shume e hollë dhe sheshtë dhe shumë voluminoze për të qenë natyrale. Këtë teknikë e kanë përdorur dhe sumerët më vonë për krijimin e terakotave ku shkruan shkrimet e tyre.

Parë dhe nga këndvështrimi i mënyrës së gdhendjes me kockë kafshësh,  nga mënyra e e vendosjes në hierarki të figurave, nga tentativa për të krijuar sistemin të numërimit me katrore nuk ka asnjë lloj dyshimi se kemi të bëjmë me një gjetje shumë primitive të zonës së Mirditës… Është më e vjetër se Pikturat e Laskosë në Francë, pasi teknika e pikturimit me bojëra është më e re se gdhendjet primitive, dhe daton rreth shekullit XVIII para erës sonë deri në shekullin e VII para erës sonë. Jam i sigurtë se teknika e krijimit të qeramikës më të fortë se guri ekziston akoma në zonën e Mirditës, në traditën e përgatitjes së vorbave dhe qypave.  Kjo teknikë ka të bëjë, me djegien e një sasie bari dhe përfitimin e lëndës së parë prej hiri e cila duke u përzier me një lloj lluce të veçantë krijon një masë shumë ngjitëse, të përpunueshme. Kjo masë është përdorur nga njeriu primitiv i shpellës që kishte filluar ta përdorte zjarrin, për të prodhuar enët e para primitive, që janë gjetur në vendbanimet primitive (shpella të thata) në të gjitha vendbanimet prehistorike në Shqipëri, nga veriu në jug..

Me krijimin e masës së baltës, njeriu primitiv me ndihmën e një kocke të thyer ka gdhendur piktogramet e tij… në piktogramet e Gjugjës shihet qartë se gdhendjet nuk janë bërë me daltë bronzi, gjë që ja shton vjetërsinë pllakës… ato kanë shenjat e gërryerjen me kockë… edhe vrimat sipër njeriut primitiv që simbolizojnë yjet, nuk janë të gdhendura me daltë bronzi po me teknikën e rrotullimit të kockës, dhe figurat janë të krijuara me rrëshqitje (vizatim). Kuptohet njeriu i kësaj epoke, rreth 45  mijë vite para Krishtit, nuk e njihte akoma përpunimin e bimrave për të përfituar bojëra të ndryshme, me të cilat mund të pikturonte. Nëse specialistë, me të padrejtë do t’i japin një moshë më të re se Terakotat e gjetura në Vinça, do të kemi jo vetëm një falsifikimi të hapur i vjetërsisë së gurit, por edhe një humbje të madhe për Historinë e kombit Shqiptar. Në gazetën ‘Shekulli’, bazuar në Arkeologjinë strukturaliste, kam kryer një analizë të thellë të elementëve brenda dhe rreth e rrotull monumentit primitiv, mbështetur sidomos në Teknikat e ‘Landart’(leximi i objekteve që ka krijuar njeriu primitiv në natyrë) kam deshifruar Piktogramin. I mbetem besnik leximit të asaj piktograme, sipas riteve dhe psikologjisë së banorëve të Zonës, bazuar në manualet arkeologjike të Piktogrameve dhe shkrimeve Prehistorike…

Në raste të tilla gjetjesh, nuk kemi të bëjmë thjesht me pasuri kombëtare, por kemi të bëjmë me pasuri të Njerëzimit. Kështu që  Muzeu Historik Kombëtar , Instituti i Kërkime Arkeologjike duhet të kishin sinjalizuar menjëherë pas gjetjes UNESCO-n, për dy arsye. E para regjistrimin e kësaj pasurie me rëndësi botërore, e dyta hapjen rrugë të një marrëveshje për të sjellë specialistë, dhe e treta sigurimin e fondeve të nevojshme për trajtimin dhe krijimin e kushteve të ekspozimit në Muzeun kombëtar. Gjithashtu me UNESCO-n, mund të krijohej një grup arkeologësh ndërkombëtarë të cilët do të hulumtonin Zonën e Gjugjës…

Tre hipotezat që duhej parë, janë siç e thamë më sipër:

  • Guri i gdhendur me majë stralli (lloj guri i fortë), i cili i takon epokës së gurit, rreth 20-25 mijë vite më parë.
  • Gur i gdhendur në një terrakote me kockë primitive të pjekur… 25-35 mijë vite më parë…
  • Guri i gdhendur në fund të paleolitikut (koha kur sapo kish filluar përpunimi i metalit të bakrit) daltë ari deri në 12 mijë vite më parë….

Por në trajtimin e materialit arkeologjik, duhet pasur shumë kujdes dhe duhet përdorur metoda komparative (Krahasuese dhe testuese), për të mos rënë në gabime.  Po japim disa shembuj të gafave të pafalshme qe kanë bërë të arkeologët shqiptarë në përcaktimin e moshës së objekteve arkeologjike apo moshën e qyteteve antike që gjenden në territorin e republikës së Shqipërisë. Nëse në Itali, ndërtimet e mureve të qyteteve Etruske me gurë masive të gdhendur, konsiderohen si të shekullit të XIII ose XIV para Krishtit, në Shqipëri të njëjtat mure ciklopike të qytetit antik Lisus, konsiderohen të shekullit të III para Erës sonë, sepse përcaktimi i moshës u është besuar specialistëve të huaj, që kanë qenë të interesuar për shkaqe politike dhe kulturore ta ulin moshën e gjetjeve arkeologjike shqiptare, për të vënë në pah Epokën Greke apo Romake.

Në arkeologjinë shqiptare ka gabime të tilla trashanike dhe të papranueshme aq’sa përkrenaret e bronzit, që i përkasin epokës së Trojes Antike (epokës së bronzit që merr fund në shekullin e VII para erës sonë),  të thuhet se i takojnë shekullit të III para Erës Sonë, kohë kur jemi në epokën e konsoliduar të Hekurit… ose porta trekëndore hyrëse e Butrintit me demin e madh të konsiderohet e shekullit të shtatë, megjithëse ato janë ndërtuar me stilin primitiv me kolonë katërkëndore. Muret dhe portat e Butrintit, janë minimum e shekullit të XII para erës sonë, pasi heroi Dardan Enea qe u vendos në Butrint ka jetuar në Shekullin XII para erës sonë dhe kur erdhi ai gjeti një qytet të ndërtuar, sipas të gjithë historianeve.  Dihet që në Epokën e hekurit, shekulli i VI para erës sonë, nisi ndërtimi i portave me Harqe, dhe kolona të latuara dorike, që e hasim në gjithë territorin ballkanik.

Të gjitha këto i vura në dukej, për të tërhequr vëmendjen e arkeologëve që të mos përsërisin gabime të tilla të pafalshme, përsa i përket përcaktimit të moshës së Gurit me piktogrameve Gjetur në Gjugjë-Mirditë. Së paku jo kësaj here.

Gazeta Shekulli