Nga Julia Vrapi.

Ky vit është shpallur “Viti i Skënderbeut”, ku priten të zhvillohen aktivitete dhe veprimtari të ndryshme, mes tyre nuk do të mungojnë dhe konferenca shkencore. Për këtë institucionet e artit dhe kulturës kanë menduar projekte, ekspozita të ndryshme, etj. Pranë Galerisë Kombëtare të Arteve bëjnë me dije se për “Vitin e Skënderbeut” janë menduar tre projekte, të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Kulturës dhe pritet miratimi. Ndërkaq që Muzeu Historik Kombëtar që në muajin janar do të nisë me aktivitetet. E para do të jetë një ekspozitë që do të çelet këtë muaj. Pranë Muzeut Historik Kombëtar bëhet me dije se një ekspozitë me gravura të veçanta të shekullit XV dhe sjellja e një pjese të dokumenteve nga Raguza, Dubrovniku i sotëm, aty ku ruhet edhe arkiva më e madhe për heroin kombëtar, janë disa nga angazhimet e këtij institucioni për Vitin e Skënderbeut. “Ajo që shpesh ne na ka ardhur nëpërmjet arteve figurative, është një art figurativ i realizmit socialist ku janë përdorur imazhe të ndryshme të Skënderbeut kurse duke e rikthyer atë pikërisht në kohën e vet, Muzeu Historik Kombëtar, synon për ta parë në një plan gjithëpërfshirës. Synojmë që këtë ekspozitë ta çojmë edhe në qytetin e Dubrovnikut, pikërisht në vendin ku ndodhen më së shumti arkivat e Skënderbeut, ish Raguza e vjetër. Ka një dokumentacion të pasur dhe nuk ka ardhur i gjithi në Shqipëri. Jemi në kontakt që ato të vijnë për të pasur një qasje të drejtpërdrejt ndaj vetë dokumenteve dhe fakteve origjinale”, ka pohuar më herët drejtori i Muzeut Historik Kombëtar.  Në mbledhjen e parë që ka mbajtur qeveria e Shqipërisë, pas dhënies së betimit, vendimi i parë ishte shpallja e viti 2018 vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Akademia e Shkencave, konkurs për botimet shkencore

Akademia e Shkencave e Shqipërisë  ka hapur zyrtarisht konkursin për autorin më të mirë shqiptar dhe të huaj si dhe për veprën më të paraqitshme estetikisht. Autorët do mund të plotësojnë kërkesën për konkurs deri në muajin qershor. Por sipas sekretarit të ASH akademiku Vasil Tole pritet të ketë dhe një konferencë shkencore që mund të zhvillohet gjysmën e dytë të këtij viti. “Jo vetëm çmimet por kemi edhe konferencë shkencore . Kemi rënë dakord me Akademinë e Kosovës. Por do të presim të shprehet edhe komisioni qeveritar më parë. Nuk është puna tek miratimi, por tek koordinimi mes institucioneve. Si kohë besoj në gjysmën e dytë të vitit”, pohon akademiku Tole në një reagim të tij për aktivitete për Vitin e Skënderbeut. Në kuadrin e vitit 2018 shpallur “Viti i Skënderbeut” Akademia e Shkencave njoftoi shpalljen e konkursit për veprat dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe epokës së tij; hero kombëtar i popullit shqiptar; protagonist i Rilindjes Europiane. ASH shpall konkurs për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë shqiptarë. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare në vlerësimin e rrallësisë bukinistike. Përparësi kanë botimet diplomatike-anastatike të letërsisë humaniste shqip dhe/ose në gjuhë të huaj. ASH bën me dije se pranohen për konkurrim studimet monografike dhe dokumentare të botuara prej vitit 2000 deri në vitin 2018. Të drejtën e propozimit e kanë institucionet akademike-universitare, botuesit dhe autorët vetë. Për organizmin e këtij konkursi, pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri me studiues vendës e të huaj. Pranimi i veprave konkurruese u hap më 1 janar dhe mbyllet më datën 30 qershor 2018. Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria më 18 shtator 2018. Çmimi special për veprat fituese shpallet publikisht në muajin nëntor 2018, që përmbyll “Vitin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”.