Violeta Manushi aktorja që shkëlqeu në teatër dhe film, përkujtim në Korçë

5 Mars 2026
Aktorja Violeta Manushit një nga figurat e shquara të skenës dhe filmit shqiptar, ku në qytetin e Korçës një aktivitet u zhvillua në nder të saj. Aktorja e njohur për interpretimet e saj të paharrueshme u përkujtua në 100-vjetorin e lindjes nga Bashkia e Korçës, që zhvilloi një aktivitet, ku në teatrin “Andon Zako Çajupi” u shfaq dhe dokumentari “Brezi i artë”-Violeta Manushi.
Përmes materialeve arkivore, dëshmive dhe rrëfimeve, filmi sjell portretin njerëzor dhe artistik të Manushit, duke e rikthyer atë në vëmendjen e brezave të rinj. Ndër të tjera, kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo u shpreh në rrjete sociale, se filmi solli në vëmendje kontributin e saj të qëndrueshëm në artin shqiptar dhe rolin, që ajo pati në përfaqësimin me dinjitet të Korçës në skenë dhe ekran. Violeta Manushi lindi në Korçë në vitin 1926 dhe filloi karrierën e saj artistike në skenën e teatrit, duke u shndërruar në një prej ikonave të artit dramatik shqiptar. Ajo interpretoi role të shumta në teatër dhe filma, duke u vlerësuar për talentin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe aftësinë për të sjellë emocione të thella në publik.
Karriera e saj përfshinte bashkëpunime me regjisorë të shquar dhe interpretime në shfaqje, që janë pjesë e repertorit klasik të teatrit shqiptar. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër. Ka luajtur edhe në 16 filma, ku për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. Aktorja Violeta Manushi u nda nga jeta më 27 korrik 2007.
